Zyhdi Dervishi: Përmbysja e sistemit të vlerave është kanceri që po e gërryen shoqërinë shqiptare

zyhdi dervishi

Sociologu i njohur Prof. Dr. Zyhdi Dervishi vjen në intervistën “Start 19 +1”. Ndërsa flet për krizën në shoqërinë shqiptare, ai thekson para së gjithash, krizën shpirtërore, e cila tejkalohet më me vështirësi. Të heqësh dorë nga një libër i mirë, thotë ai, është sikur të heqësh dorë nga një fener që ndriçon një copë rrugë. Sot, vlerëson ai, jemi në fazën e shkatërrimit të diktaturës totalitare, ku për politikanë kemi biznesmenë dhe sekserë politikë. Ndërsa rrëfen se ka trashëguar një shpirt idealist dhe arsimdashës nga i ati, të cilin nuk mund ta ndryshojë dot.

1- Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Nga fjalët më të bukura që kanë artikuluar rilindësit tanë të mëdhenj në shekullin XIX janë fjalët mëmëdhe (dheu mëmë) dhe mëmëdhetar. Unë jam mëmëdhetar. Një njeri që e do shumë vendin e vet, punon shumë për vendin e vet nuk duhet dhe nuk mund të urrejë, t’u bëjë keq popujve, kombeve të tjerë. Me përjashtim të periudhave shumë të tendosura, të luftërave të përgjakshme, të gjithë popujt e botës janë si enë komunikuese, e kalojnë “limfën” e kulturës, të mirësisë te njëri-tjetri. Fjala mëmëdhetar, si të thuash, neutralizon skajshmëritë e fjalëve nacionalizëm dhe kozmopolitizëm.
Çdo njeri ka diçka edhe nga kulturat e popujve të tjerë, në një farë mase është kozmopolit, por çdo njeri ka më shumë sharm të veçantë, që është nektar i dheut-mëmë.

2- Majtas apo djathtas?

Përkrah çdo veprim ose reformë që i shërben përparimit të popullit shqiptar, pavarësisht se reforma të tilla ideohen dhe realizohen nga harku i majtë ose i djathtë i politikës. Mendoj se aktualisht shoqërisë shqiptare i duhet një shtet me profil social mjaft solid edhe për një arsye specifike. Ende popullsia e Shqipërisë është mjaft e re në moshë. Është i madh numri i familjeve të varfra me shumë fëmijë. Mendoj se është e nevojshme që shteti shqiptar të ndërmarrë programe për të ndihmuar në forma të ndryshme familje të tilla. Nga vëzhgimet studimore kam konstatuar se ndër fëmijët e familjeve të varfra ka mjaft nxënës e studentë shumë të aftë, mjaft të talentuar deri edhe gjeni, që në të ardhmen do të përbëjnë një “gjenerator” të fuqishëm për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, për afirmimin e saj në familjen e popujve të Evropës, të Botës.
3- Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Sipas rasteve u drejtohem librave të caktuar. I besoj shumë situatës së shumanshme të rilindësve tanë të mëdhenj, mençurisë popullore të shprehur në folklor, poetëve të mëdhenj të botës, përvojës së pasur jetësore të gjyshërve të mi, të babait dhe të dajës tim, të cilët nuk janë më në këtë botë.

4- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar?

E kam të vështirë ose të pamundur të përcaktoj një libër të vetëm të tillë. Gjithë jetën kam punuar me librat, kam jetuar mes tyre. Librat janë si llambat ose llambushkat që të ofrojnë më shumë ose më pak dritë. Gjithsesi çdo libër të afron dritë të veçantë që nuk ta ofron një tjetër. Për këtë arsye e kam të pamundur të hedh libra nga biblioteka ime. Kur heq nga dora një libër të mirë, sikur heq nga dora një fener që më ndriçon të paktën një copë rrugë.

5- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Fatkeqësisht ndryshimet në krahun e së mirës kanë qenë të ngadalshme dhe jothelbësore. Herëpashere ne shqiptarët kalamendemi në dallgët e trazuara të anarkisë, të çoroditjes, të humbjes së busullës orientuese. Në krahasim me parametrat kryesorë të zhvillimit të vitit 1912 përparimet janë të konsiderueshëm, por janë mjaft larg parashikimeve të rilindësve tanë të mëdhenj, që ideuan perspektivën e popullit shqiptar, larg mundësive të mëdha, gati të pakufijshme që ka mëmëdheu ynë për t’u zhvilluar gjithanshëm dhe me ritme jo të shpejta, por shumë të shpejta, gati të përshpejtuara.

6- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Që nga fillimi i viteve 1970, shoqëria shqiptare ka përjetuar një seri krizash të njëpasnjëshme në rrafsh ekonomik, politik, social, kulturor etj. Ndërsa aktualisht shoqëria shqiptare përjeton një krizë brenda serisë së krizave. Si e tillë, kjo krizë është më e thellë sepse është, para së gjithash, krizë shpirtërore, e cila tejkalohet më me vështirësi. Do të na duhet shumë kohë për të tejkaluar këtë krizë, rrjedhojat e saj të shumanshme.

7- Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?

Unë e kam shumë të vështirë të jap këshilla, në një shoqëri “të bombarduar” nga inflacioni i këshillave, të cilat bien në veshë që nuk dëgjojnë. Por për të larë shpirtin tim unë po them diçka, që e quaj të pjesshme, të paplotë:
1- Gjithë shqiptarët në moshën e pjekurisë lipset të binden se shqiptarët dhe vetëm shqiptarët mund dhe duhet ta bëjnë Shqipërinë një nga vendet më të mrekullueshëm në botë.
2- Shqiptarët lipset të respektojnë me korrektësi maksimale djersën e ndershme të njëri-tjetrit, të krijojnë dhe të respektojnë hierarkinë e vlerave.
3- Për çdo problem të vështirë me të cilin ndeshen shqiptarët nuk duhet të trokasin në dyert e ambasadave të shteteve të tjerë, por në dyert e njëri-tjetrit, si vëllai te vëllai, si motra te motra.

8- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Janë disa:
1- Pa dyshim Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, heroi ynë që e ngriti më lart se malet tona më të larta dinjitetin e popullit shqiptar. Gjergj Kastrioti nuk ka qenë thjesht hero kombëtar, por një dukuri komplekse, deri më sot e eksploruar pak, në mënyrë krejt të sipërfaqshme. Ai nuk ishte vetëm vringëllimë shpate. Ai ishte mishërimi i virtyteve më të arrira të popullit shqiptar.
2- Naim Frashëri poeti klasik dhe modern në çdo kohë.
3- Gjergj Fishta. Njohës i thellë i konstruksionit shpirtëror të shqiptarëve, “gardian” i traditave më të vyera kulturore të popullit shqiptar.
4- Fan S. Noli. Mjeshtër i aliteracionit ose kompozitori më i shquar në pentagramin e fjalës politike shqipe, arkitekti virtuoz, i cili përmes përkthimeve çeli dritaret më funksionale të komunikimit të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqipe me disa nga gjuhët, letërsitë e kulturat më të përhapura në botë.
5- Mujo Ulqinaku. Zëdhënësi i parë i drejtpërdrejtë i shpërthimit të zemëratës së popullit shqiptar, të tokës shqiptare kundër metastazave të pushtimit fashist të Shqipërisë.
6- Vasil Laçi. Atentatori më rinor dhe më fisnik kundër çdo perandori pushtues në historinë e Luftës së Dytë Botërore.
7- Eqrem Çabej. Burri që u detyrua të flasë fare pak, por që shkroi shumë dhe me margaritarë për magjinë e gjuhës shqipe. Komunikoi pak sy në sy me bashkëkohësit, do të komunikojë gjatë me brezat në ardhmëri.
8- Mirash Ivanaj, ministri më i aftë dhe më idealist i shtetit shqiptar.
9- Ismail Kadare. Ambasadori më i madh i letërsisë, i kulturës shqiptare në të gjithë kontinentet. I vetmi që me fuqinë e artit të tij, ngriti në piedestalin më të lartë dinjitetin e popullit shqiptar. Një hero i dytë kombëtar i shqiptarëve, hero i luftës kundër tufanit të paragjykimeve që përçmojnë popullin shqiptar.

9- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratë janë liderët e sotëm politikë?

Ahmet Zogu ka qenë një monark pa rrënjë familjare mbretërore, një monark i zgjedhur nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë. Votimi për Ahmet Zogun Mbret në thelb shprehte kalimin e shtetit shqiptar nga Republika në Monarki. Ahmet Zogu nuk pati kohë të riformatohej si monark. Por ai gjithsesi kishte formatin e një burri shteti.
Enver Hoxha është politikani shqiptar që ka folur dhe është përbetuar publikisht për parimet marksiste-leniniste më shumë se çdo politikan tjetër shqiptar i rëndësisë së dorës së parë. Në real-politikën Enver Hoxha ka qenë politikani më pragmatik, i cili ka shkelur shpesh çdo parim në dobi të vendit të vet.
Drejtuesit politikë të ditëve tona, në radhë të parë, duhet të bëhen politikanë, sepse nuk kanë profil të plotë politikani. Ata ngjajnë më shumë si biznesmenë ose sekserë në politikë. Pasi të bëhen politikanë, ose pasi në skenën politike të vijë një brez i ri politikanësh, atëherë do të gjykojmë nëse do të jenë demokratë ose jo. Që të besojmë politikanët e sotëm është e nevojshme që ata, të paktën më kryesorët, të mbyllin karrierën politike.

10- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo pas-komunizëm?

Ende jemi në fazën e shkatërrimit të diktaturës totalitare, të regjimit socialist totalitar. Pasi të përfundojë një fazë e tillë do të fillojmë të ndërtojmë ngrehinën e rendit demokratik. Kjo është punë mjaft e vështirë, mjaft komplekse, është një sfidë e rëndë, përballimi i së cilës kërkon mençuri, durim, nerva çeliku dhe përpjekje të shumëfishta për të kuptuar dhe mirëkuptuar tjetrin, të tjerët ndryshe.

11- Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?

Është me fat që shqiptarët jetojnë në një territor, që është në një pozitë të tillë ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes. Profilet e modelimit psikokulturor të shumicës së shqiptarëve janë më shumë perëndimore se lindore. Por shqiptarët kanë përfituar shumë edhe nga vlerat më të arrira të kulturave lindore si përkushtimi më i spikatur i prindërve për fëmijët dhe anasjelltas, humanizmi kolektiv etj.

12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një qytetar evropian?

Ndoshta krahasimi duhet bërë me qytetarët evropiano-perëndimorë. Ndryshime të tilla lipsen parë në tre drejtime kryesore. Përgjithësisht qytetarët europerëndimorë janë më të përkushtuar ndaj punës, më të kalkuar në interesat e veta, më individualiste. Ndërkohë shqiptarët përgjithësisht më shumë ëndërrojnë për t’u pasuruar se punojnë për ta arritur këtë qëllim, janë të papërcaktuar qartë në interesat e tyre dhe ende humbin mjaft kohë me punët e të tjerëve ose me diskutime shterpë për to.

13- “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Besa nuk është vlerë kulturore e tejkaluar. Ajo vetëm është riformatuar. Besa tashmë është konvertuar në korrektësi të çdo shqiptari në marrëdhëniet e shumanshme me shqiptarët dhe me të tjerët. Në këtë aspekt shumica e shqiptarëve lipset të bëhen, si të thuash, më të besës, pra më korrektë në shumëçka.

14- Tirana, metropol apo fshat urban?

Mjaft pjesë të Tiranës, në aspektin arkitekturor mund të konsiderohen të tejurbanizuara. Shumë godina janë ndërtuar aq pranë saqë duket sikur “godasin me bërryla njëra-tjetrën”. Pak pjesë të Tiranës janë të arrira, të krahasueshme me mjedise më të arrira urbane të vendeve më të urbanizuara të Perëndimit. Ndërsa shumica e njerëzve që banojnë aktualisht në Tiranë dhe rrethanat e saj kanë mendësi fshatare. Brezi i parë i të ardhurve në Tiranë kanë më shumë mendësi fshatare se qytetare. Brezi i dytë i të lindurve në Tiranë nga brezi i prindërve të ardhur do të kenë më shumë mendësi qytetare se fshatare. Vetëm brezi i tretë do të jetë me mendësi qytetare. Dikush këtë diagramë të ndryshimit të mendësive do ta konsideronte pesimiste. Por, fatkeqësisht, përvoja e mjaft vendeve të urbanizuara të Perëndimit e vërteton këtë përfundim.

15- Çfarë është kombi për ju?

Kombi është familje e madhe e gjakut dhe e gjuhës së përbashkët, e limfës së traditave kulturore e historike të përbashkëta që ushqehen nga mëmëdheu ose dheu-mëmë i përbashkët.

16- Çfarë është familja për ju?

Oazi më i mirë i gjelbërimit të jetës, kështjella më e pamposhtur e mbrojtjes së jetës, ëndrra më e bukur e çdo njeriu, siguria për të ardhmen e çdo njeriu, të gjithë shoqërisë.

17- Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?

Shqipëria është vendi më i bukur në botë. I pasur dhe i bukur me shumëçka. Ndjehem shumë mirë që mëmëdheu im ka fytyrë kaq të bukur, në të cilën nuk mungon thuajse asgjë. Jashtë Shqipërisë përshtypje të veçantë më ka bërë Stambolli. Në të konceptohen shumë shtresëzime kulturore që nga antikiteti deri në ditët tona. Përveç kësaj, Stambolli merr dritë bukurie të veçantë nga deti që i ndan dhe i bashkon të dy pjesët: europiane dhe aziatike. Në këtë supermetropol gjigant më pëlqen të eci më këmbë. Po të kisha mundësi do të kisha “matur” me këmbë çdo pëllëmbë të Stambollit. Më duket se në çdo pjesë të bukur të tij ndjej frymëmarrjen e mijëra shqiptarëve të shquar që kanë kontribuar për shumëçka të mirë me këtë qytet, frymëmarrjen e rilindësve tanë të mëdhenj si: Sami Frashëri, Hoxha Tahsin, Naim Frashëri etj. Në madhështinë e Stambollit rilevohet qartë edhe madhështia e rilindësve tanë të mëdhenj.

18- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Shumë shqiptarë kanë përjetuar idhtësinë e paradokseve që u kanë helmuar jetën. Dhe unë kam patur një fat të tillë. Përfundova studimet e larta në korrik 1981. Kam qenë studenti i parë i Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës i dekoruar me “Medaljen e Artë”. Në çdo vend të botës, pavarësisht nga forma e regjimit, “Medalje e Artë” i çel portat e suksesit profesional çdo studenti. Ndërsa për mua “Medalja e artë” më vuri në listën e njerëzve më të rrezikuar. Këtë e kam kuptuar më vonë. Ta dija më parë se sa telashe do të më hapte “Medalja e Artë” nuk do ta kisha marrë kurrë. Të paktën këtë e kisha në dorë. Mjafton të merrja vetëm një notë më të ulët se nota 10. Pasi kuptova se “Medalja e Artë” më kishte çuar buzë humnerës nuk kam menduar më për kulme në karrierë. Jam përpjekur të shkruaj sa më shumë libra në shërbim të popullit tim pa kërkuar asgjë prej tij. E theksoj pa kërkuar asgjë prej tij.

19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Babai im Sherif Dervishi ka qenë një mësues idealist, i cili në moshën e adoleshencës derdhi gjak për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazist. Ai ishte i përkushtuar totalisht në shërbim të atdheut dhe veçanërisht të arsimit. Duke trashëguar këto “vese” të babait unë nuk mund të ndryshoj shpirtin tim idealist të pandreqshëm dhe përkushtimin tim ndaj arsimit. Çështje të tjera, të cilat unë i quaj më pak të rëndësishme mund t’i ndryshoj.

20- Cili është problemi më i rëndë nga pikëpamja sociologjike, e shoqërisë shqiptare të vitit 2013?

Zhbërja e sistemit të vlerave ose, më saktësisht, përmbysja e hierarkisë së vlerave, anarkia është kanceri që po e gërryen shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Aktualisht shoqëria shqiptare ngjan me një organizëm që i ka të shpërndara të gjithë organet e veta, pra i shpartalluar. Shqipëria i ngjan një anije që kalamendet pa busull në një det krejt të trazuar. Urojmë që dhe Shqipëria ta gjejë sa më shpejt busullën e vet orientuese dhe të shkojë drejt bregut të shpresave më të mira.

(start)

You must be logged in to post a comment Login