Zot dhe njeri (Nga një këndvështrim filozofik)

Universe_1024Zoti përsillej lirisht nëpër gjithësi. Por s’ishte i kënaqur. Copat e gjithësisë të përbëra prej lëndësh të ngurta, të lëngshme ose të gazta lëviznin pafundësisht por rregullisht. Megjithatë, tani për tani vetëm Ai vetë e dinte se ç’kishte bërë. Vetëm Zoti e dinte se ç’kishte bërë, sepse ai ishte e vetmja qenie e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme, që mendonte dhe gjykonte, që mund të krijonte dhe të prishte, të bënte dhe të çbënte. Natyrisht, të gjitha këto procese ishin në esencë të ndryshme me procese të ngjashme të kryera ose që mund të kryheshin nga qenie të tjera të krijuara gjer aty nga Ai vetë ose të menduara a të projektuara prej Tij.

Në këtë mënyrë, duke u përsjellur lirisht nëpër gjithësi, Zoti deshi të vërente edhe një lloj tjetër qeniesh që ndryshonin kryekëput nga këto të përmendurat gjer këtu. Ndërsa të parat ishin qenie jo të gjalla ose jogjallesa, këto të dytat zotëronin vetinë e së gjallës ose, e thënë ndryshe, Zoti i kishte pajisur me vetinë për të bërë lëvizje, veprime, ndryshime në vetveten e tyre edhe pa i shtyrë asgjë, prandaj Zoti i kishte menduar dhe krijuar si gallesa.

Me gjallesat, çështja kishte ndërruar kryekëput. Veprimet e tyre të karakterit të vetëlëvizshmërisë nuk ngjanin me të jogjallesave. Zoti e bënte një sustë çeliku të hapej e mbyllej duke ushtruar një lloj force mbi të, kurse një krimb lëvizte me lëvizje shtrirëse e mbledhëse, krejt si të sustës, me mundësitë e veta ose me cilësitë e veta, ndonëse jo me vullnetin e vet.

Ndërkaq, midis gjallesave dhe jogjallesave ishte shfaqur një veti që i ndryshonte ato esencialisht nga njëra-tjetra: vetia e të mirës dhe e të keqes si dhe, më e çmuara, vetia e qëllimit për t’i bërë mirë apo keq një individi të ngjashëm ose të klasës së vet.

Sido që të ishte, asnjë qenie, e gjallë ose jo e gjallë, nuk kishte aftësi njohëse, pra, nuk e njihte Zotin që e kishte krijuar. Fundja i gjithë ky pohim ishte një absurditet. Po atëherë, ç’duheshin gjithë këto, kujt do t’i duheshin?

Specialistët e tasavvufit ose mistikës islame patën thënë qysh në krye të herës se Allahu ose Zoti krijoi njeriun me qëllim që të njihej. Ja, ky ishte akti njohës e vetënjohës. Kështu, njeriu u bë qenia e vetme pas Zotit, i cili mundej ta kuptonte Zotin, mundej t’i kuptonte veprimet krijuese të tij, pasi njeriu ishte aq i mençur sa ta kuptonte se asgjë nuk mund të krijohej vetvetiu. Kështu, nuk mund të ndodhte që nga një copë guri të dilte vetvetiu një copë guri e mëvetësishme. Por nga një qenie tjetër e cila vërtet nuk përdridhet me lëvizje të dukshme si të krimbit, por bën lëvizje shumë, shumë të ngadalta, dilte vetvetiu një copë druri. Kështu rriteshin drurët, bimët.

Ndërkaq, jeta në gjithësi zhvillohej përmes dukurish gjeologjike e topografike, përmes tërmetesh, përmes prishjes së kontinenteve ekzistuese dhe formimit të kontinenteve të reja që ne na habisin sot duke na dhënë të kuptojmë se dikur kanë qenë një e tërë e bashkuar, pastaj është bërë një çarje dhe janë krijuar dy copa me ujë ose humnerë të thatë mes tyre.

E kështu, pas miliona e miliona vitesh, pas dhjetra epokash gjeografike e topografike, u krijua një klimë e përshtatshme për jetesën e njeriut.

Kur në një pjesë të botës me klimë mesdhetare të quajtur Greqi nisi të gjëllonte qenia njerëzore e quajtur grekët e lashtë, njeriu nisi të bëhej disi i vetëdijshëm se dikur, në kohë shumë të lashta, të parët e tij kishin nisur ta ndjenin atë fuqi e cila i përdorte si të donte, të cilën kishin nisur ta emërtonin me emra të çuditshëm dhe shpesh të frikshëm: zot, perëndi, fuqi e mbinatyrshme. Çdo fuqi e madhe, qoftë njeri, erë, stuhi, det, oqean, re, shfaqej në trajtë të frikshme duke e lënë njeriun të shtangur nga çudia para vetes. Atëherë, në vende të larta, në sheshe zotëruese, nisën të shfaqen dhe lartësohen tempujt kushtuar perëndive që njerëzit të kishin mundësi t’u luteshin apo t’u kërkonin falje. Ndërkaq, kur re të zeza e të dendura zbrisnin mbi tempujt duke i rrethuar në mënyrë të frikshme me shpërthime vetëtimash e shtrëngatash, njeriu pandehte se aksh perëndi ishte zemëruar keqas dhe priste mallkimin e saj. Kështu, në truallin e pafund të jetës mbi tokë u shfaq një forcë e re: mallkimi i perëndive. Por shpesh perënditë edhe zbuteshin, edhe falnin, edhe shpërblenin duke shfaqur një ndjenjë të re: mirësinë. Perënditë s’kishin nevojë, prandaj ishin aq bujare! Ndodhte që perëndia i të lashtave të shkatërronte hapësira të pafund të lashtash si mallkim dhe ndëshkim, por ndodhte edhe që të bënte të mbretëronte në tërë ato hapësira një begati e pamatë!

Dhe kështu njeriu mësoi të kuptojë ç’ishte mirësia, ç’ishte drejtësia. Kur grekët e vjetër por të kultivuar mësuan se krahas së keqes ekzistonte edhe e mira dhe kjo e mirë ishte falas, e kuptuan se shoqërinë e tyre mund ta organizonin duke e gjetur, përdorur dhe kultivuar mirësinë falas, pa shpenzim, pa kushtim dhe kësaj ata i thanë demokraci, se ishte për demosin. Nëse në forumin e qytetit mblidheshin për të shkëmbyer mendime, dhe nëse aty dikush mendonte dhe u propozonte mirësi të ndryshme, askush nuk dyshonte për qëllimin e folësve apo të pushtetarëve të shfaqur tani si klasë udhëheqësish. Gjer aty, të gjitha vlerat i zotëronin perënditë, kështu askush nuk dyshonte ende për intrigën. Por ja: mes njerëzve ishte shfaqur intriga si formë e së keqes, si formë e hapur ose e maskuar e padrejtësisë që bartte vetëm të keqen, pavarësisht nga fjalë të bukura. Dhe njerëzit e humbën besimin në drejtësi dhe demokraci, se ato s’ishin më në dorë të perëndive apo edhe të një zoti të vetëm. Njerëzit e kuptuan se duke patur shumë perëndi, ato nuk arrinin të merreshin vesh, prandaj e humbën zotërimin mbi drejtësinë dhe mirësinë. Njerëzit arritën ta kuptonin se ekzistonte vetëm një Zot që përpiqej t’i edukonte njerëzit me besimin mbi një Zot. Mirëpo njerëzit që i humbën privilegjet e zotërimit të së mirës dhe ndëshkimit të kërkesës së të tjerëve për drejtësi dhe demokraci, nxorën në shesh luftërat. Tashmë s’kishte më qetësi, drejtësi dhe demokraci. Çdo gjë ishte gënjeshtër dhe hipokrizi. Kishte njerëz që predikonin demokracinë dhe dridheshin nga emocionet, por nëse pikëmbështetja e tyre ishte e keqja, predikimet e tyre ishin vetëm gënjeshtër dhe mashtrim!

Qysh grekët e lashtë e bënë hapin më serioz për t’u barazuar me Zotin. Ata thoshin: Vetëm dy qenie në gjithësi janë të afta për të krijuar vlera: Zoti dhe njeriu. Ashtu mendojnë edhe sot kur thonë: Shkencëtarët krijuan një robot që mund të bëjë…

Po si? Nga hiçi apo duke marrë ndonjë shembull? E, pra, Zoti krijon pa marrë shembull, pa marrë detale të gatshme, kurse njeriu kopjon, njeriu bën, nuk krijon…

Ja se si njeriu e spostoi Zotin nga piedestali i vet, se si njeriu u bë aq i fuqishëm, sa për të pretenduar ta mashtronte Zotin duke e shtënë në dorë drejtësinë dhe demokracinë. Po Zoti ç’bën? Ai ua ka lënë në dorë atyre ta zgjidhin këtë çështje duke i vënë para një prove të vështirë, meqë tregohen kaq të aftë… Megjithatë, ky është një iluzion. Zoti nuk ka lëvizur aspak nga piedestali i vet. Ata njerëz që paraqiten si të shenjtë, gënjejnë. E shohim se si njeriu prej eshtrash, mishi dhe gjaku, del prej eshtrash, mishi dhe gjaku dhe shkon, së fundi, në tokë. Pa asnjë mundësi tjetër. Ai s’mund të jetë i shenjtë, i pavdekshëm!

Nga Mithat Hoxha

/Drita Islame/

 

 

 

You must be logged in to post a comment Login