Zhvillohet simpoziumi “Liria e besimit, e drejtë universale”

Me rastin e 27 vjetorit të zhvillimit të ceremonisë së parë islame në vigjilje të rënies së sistemit komunist në vendin tonë, Departamenti i Shkencave Islame organizoi një aktivitet kushtuar kësaj dite të rëndësishme historike.

Data 16 nëntor e vitit 1990, shënon një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë besimtarët shqiptarë, si rihapja e xhamisë së parë pas shumë vitesh privimi nga liria e besimit. Në këtë ditë, H. Hafiz Sabri Koçi mbajti dhe fjalimin e parë në faljen e xhumasë, para mijëra të pranishmëve, duke u kthyer në një datë historike për mbarë shqiptarët.

Ky aktivitet përbëhej nga simpoziumi me temë “Liria e besimit, e drejtë universale”, ku referuan studentë të Departamentit të Shkencave Islame, si dhe nga shfaqja e dokumentarit “H. Hafiz Sabri Koçi, pishtar i lirisë së besimit”.

Aktiviteti i moderuar nga studentja e Shkencave Islame, Zerina Kupe, u hap me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba. Më pas përshëndeti Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. asoc. dr. Rahim Ombashi, i cili theksoi se kjo është një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, sepse falë asaj dite u hap porta drejt besimit.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar ishte edhe nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se, falë kontributit të H. Hafiz Sabri Koçit në këtë ditë, u hapën dyert e shpirtit, dyert e gëzimit, që njerëzve t’u kthehej liria e besimit.

Pas tyre kumtesat e simpoziumit u mbajtën nga studentët e Shkencave Islame, Sonila Habili dhe Haki Sahitaj, të cilët referuan në lidhje me jetën dhe veprën e H. Hafiz Sabri Koçit dhe konceptet rreth lirisë së besimit.

Në përfundim, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame dhe Msc. Veton Tulla, lektor në këtë departament, shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes për referuesit e këtij simpoziumi.

16 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login