Zhvillohet seminari “Kur librat flasin”

Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi “Mesazhi i Jetës” kanë rinisur ciklin e aktiviteteve dhe seminareve “Kur librat flasin”, me qëllim analizimin e librave të autorëve të ndryshëm me studiues, pedagogë, shkrimtarë dhe akademikë të ndryshëm. Kështu ditën e sotme, më 2 nëntor 2017, në ambientet e bibliotekës së Kolegjit Universitar “Bedër” është zhvilluar seminari “Kur librat flasin”, me të ftuar shkrimtarin, studiuesin dhe pedagogun Doc. Dr. Agron Tufa, i cili ka diskutuar dhe bashkëbiseduar me studentët rreth librit “A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar”, me autor H. Ali Kraja, një prej personaliteteve më të shquara shqiptare të kulturës islame gjatë shekullit XX. Ky libër është botuar për herë të parë në vitin 1934, duke u pasuar me disa ribotime, si nё Shqipëri, Kosovё, Maqedoni, SHBA, dhe prej disa herësh nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Aktiviteti fillimisht u hap nga kryetari i klubit “Mesazhi i Jetës”, studenti Haki Sahitaj, ku falënderoi pedagogët dhe studentët për pjesëmarrjen dhe më pas fjalën e morën dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Rahim Ombashi dhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, të cilët i njohën studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë, si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë, duke i zhvilluar këto aktivitete, si panele bashkëbisedimi dhe diskutimi rreth veprave dhe librave të ndryshëm të prijësve më të shquar të Islamit në Shqipëri. Pas përshëndetjeve, i ftuari i këtij aktiviteti Doc. Dr. Tufa bëri një analizë të hollësishme të librit, duke e vlerësuar H. Ali Krajën dhe personalitetin e tij, si një figurë të shquar dhe të pastudiuar mirë, si dhe ka vënë theksin rreth nevojës për njohjen e opinionit publik me dijetarë të tillë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare me kontributin e tyre sipas binomit “për fe e atdhe”. Dr. Tufa ndër të tjera tha se, “Hafiz Ali Kraja ishte një nga figurat kyçe e moderatore të elitës intelektuale islame. Ideali i tij ishte të shihte një shoqëri harmonike të bazuar te respekti për besimin e njëri-tjetrit dhe se vetëm mbi themelet e harmonisë fetare mund të shpresohej përparimi shoqëror, njeriu cilësisht etik, suksesi i tij me bazë etike, me një botë shpirtërore të pasur, të ndriçuar duke eliminuar konfliktet me besimin e tij tek Zoti.” Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Rahim Ombashi, drejtori i Kulturës në KMSH z. Dorian Demetja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, pedagogë të Shkencave Islame z. Veton Tulla, Dr. Adil Kutlu, dhe studentë të këtij departamenti. E veçanta e këtij aktiviteti ishte dhe pjesëmarrja e djalit të H. Ali Krajës z. Mehdi Kraja, i cili ndau me të pranishmit mbresa dhe kujtime prekëse nga H. Ali Kraja. Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do t’i njohin studentët me tituj të shumtë librash të autorëve të ndryshëm.

2 nëntor 2017

You must be logged in to post a comment Login