Zhvillohet programi artistik “Ramazani mes nesh”

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me klubet studentore “Mesazhi i Jetës” dhe ai i “Artit dhe Muzikës” organizuan më 9 qershor 2017, programin artistik me titull: “Ramazani mes nesh”.

Programi u çel me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas vijoi me një dokumentar të shkurtër, prodhim i KMSH-së lidhur me muajin e bekuar të Ramazanit.

Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame mbajti fjalën e tij përshëndetëse, për t’ia lënë fjalën më pas nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili foli rreth vlerës dhe dobive shpirtërore e fizike të agjërimit.

Më pas aktiviteti vijoi me një poezi kushtuar Profetit Muhamed (a.s.), e cila u recitua nga studentja Hafsa Destani. Programi ishte i shoqëruar edhe me disa ilahi të kënduara nga studentët Abdullah Ziba, Fatjon Shemshedini dhe Elton Cara.

Në mbyllje studentët e shkencave islame zhvilluan një aktrim rreth atmosferës së Ramazanit në familjet tona, energjitë pozitive dhe forcën që përcjell te ne agjërimi, duke i dhënë audiencës një mesazh mbi vlerën e këtij muaji.

Të pranishëm në këtë program ishin Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Drejtori i Medias dhe Kulturës pranë KMSH-së, z. Agron Hoxha, dekani i studentëve z. Kasim Ilhan, anëtarë të stafit akademik dhe studentë.

You must be logged in to post a comment Login