Zhvillohet Konferenca e I-rë Studentore në Shkencat Islame

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër” ka zhvilluar Konferencën e I-rë Studentore “Mendimi Islam tek dijetarët shqiptarë”.

Aktiviteti fillimisht është hapur me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas është transmetuar dokumentari “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”.

Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame dhe më pas kanë përshëndetur konferencën Prof. dr. Ferdinand Gjana, rektor i KU Bedër dhe H. Skender Bruçaj, kryetar i KMSH-së.

Në këtë konferencë ishin gjithashtu të pranishëm dekani i Fakultetit të Filologjikut në Bedër Prof. Asoc. Rahim Ombashi, pedagogë të universitetit, drejtori i Kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja, drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, z. Agron Hoxha, si dhe studentë të Bedrit.

Ky aktivitet i studiuesve të rinj, organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në Bedër, konsistoi në referimin e një sërë tematikash të ndryshme nga vetë studentët rreth mendimit islam te dijetarët shqiptarë ndër vite.

Dy seancat e referimeve kanë vazhduar me kumtesat e nëntë studentëve me tematika dhe analiza interesante rreth librave dhe veprave të dijetarëve myslimanë shqiptarë.

Studentët që referuan dhe temat e tyre ishin:

  1. Sefer Vrana – Analizë e veprës “Bolshevizma, a çkatërrimi i njerëzimit” me autor H. Ali Korça
  2. Lorela Sula – H. Ismet Dibra në Kolanën “Zani i Naltë”
  3. Aorel Senja – Ç’urdhnon Kurani, H. Vehbi Dibra
  4. Armir Jangulli – Analizë e veprës “A duhet Feja, a pengon bashkimin kombëtar” me autor H. Ali Kraja
  5. Abdullah Bulku – H. Ibrahim Dalliu, Analizë e veprës së pabotuar të H. Ibrahim Dalliut “Nji andërr e imja”
  6. Migena Jani – H. Ali Kraja, analizë e veprës së tij
  7. Haki Sahitaj – Analizë e veprës “Qytetërimi Islam” me autor Sami Frashërin
  8. Uliks Nipolli – Analizë e veprës së Hasan Tahsinit
  9. Albi Hoxha – vepra “Rubaijjat” e H. Ali Korçës.

Në mbyllje të konferencës për referuesit u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje, dorëzuar nga stafi i Departamentit të Shkencave Islame.

Gjatë këtij aktiviteti ishte e hapur gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”, si dhe një stand me librat e dijetarëve myslimanë shqiptarë, botime të KMSH-së.

6 prill 2017

You must be logged in to post a comment Login