Xhamia më e vjetër në Bosnje drejt rindërtimit

bosnje, xhamiNjë ndër godinat e regjistruara kohë më parë si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në listën e organizatës së UNESCO-s, ka qenë dhe xhamia e Ferhat Pashës në qytetin e Banja Lukës, në Bosnje.

Në vitin 1993 forcat serbe e bombarduan xhaminë në fjalë dhe e shkatërruan atë totalisht. Barbaria e tyre nuk u ndal me kaq, por edhe gurët e xhamisë i shkulën nga vendi dhe i hodhën sa në pikat e grumbullimit të plehrave sa në lumin Ferbas. Sakaq, vendi ku ngrihej xhamia më parë u shndërrua në një parkim makinash.

Sot, kur kanë kaluar 21 vite nga shkatërrimi i xhamisë, po bëhen përpjekje për ta rikthyer aty ku ka qenë, të paktën pjesërisht. Koordinatori i punimeve për rindërtimin e xhamisë, Arman Dendo, pohon se janë gjetur 60% e gurëve të xhamisë. Puna për kërkimin e gurëve është fokusuar te vendi i grumbullimit të plehrave, si dhe në lumin e lartpërmendur nga ku gurët nxirren nga polumbarët.

Fatmirësisht është gjetur dhe projekti i xhamisë, i cili ishte në Sarajevë. Identiteti i arkitektit të kësaj xhamie vazhdon të mbetet anonim, por ekspertët pohojnë se duhet të ketë qenë një nga nxënësit e arkitekt Sinanit, njërit prej arkitektëve më të famshëm osmanë, i cili u ka shërbyer katër sulltanëve në shekullin e 16.

Shkatërrimi i xhamisë

Krahas xhamisë në fjalë, qe prishur dhe xhamia Arnautja, bashkë me 14 faltore islame të Banja Lukës, kullën e sahatit dhe një sërë shtëpish me arkitekturë islame tradicionale.

Në vitin 2001, teksa po zhvilloheshin punime mbi planimetrinë e xhamisë Ferhat Pasha, ekipi i punimeve u surprizua kur zbuloi se themelet e xhamisë ngriheshin mbi shtylla druri.

Ata që kishin ndërtuar xhaminë, mesa duket nuk kanë pasur besim te shtresa nën sipërfaqen e tokës, prandaj e kanë pajisur me shtylla druri për të garantuar qëndrueshmërinë e saj. Besohet se janë këto shtylla ato që e kanë shpëtuar xhaminë nga shembja.

Fondet për rindërtimin e xhamisë kanë si burim kryesor Turqinë, ndërkohë që kanë kontribuar dhe Gjermania dhe Spanja.

You must be logged in to post a comment Login