Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë

drita-islame-58-33

Ndodhet në qendër të qytetit me Kullën e Sahatit pranë. Dikur ajo bënte pjesë në kompleksin e ndërtimeve të qendrës së qytetit. Përballë saj ndodhej pazari, më në lindje xhamia e Sulejman Pashës (viti 1614) me banjën pranë, dhe në veriperëndim, xhamia e Karapicëve.

Tirana përmendet së pari në shek. XV gjatë luftërave të Skënderbeut me osmanët. Në vitin 1614 feudali me origjinë nga Mulleti, fshat në jug të qytetit, Sulejman Pashë Bargjini, ndërtoi xhaminë, një hamam dhe imaretin, duke i dhënë vendbanimit të ri statutin e qytetit (kasaba). Tiranën e sapothemeluar, që atë kohë varej nga Sanxhaku i Ohrit, e vizitoi dhe Çelebiu, i cili na kumton vetëm se qyteti kishte shumë xhami, hamame, rrugë tregtare e të tjera. Por Çelebiu thotë se qyteti ishte qendër e një kadiu, për çka Kiel na thotë që nuk ka qenë e vërtetë gjatë shek. XVII-XVIII[1]. Gjatë shek. XIX qyteti njeh lulëzim të madh dhe në të ndërtohet nga Molla Beu dhe biri i tij, Et’hem Beu, xhamia dhe në Tiranë vendoset familja e fuqishme e Toptanasve.

Xhamia së bashku me kullën e sahatit përbëjnë një kompleks me mjaft vlerë. Për ndërtimin e saj ruhen disa mbishkrime nga ku mësojmë se xhamia ka filluar të ndërtohet në vitin 1793-94 (1208 h) prej Molla Beut nga Petrela dhe u mbarua në vitin 1821, nga djali i tij Haxhi Et’hem Beu. Nga mbishkrimet del qartë se Molla Beu arriti të përfundojë kupolën sipas formave tradicionale të xhamive të tjera të trevave shqiptare, ndërsa i biri përfundoi punimet në vitin 1823 (1236 h) duke ndërtuar portikun, minaren dhe pikturat.

Në pikëpamje të arkitekturës xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Salla e lutjeve është në plan një katror, me brinjë 10,50 x 10,45 m kurse në ndërtimin vëllimor, salla e lutjeve përbëhet nga një kub që mbulohet me kupolë, dhe ngrihet mbi të nëpërmjet trompave në qoshet. Brendësia ndriçohet nga pesë dritare në secilën faqe, të vendosura në tri radhë; nga dy në rreshtat e poshtëm dhe një në të sipërmin. Dritaret e radhës së poshtme janë drejtkëndëshe, me shpatulla dhe arkitrarë prej gurësh të gdhendur e të profilizuar. Pragu i tyre është i gdhendur, por i pa profiluar. Dritaret janë pak në brendësi të murit dhe krijojnë një shkallëzim që vijon dhe sipër, në formë harku të mprehtë prej gurësh të gdhendur. Dritaret e sipërme janë të mbuluara me hark të mprehtë prej gurësh, që në anën e sipërme ka formë fundlundre, ndërsa dritaret e rreshtit të tretë janë të mbuluara me hark rrethor.

Përballë hyrjes ndodhet mihrabi, në pjesën e sipërme gjysmëkonike i punuar si një nike e thelluar dhe me zbukurime në formë stalaktitesh. Anash tij është minberi prej strukturash druri, të pikturuar me motive bimore. Po prej druri dhe njëlloj i zbukuruar është dhe mafili-ballkon në anën e hyrjes, ku shkohet nëpërmjet minares.

Pjesa e sipërme e faqeve anësore të sallës përfundon me harqe të mprehtë, që vazhdojnë në ato të trompave, duke i përmbyllur jo në mënyrë të prerë, por krijojnë një kalim të qetë të shikimi nga to në kupolë. Harqet theksohen edhe nga zbukurimet e pikturës murale. Një kornizë krijohet aty ku fillon kupola, e cila e zotëron qetë vëllimin e kubit nën të. Të tri pjesët përbërëse të xhamisë; salla e lutjeve, portiku dhe minarja janë të lidhura organikisht. Megjithatë, vërejmë një pavarësi në drejtim të pamjes arkitekturore, që mendojmë se ka ardhur prej ndërprerjes në kohë të ndërtimit të xhamisë.

Vëllimi i sallës së lutjeve, mbuluar me kupolë në anën e jashtme, përbëhet prej dy pjesësh. Pjesa kubike, deri në fillimin e kupolës, është me faqe të rrafshëta e të suvatuara dhe ka vetëm qoshet me gurë të gdhendur. Muret janë të ndërtuara me gurë lumi dhe janë të suvatuar. Këto faqe të rrafshëta përfundojnë me një kornizë të lehtë prej rrasash guri. Mbi këtë vëllim kubik, nëpërmjet një ngushtimi, ngrihet tamburi i ulët tetëfaqësh, me kupolën. Në këndet që formohen kemi çati trekëndëshe të ulëta anash.

Një vend të rëndësishëm në formulimin arkitektonik të xhamive, si ajo e Et’hem Beut, zë portiku që ka shërbyer për krijimin e një ambienti shtesë për falje. Ndryshe nga zgjidhjet e njohura, ku portiku zë gjithë ballin e ndërtesës dhe minaren, këtu ai qarkon sallën e lutjeve nga dy anët, duke pasur mihrabin e dytë në murin që mbyll nga jugu portikun. Anash tij janë nga dy dritare të vendosura njëra mbi tjetrën.

Duke pasur parasysh nivelin në të cilin ndodhen këto dritare, format, materialet me të cilat janë ndërtuar, dhe faktin që shpatulla e dritares së poshtme, së bashku me thembrën e harkut që e mbulon, janë në murin e sallës, arrijmë në përfundimin se muri fundor i portikut është ndërtuar njëherësh me sallën e lutjeve dhe se portiku bënte pjesë në projektin fillestar të xhamisë.

Portiku në plan ka formën e shkronjës “L”, i hapur në tri anët me arkada mbi kolona, të cilat, në kontaktet me muret, janë gjysmëkolona. Hyrja në portik bëhet me disa këmbë shkalle dhe është në nivelin e dyshemesë së sallës së lutjeve, me të cilën lidhet me një korridor. Dyshemeja e portikut është në nivel më të lartë ndaj rrugëve dhe sheshit pranë. Portiku, që dikur ka qenë me gurë lumi dhe i suvatuar, ngrihet mbi një xokolaturë të lartë. Veshja e sotme me gurë të skuadruar është shtesë e vonë (viti 1940).

Krahu lindor i portikut, nga jugu, kufizohet me murin që ka në qendër mihrabin. Muri, në një distancë të vogël, vazhdon dhe në anën lindore dhe më tej, me arkadën, e cila përbëhet nga shtatë harqe gjysmërrethi, që në murin nga jugu mbështeten në shtatë kolona dhe një pilastër me prerje gjysmërrethi. Kolonat ngrihen mbi një bazë guri një cope, të përbërë nga jastëku paralelopipedik dhe pjesa me kalime të lakuara që e lidh me kolonën. Kolonat janë një copë prej guri gëlqeror. Mbi to mbështeten kapitelet dhe jataku dhe janë të zbukuruar me motive bimore; gjethe dhe degë, të ndërthurura trupit në reliev, gati të plotë. Jastëkët kanë një dekor më të thjeshtë.

Arkada perëndimore ka vetëm tre harqe mbi kolona. Arkada veriore, është balli i hyrjes për në portik; ka katër hapësira të harkuara dhe portalin e hyrjes. Portali është vendosur në një drejtim me hyrjen për në sallën e lutjeve, pra kemi të bëjmë me një vendosje aritmetike. Harqet e arkadës janë më të mëdhenj se të tjerët, ngaqë arkadat janë të ngritura mbi një bazament të ndërtuar më përpara.

Portali i hyrjes është mbi një mur të rrafshët, dhe ndërpret arkadën që mbështetet në dy gjysmëkolona. Muri i portalit është i punuar me gurë të gdhendur vetëm deri në nivelin e kapiteleve, mbi të cilin, brenda një nike e harkuar, është pllaka me mbishkrimin ndërtimor. Trajtimi arkitekturor i murit, përmasat dhe trajtimi i portës me niken mbi të, nuk ulin vlerat estetike të arkadës dhe nuk dëmtojnë idenë e vazhdimësisë së saj përgjatë brinjëve të portikut.

Portiku mbulohet me çati me katër kullime uji, me konstruksion vendi, të fshehur nga tavani i rrafshët. Çatia, bashkë me portikun, i takon mjeshtreve të përdorur nga Haxhi Et’hem Beu, siç mësojmë nga mbishkrimi. Por, duke u nisur nga lidhja e murit jugor me sallën e lutjeve, ndërtimi i bazamentit me gurë lumi, rrasat e gurit të lëna nën çati në faqet veriore e lindore, bindemi se portiku ishte dhe në idenë e ndërtuesve të Molla Beut, të cilët, sipas mbishkrimit, arritën ta përfundonin kupolën. Në nuk mund të shprehemi për formën e portikut në projektin e Molla Beut, nëse ishte mbi shtylla druri, si zakonisht në atë kohë, apo mbi arkitra guri. Sidoqoftë, ndërprerja e ndërtimit të xhamisë, shpjegohet në luftërat ndërmjet sundimtarit të Tiranës, Kapllan Pashës, dhe sundimtarëve të Shkodrës, në fillimin e shek. XIX.

H. Et’hem Beut dhe mjeshtërve ndërtues, veç portikut, i takon edhe minarja e ndërtuar me gurë të gdhendur të së njëjtës gurore. Minarja ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe lidhet me të në dy nivele; me dyshemenë e sallës dhe të mafilit. Bazamenti i minares është me prerje drejtkëndore, duke u ngritur në lartësi deri në nivelin e çatisë trekëndëshe, në këndin veriperëndimor të vëllimit kubik, e duke përfunduar në një kornizë të lehtë gurësh të rrafshët. Më tej, minarja vijon me një trung piramide shumëfaqëshe, ku, në secilën faqe, janë gdhendur lehtë trekëndësha. Mbi këtë, pas një kornize, fillon trupi i minares, i cili shkon deri te kazani duke u ngushtuar lehtazi. Trupi i minares është shumëfaqësh, në formë kanelyrash. Mbi trupin vijon kazani i punuar hijshëm, me gurë të profiluar, me formë të dallueshme qartë nga kazanët e minareve të shek. XV-XVI të vendit tonë. Mbi të vjen pjesa e sipërme mbuluar me çati konike mbi strukturë druri. Me interes janë dhe gurët prej mermeri, të zbukuruar me motive bimore të stilizuara, që janë murosur në bazamentin e minares.

Me përfundimin e ndërtimit, në vitin 1820-1821 (1236 h), siç mësojmë nga mbishkrimet, bëhet edhe pikturimi i ndërtesës brenda dhe jashtë, ndërsa pikturimi i arkadës, është realizuar në vitin 1823 (1238 h), siç tregon mbishkrimi pranë portës së jashtme.

Xhamia e Haxhi Et’hem Beut, në brendësi, karakterizohet nga vëllimi unik i kubit me kupolë, i ndriçuar bollshëm nga dritaret. Vëllimet e dy pjesëve janë të baraspeshuara dhe me kalim të qetë te njëra-tjetra, nëpërmjet trompave në qoshet dhe vijimet përgjatë mureve me harqe të mprehtë. Për këtë ndihmon piktura murale e kupolës dhe e pjesës së sipërme të mureve, që njëherazi, i njëson dhe dallon këto pjesë. Zbukurimet e përmbajtura të brendësisë, përmasat e minberit dhe mafilit bëjnë që hapësira e brendshme të jetë intime dhe e ngrohtë për shikuesin. Si në gjithë xhamitë e tjera, ka një përputhje të brendësisë me anën e jashtme, edhe pse shkak të portikut ka pamje të ndryshme nga pika të ndryshme shikimi. Lëvizja e shikimit kalon nga portiku te vëllimi me kupolë e përfundon me minaren me një kalim gjithnjë në ngritje. Një element me vlerë përbën dhe portiku, me përmasat dhe përpjesëtimet e arritura dhe i ngritur mbi një bazament të lartë. Po kështu dhe minarja, me siluetën e saj të hijshme dhe dinamike. Të gjitha këto krijojnë një tërësi në ekuilibër të plotë të vëllimeve të tyre me njëra-tjetrën.[2]

Aleksandër Meksi

———————————————————————————-

[1] Evlia Çelebi.., 27, M. Kiel, Ottoman.., 249-259.

[2] Marrë me shkurtime nga libri “Xhamitë e Shqipërisë, historia, arkitektura, shek. XV-XIX.

You must be logged in to post a comment Login