Xhami e re në Limjan të Dibrës

xhamia e re - limjan

Më 7 korrik 2013, në prani të banorëve të fshatit Limjan, burra e gra, të rinj e të reja dhe fëmijë, në një atmosferë të plotë festive, u zhvillua ceremonia e përurimit të xhamisë së re. Ndërtimi i saj filloi vetëm një muaj më parë. Kishte kohë që imami i fshatit, Mexhid Shehu, kishte trokitur në dyer shoqatash që ndërtojnë xhami. Për arsye të ndryshme nuk qe pranuar kërkesa e tij. Xhamia e vjetër e ndërtuar në vitin 1724, rreth 300 vjet më parë e me mure prej qerpiçi (plisa), po shembej. Ajo ishte ndërtuar mbi themelet e një xhamie akoma më të vjetër e që tani mund të numëronte 400 vjet.

Musa Rriçku, ish banor i këtij fshati dhe tani banor i Tiranës, bën një vizitë në fshat. Kur sheh xhaminë në gjendje shembjeje, i duket sikur tërë fshati po rrëzohej, andaj bisedon me imamin e i premton ndërtimin e një xhamie të re. Po në atë vend shumë shpejt nis puna. Dërgon një grup specialistësh, të cilët shembin muret e vjetra, nis gërmimi i themeleve të reja për xhaminë e re. Pa u mbushur muaji, më 7 korrik 2013, dy ditë para fillimit të agjërimit të Ramazanit, u inaugurua xhamia e re. Musai gjatë gjithë muajit jetoi në fshatin e tij për të ndjekur punimet. Ai shijoi ëmbëlsinë e ujit të ftohtë, të hijeve të freskëta dhe të muhabetit e respektit me tërë fshatarët. Në ambientet e jashtme të xhamisë që në mëngjes filloi festa. Gëzonte i tërë fshati. Lodra, që dikur kishte thirrur e mbledhur banorë e miq të fshatit për dasma, lodra, që dikur kishte mbledhur banorët e fshatit për t’i dalë zot vendit të tyre e për pajtim gjaqesh, lodra, që i kishte lajmëruar këta malësorë për t’u ngritur në syfyr apo për mbarimin e kohës së agjërimit, atë ditë i ftonte në festën mbarë popullore, në festën e inaugurimit të xhamisë së re, të cilën e ndërtonte banori i këtij fshati, Musa Rriçku. Sheshi u mbush shumë shpejt. Të tërë ishin të gëzuar, buzëqeshnin e uronin me gjithë zemër: “Gëzuar xhaminë e re!”, kurse Musait i thonin “Faleminderit. Zoti të shpërbleftë!”. Xhamia e re në atë shesh të rrethuar me gjelbërim e të mbushur me banorët e fshatit dhe mysafirë të shumtë nga Tirana, Gostivari e fshatrat përreth, rrezatonte dritë, kënaqësi e krenari dhe, i ftonte e do të ftonte brezat në të ardhmen për dije, për punë të mira e të dobishme, thërriste për bashkëjetesë, respekt e ndihmë për njëri-tjetrin. Të tërë ishin të gëzuar, u qeshnin sytë dhe pamja e tyre e gëzuar pasqyrohej në mure dhe në brendësinë e xhamisë, e cila ua kthente kënaqësinë përsëri në zemrat e tyre. Tani xhamia e re e zbukuron më tej sheshin, i cili freskohet me ujin e kulluar që udhëton nga rrafshet e Korabit për t’u dhënë shëndet e begati këtyre banorëve, që kurrë nuk janë ndarë nga rruga e Zotit. Puna e kujdesshme dhe materialet cilësore të përdorura për ndërtim, shtojnë më tej kureshtjen e çdo njeriu që futet brenda në ambientet e xhamisë. Ajo është e bollshme, vendi i grave është i ndarë, ndërsa tavani dhe dyshemeja janë të shtruara me dërrasë pishe- zonjë e këtyre maleve, u zgjeron mushkëritë e u jep kënaqësi të veçantë atyre që kryejnë shërbesat fetare dhe bëjnë vizita në këtë xhami.

Pas inaugurimit, ku përshëndetën imami i fshatit Mexhid Shehu e kuadro të tjerë fetarë, përgëzoi në emër të familjes Musa Rriçku, i cili nuk la pa përmendur një mesazh të fuqishëm: “Në këtë fshat ka patur një mejtep, ku tërë fëmijët e fshatit mësonin për fenë Islame, për moralin Islam, për edukatën Islame e, prandaj, banorët e fshatit shquheshin për një bashkëjetesë shembullore në fshat e më tej. Mejtepi drejtohej nga imami. Xhamia ishte shkolla. Atje është mësuar edhe alfabeti shqip e janë marrë njohuri të tjera. Mesazhi im – tha Musai, është: Vazhdoni traditën, mësoni fëmijët me dije fetare islame, se kështu do t’i bëni të lumtur fëmijët dhe veten tuaj! Këto mësime do të krijojnë bindje te brezat e rinj për të vazhduar shkollat, për të marrë dije pa kufij dhe për të qenë njerëz të mirë”.

Pas inaugurimit festa vazhdoi në shtëpinë e Musait, ishin të mbushura disa dhoma me burra dhe të tjera me gra. Në konak u diskutuan probleme fetare për agjërimin, zekatin dhe, në veçanti, sadakanë rrjedhëse, ku Profeti sjell mesazhin e fuqishëm “Ai që mbjell një pemë, ndërton një çezmë, hap një rrugë të re për lëvizjen e lirshme të njerëzve, kush le një fëmijë të edukuar mirë, apo një libër të vlefshëm, shpërblimi i Allahut për atë njeri vazhdon në këtë jetë e në jetën tjetër, vazhdon të rritet sa kohë që këto vepra u shërbejnë njerëzve dhe tërë qenieve të gjalla”. Fshati pritet të gëzojë edhe hapjen e dy rrugëve të reja që hyjnë në këtë fshat, për t’u sjellë banorëve lehtësi e mirësi.

Në konak u bisedua edhe për të kaluarën, si për imamët: Sheh Musa, Sheh Ismaili, Sheh Shabani, Hajriu, Ibrahimi, Rexhepi, Zabiti, Besniku etj., të cilët shërbyen në fshatrat e Çidhnës, Fushë Alies, Sllovës, Kastriotit etj., shumë të respektuar nga i gjithë populli, që dhanë kontribut të çmuar për bashkëjetesën, për pajtim gjaqesh, për arsimimin e fëmijëve, për luftën kundër të keqes. Edhe në periudha kur nuk kishte shtet, fjala e tyre ishte udhëheqëse në jetë e popullit dibran.

Xhamia e re e Limjanit është e pesëdhjeta e ndërtuar në 17 vitet e fundit. Thuajse të gjitha xhamitë janë ndërtuar me kontributin e popullit dibran. Pas pak ditësh do të inaugurohet edhe një tjetër xhami e re në fshatin Kandërr. Ajo është filluar para 10 vjetësh. Për suvatimin, ndërtimin e ambienteve të tjera, çatinë e të tjera, kontribuoi Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, e drejtuar nga dr. Ramiz Zeka. Tokën e kësaj xhamie e dhuroi ish kryetari i shoqatës së Muslimanëve të Amerikës, Abdulla Kaloshi – dikur banor i fshatit të Kandrrit.

Musa Rriçku lindi e u rrit në fshatin Limjan. Gjatë tranzicionit u mor me biznes. Kontributi i tij ka qenë i gjithanshëm. Disa vjet më parë, në Laprakë, një sallë të madhe të tijën e ktheu në xhami për të falur namazin e xhumasë dhe kështu vazhdon. Ai shprehu dëshirën dhe vullnetin për të ndërtuar një xhami të re në Laprakë të Tiranës. Pasi u bisedua me kryetarin e KMSH-së, z. Selim Muça, për xhaminë e re e, u miratua, u sigurua edhe leja nga bashkia nëpërmjet deputetit Sadri Abazi, Musai vendosi ta ndërtojë këtë xhami. Mungesa e vendit dhe pamundësia për ta siguruar atë e bënë të pamundur ndërtimin e xhamisë në Laprakë. Kjo ndihmë kishte qenë kismet i fshatit të tij, Limjanit. Në sheshin në mes të fshatit ngrihet kjo xhami e bukur, e pastër dhe shumë e dëshiruar për fshatarët. Kontributi qe i tërë familjes së Musait, Razies dhe djemve të tyre. Ky nuk është kontributi i vetëm i Musait dhe i familjes së tij. Ata kanë kontribuar për të ndihmuar të varfër, për gazetën “Rruga e Arbrit” dhe shoqatën e Intelektualëve Dibranë në Tiranë, që me përkushtim pasqyrojnë vlerat e popullit dibran në histori si: besa, ndershmëria, guximi, atdhedashuria, trimëria, të cilat kanë qenë mënyrë e jetesës së popullit tonë në shekuj. Ai çdo vit prodhon dhe shpërndan falas kalendarë, në faqet e të cilëve zë vend edhe xhamia si pjesë e rëndësishme e jetës dhe e vlerave jetike të popullit tonë. Musai e ka vënë pasurinë me djersë e punë të ndershme, ku angazhohen tërë pjesëtarët e familjes dhe shpenzohet në të mirë të familjes dhe të njerëzimit. Kjo pasuri i sjell respekt e mbarësi familjes në vazhdimësi.

 Ahmet Çaushi – Myftinia Dibër

 

You must be logged in to post a comment Login