Vogëlushi

Tedavi-YoluNuk i hiqja dot sytë nga vogëlushi që ecte përpara meje, ose të themi më saktë, që mundohej të ecte. Me shumë vështirësi i ngrinte peshë patericat që mbante në duar dhe me trupin që nuk e komandonte dot nga mesi e poshtë, lëkundej sa majtas-djathtas. Dukej rreth të trembëdhjetave. Për shkak të mundimit që harxhonte për të ecur, trupi i vogël kishte ngelur kockë e lëkurë.

Duke e ndjekur nga pas atë, sikur u magjepsa dhe pashë të rrëzohej në çast. Njëra nga patericat rrëshqiti duke bërë që fëmija të rrëzohej.

I shkova pranë dhe u përpoqa ta ngrija në këmbë. Po qante pa zë.

– Mos u mërzit! – i thashë duke e përkëdhelur. – Gjëra që ndodhin.

– Nuk u mërzita! – m’u përgjigj. – Dhe në fakt nuk mërzitem shpesh.

– Por ti po qan! – i thashë duke ia fshirë lotët me dorë.

– Më dhembi shumë krahu, me siguri nga kjo, – tha.

Ia përvesha mëngën e këmishës dhe i pashë krahun. Ishte i prerë që nga dora, prandaj dhe njëra nga patericat ishte bërë specifike për këtë.

Me të kuptuar që ia dallova dorën, m’u drejtua:

– Ky rrëzim nuk ishte asgjë, më parë u rrëzova dhe më ngeli dora poshtë rrotave të makinës.

Nuk dija ç’t’i thosha, por për ta marrë me të mirë, i thashë:

– Mos u mërzit, ka më keq se kjo.

– Nuk mërzitem, – përsëriti duke buzëqeshur. – Unë, në fakt, nuk mërzitem shpesh.

– Pak më parë the të njëjtën gjë, – i thashë. – Përse thua kështu?

Duke drejtuar me sa mundej trupin që i dridhej mbi paterica, më tha:

– Sepse unë besoj në Zot! A nuk do të kenë një trup të përjetshëm ata që i besojnë Atij?! Madje një trup të fortë.

O Zot! Ç’po më dëgjonin veshët?!

Po shihja për herë të parë se një zemër kaq e vogël mbarte një besim kaq të madh dhe trupi im që e pandehja të fortë, ndjeva të dridhej më tepër se trupi i tij i sëmurë.

U largua duke më falënderuar.

Duke e ndjekur me sy nga prapa atë hero të vogël, dashje pa dashje po mendoja se cili prej nesh ishte më i lumtur.

Xhynejd Suavi

 

 

You must be logged in to post a comment Login