Vlerat e ditës së premte

O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!

Po të shqyrtojmë lutjet që na i vuri për detyrë feja, vërejmë se nuk përmbajnë vetëm qëllime morale e shpirtërore, por edhe disa parime të tjera që i quajmë parime shoqërore dhe që kanë të bëjnë me progresin e një kombi. P.sh. falja e namazit me xhemat është një gjë e porositur nga feja e sidomos ndër ditët e Premte, një herë në javë. Të falurit e namazit në këtë mënyrë është një gjë që provon se Islami nuk është një fe individuale, por shoqërore. Në Islam namazi me xhemat ka një rëndësi të posaçme, të cilën e sqaron ajeti që lexuam më sipër.

Le t’i japim këtij ajeti një kuptim të përgjithshëm. Zoti urdhëron e thotë: “O myslimanë! Ditën e premte kur të këndojë ezani për namaz, shkoni me një ecje të qetë për të dëgjuar kujtimin e Zotit (hytben) dhe për të falur namazin e xhumasë. Ju urdhëroj që ta lini punën e të shkoni në faltore, se të falurit për ju është shumë i dobishëm se puna, në qoftë se e dini rëndësinë. Pra, si të falet namazi, për sigurimin e nevojave dhe të tregtisë tuaj që keni, përhapuni mbi faqe të dheut dhe kërkoni ushqim e mbarësi në punët tuaja nga i Madhi Zot.

Më lart përmendëm ditën e xhuma. Tani të kuptojmë se si ishte kjo ditë dhe si konsiderohej para Islamit. Para ardhjes së Islamit, dita e xhuma e kishte emrin Arube. Me të lindur Islami, kjo ditë mori emrin e xhuma. Shkaqet për të cilat mori këtë emër, janë shumë prej të cilëve disa po i tregojmë më poshtë:

1.      I pari që ia ngjiti emrin ditës së Premte “Xhuma” është Ka’b bin Luejji, sepse në atë ditë kurejshët ishin të mbledhur në shtëpinë e tij.

2.      Thonë edhe se të parët që ia ngjitën ditës në fjalë këtë emër qenë ensarët. Shkaku qe se hebrenjtë për gjithë javën mblidheshin për të bërë lutjet dhe për të lypur ndjesë prej figurave, idhujve që krijonin me duart e tyre; kështu edhe myslimanët thanë; kur hebrenjtë i bëjnë lutjet e tyre kundrejt disa fytyrave, të cilat i gatisin vetë, a s’është diçka e domosdoshme për ne që të mblidhemi në xhami e t’i drejtojmë edhe ne lutjet tona para Fuqisë së mbinatyrshme, Zotit të vërtetë, të pashembullt dhe të pashoq. Më në fund, mbas sa e sa bisedimesh e pëlqyen e ia ngjitën emrin Arube, që do të thotë, ditë zbukurimi. Pastaj dhanë vendim që të mblidhen në shtëpinë e Es’ad bin Zirares, ku falën dy rekate namaz dhe në këtë mënyrë e quajtën ditën Arube me emrin Jeumul-xhum-a. Kjo gjë që treguam deri tani ka ndodhur para se të zbriste ajeti të cilin e cituam në krye.

3.      Një nga qëllimet kryesore të Islamit është bashkimi dhe vëllazërimi i të gjithë popujve myslimanë në botë, pa dallim të pasur a të varfër, gjuhë, racë a kombësi. Për të treguar qëllimin e shenjtë të kësaj, mori këtë emër dita e xhuma, e cila i mbledh myslimanët në xhami me një vëllazërim të vërtetë. Ka edhe disa shkaqe të tjera mbi emërtimin e kësaj dite, por ne po mjaftohemi me kaq.

Po ta vërejmë pak historinë përpara ardhjes së Islamit, do të shohim se na del parasysh një gjendje fort e trishtuar në pikëpamje shoqërore. Vrasjet dhe hakmarrjet ishin bërë si punë e përditshme për arabët. Thënë shkurt, mbretëronte gjithkund një anarki e plotë dhe një jetë tmerri, në të cilën ishin zhytur arabët para se të lindte Dielli i njerëzisë.

Profeti ynë, Muhamedi (a.s.), i frymëzuar prej fuqiplotit Allah, mundi të realizojë urdhrat e tij dhe të plotësojë misionin e madhërishëm me të cilin ishte ngarkuar. Kreu dhe qëllimin për të cilin i Madhi Zot e kishte dërguar mbi faqen e dheut.

Sa për respektimin e ditës së xhuma në kohën e Hz. Pejgamberit nuk ka nevojë që të tregohet, pasi është një gjë e pamohueshme. Në atë kohë të bekuar dita e Premte respektohej prej vetë sahabëve të nderuar; gjithashtu edhe pasardhësit e tyre po me atë mënyrë vijuan të luturit e ditës së Premte. Porse ndër këto ditë tonat ndryshoi puna. Sidomos ne myslimanët e Shqipërisë e kemi lënë krejt rrugën, pasi s’dimë tjetër veçse si të krenohemi me kohët e arta të etërve dhe të gjyshërve tanë.

Megjithatë, detyrat e fesë duhen kryer dhe xhamia duhet të mbushet më tepër prej masës së re, e cila kërkon të rritet në prizmin e atij morali, të ndërgjegjes e të asaj urtie që inspiron feja jonë, e cila është e kumtuar prej të madhit Muhamed (mbi të qofshin bekimet më të zgjedhura të Allahut!).

Tani shtrohet pyetja: Cila është arsyeja e faljes së xhumasë?

Myslimanët, pasi detyrë të domosdoshme kanë namazin, kanë edhe detyrë që të dalin në xhami për të falur namazin me xhemat-bashkërisht. Kjo gjë është për pesë herë në ditë. Nëse shumë prej myslimanëve nuk dalin në xhami për faljen e namazit rregullisht në të pesë kohët, atëherë brenda javës hapet rrethi më i madh, ku bisedohen prej anës së hatibit çështje të ndryshme me shumë rëndësi, ku flitet për moral, bashkim, vëllazërim e shumë pika të tjera. Me atë rast shohim edhe asi njerëzish, të cilët shihen vetëm një herë në javë në xhami. Por se ka edhe të tillë që nuk falin ditën e xhuma. Prandaj brenda vitit bëhet edhe një tjetër mbledhje edhe më e madhe ndër dy bajramet. Ndër këto dy bajrame bisedohen gjëra më me rëndësi dhe tregohet madhështia e këtyre ditëve nga ana e ligjëruesit.

Kryerja e këtyre lutjeve rregullisht, sikurse kërkohet, përbën një çështje kryesore në botën myslimane. Lutjet janë mjeti më i sigurt për t’u afruar te Krijuesi i Vërtetë. Me të vërtetë myslimani, duke u mbështetur mbi një qenie të madhërishme, ndien në veten e tij një ngushëllim të thellë.

Ne këtu nuk do të studiojmë mënyrën e pranimit të lutjeve, vetëm do të tregojmë ç’rëndësi ka të falurit e xhumasë. Edhe mendja duhet ta pranojë, se xhumaja ka dy rekate e ky namaz është që zë vendin e mesditës e, mbasi që lihet mesdita, që është farz, vendin e saj duhet ta zërë namazi që të jetë më i fortë se i mesditës, e pra duhet të falet medoemos.

Deri këtu treguam që falja e xhumasë është bërë farz me ajetin që cituam në krye; tani po tregojmë të detyruarit e faljes së xhumasë, që na është treguar edhe në këtë hadith:

“Dijeni se Zoti i madh në këtë ditë të sotme, në këtë vend që ndodhem, në këtë hënë që jemi, ju detyron me një detyrë të domosdoshme: të falni xhumanë deri në ditën e Kiametit. Pra, në të gjallët tim por edhe pas vdekjes sime, po patët mbi krye një të parë, i drejtë ose jo, xhumanë doemos duhet ta falni. Ai që e mohon xhumanë ose tallet me të, Zoti mos e bashkoftë me rrethin e vet dhe mos ia mbaroftë punën e tij.

Mblidhni mendjen! Ai që s’ka xhuma, s’ka as namaz, as zeqat, as agjërim ( s’e sheh shpërblimin e merituar). Vetëm në rast se pendohet dhe fillon të falet, edhe Zoti e fal.”

Këtë hadith që treguam, Resuli e ka përmendur në xhaminë e parë të Medinës të cilën e pati ngritur në Kuba, një zonë në afërsi të Medinës.

Ky namaz që falet në kohë të mesditës dhe në vend të namazit të saj katër rekatësh, ka disa kushte, të cilat janë si vijon: me qenë mashkull dhe në moshën ligjore, me qenë i lirë në punë e në veprime, me qenë i shëndoshë nga mendja e trupi, me pas sytë e këmbët shëndoshë dhe me qenë koha e namazit të mesditës. Për të falur namazin e xhumasë lipset një hatib i emëruar zyrtarisht. Përveç imamit, lypset të jenë jo më pak se tre vetë xhemat.

Thamë fjalën me qenë i shëndoshë nga mendja e trupi. Njeriu shëndetin duhet ta ruajë e t’i falet nderit të Madhit Zot që ia dha.

Hz. Pejgamberi urdhëron e thotë në një hadith që lumturia e njeriut është kurdoherë në këto pesë sende, të cilat janë: rinia, shëndeti, pasuria, koha e lirë dhe jeta.

Urdhëron e thotë Hz. Pejgamberi: “Dija vlerën shëndetit para se të zërë sëmundja”, pasi çdo punë në këtë botë bëhet me shëndet. Njeriu kur s’është i sëmurë nuk mund t’ia dijë vlerën shëndetit, veçse atëherë kur sëmuret. Një pasaniku kur nuk ha, as pi, as fle d.m.th kur ndodh i sëmurë, për të fituar shëndetin, a kishte me iu dhimbtë gjë prej pasurisë së tij, apo jo? Jo, kurrë! Pra njeriu të ruhet sa më tepër që të mos sëmuret e kur të sëmuret duhet që t’i bijë vetes prapa me mjetet e duhura që kërkohen për atë sëmundje.

Dija vlerën shëndetit sa je i shëndoshë; përpiqu, lexo, mëso, fito që këto të ndihmojnë kur të biesh i sëmurë e kur të mos jesh i zoti as për veten tënde.

E dini fort mirë se kryet e çdo pune është shëndeti. Ai që s’ka trupin të shëndoshë, s’ka në vend as mendjen. Një njeri pa shëndet nuk është i dobishëm as për vete, as për shokët.

Atëherë, pra, me shumë arsye thuhet se “kryet e çdo pune është shëndeti”. Por edhe shëndeti është i lidhur me pastrim. Hz. Pejgamberi në një hadith urdhëron e thotë: “Pastërtia buron prej besimit”.

Përveç nevojës që ka njeriu për t’u larë, është sunet – e pëlqyer larja edhe një herë në javë, ditën e xhuma. Myslimani atë ditë pastron trupin e kur shkon në xhami pastron edhe shpirtin, pasi pastrimi i shpirtit dhe ai i trupit është më i madhi virtyt në Islam.

Pastrimi i trupit kuptohet, po pastrimi i shpirtit si kryhet? Pastrimi i shpirtit nuk është aq i lehtë. P.sh. një shpirt i pastruar beson pa asnjë dyshim këtë verset: “O Zot! Zotërues i gjithë fuqisë dhe i çdo sendi që mund të zotërohet! Ti ia jep pasurinë kujt dëshiron dhe ia heq atij që dëshiron, Ti e lartëson cilin të duash dhe poshtëron cilin të duash! Në dorën Tënde është gjithë dobia, Ti je, padyshim, i pushtetshëm mbi çdo send.

Ti (o Zot) e kthen natën në ditë dhe ditën në natë! Ti e nxjerr të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit. Ti e ushqen atë që dëshiron pa masë”.

Gjithashtu myslimani i vërtetë që ka pastruar shpirtin beson edhe këtë hadith të Hz. Pejgamberit që thotë: “Me të vërtetë Xhibrili i frymëzoi zemrës time –dhe më tha- askush nuk ndërron jetë pa plotësuar riskun dhe exhelin e tij. Prandaj, kijeni frikë Zotin dhe kërkoni riskun prej Tij me butësi”.

Atëherë kuptohet prej ajetit se Allahu (xh.sh.) i jep risk të panumërt atij që do, por nuk e cakton, se me këtë e atë do t’ia japë ushqimin.

Prej hadithit kuptohet se prej çdo njeriu kërkohet të përpiqet me sa fuqi të ketë për jetesën e vet. Për përforcim të kësaj po citojmë ajetin vijues: “Ecni mbi faqen e dheut dhe hani prej atij risku që fitoni me mundin e krahëve tuaj”.

Nga ajetet e Kuranit dhe nga hadithet e Resulit kuptohet se riskun e jep vetëm Zoti; veçse këtë risk Zoti e shpërndan sipas një ligji, atij të punimit. Ia jep pra atij që punon e jo atij që rri. Ky është shkaku për të cilin i Madhi Zot na lejon të dalim mbas punëve tona të falim sikundër urdhëron në versetin e lartë: “Si të falet namazi, për sigurimin e nevojave dhe të tregtisë tuaj që keni, përhapuni në faqe të dheut dhe kërkoni ushqim e mbarësi në punët e juaja nga i madhi Zot”. Që të forcojmë edhe më tepër këtë besim po i referohemi edhe këtij hadithi: “Nëse i mbështeteni Zotit sikur është për t’iu mbështetur, ju jep risk ju ashtu si ushqen zogun, i cili del prej çerdhes së vet në mëngjes i uritur e në mbrëmje kthehet i ngopur.”

Nëse zogu do të qëndronte në çerdhen e tij, a do kish mundësi të ushqehej? Domethënë se më parë duhet përpjekje, pastaj me u mbështet te Zoti.

Çdo myslimani, i cili i plotëson kushtet e vlefshme për xhumanë, e ka detyrë të domosdoshme të lërë punën e të shkojë në xhami. Këtë gjë e ka treguar hapur teksti kuranor. Ky ajet e plot thënie profetike, si rëndësinë e xhumasë ashtu edhe ndëshkimin e atyre që e lënë pa falur namazin e kësaj dite e tregon në mënyrë të qartë. Ndëshkimi është ky: Zoti ia vulos zemrën atij njeriu që pa pasur kurrfarë pengese dhe duke mos i dhënë rëndësi, len pa falur namazin e xhumasë; cilido që e lë pa e kryer këtë adhurim, ai do të tërheqë pas vetes zemërimin e Zotit.

Ky hadith i jep emër të keq atij që e len namazin e xhumasë pa falur, pa nevojë.

Meqenëse namazi i xhumasë është një bashkim i rëndësishëm për të gjithë myslimanët, mos vazhdimi i xhematit është kundër qëllimeve të tyre.

Për ta përmbledhur me pak fjalë atë që trajtuam deri këtu, themi se për ta forcuar këtë bashkim, i cili është shumë i rëndësishëm dhe i dobishëm për çdo mysliman që e do fenë, atdheun e kombin, është një gjë e domosdoshme namazi me xhemat.

“Zani i Naltë”, Nr. 5, 1935

 

You must be logged in to post a comment Login