Vlera e leximit të Kur’anit në Ramazan

Ebu Umame r.a. transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Lexojeni Kur’anin, sepse në Ditën e Gjykimit, ai vjen si ndërmjetësues për ata që e lexojnë atë.”[1]

Pakistan Ramadan

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith flet për vlerën e leximit të Kur’anit, shpërblimin e madh dhe se Kur’ani është ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit që ata që e lexojnë Atë të hyjnë në Xhenet.

En Neuas ibën Sem’an r.a. ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Në Ditën e Gjykimit, do të paraqitet Kur’ani dhe bartësit e Tij, të cilët kanë vepruar sipas Tij. Në fillim do të paraqiten suret Bekare dhe Ali Imran. I Dërguari i Allahut dha tre shembuj për ato të dyja, saqë nuk i kam harrruar. Ai tha: Ato të dyja janë si re, ose si dy muzgje të zeza ndërmjet tyre ka dritë, ose si dy tufa zogjsh të rreshtuara, që dëshmojnë pro bartësit të tyre.”[2]

Abdulla ibën Amër r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo që të ndërmjetësoj për të! Ndërsa Kur’ani do të thotë: E kam privuar nga gjumi natën, prandaj më lejo që të ndërmjetësoj për të! Kështu që ata të dy do të ndërmjetësojnë.”[3]

Abdulla ibën Mes’udi r.a. thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut fiton një të mirë dhe kjo e mirë shpërblehet dhjetëfish. Unë nuk them Elif Lam Mim një shkronjë, por Elif një shkronjë, Lam një shkronjë dhe Mim një shkronjë.”[4]

Prandaj, në këto ditë të bereqetshme e netë fisnike, agjëruesi duhet që të lexojë sa më shumë Kur’an, sepse leximi i tij gjatë Ramazanit ka një specifikë më të veçantë. Prandaj ai duhet të shfrytëzojë mirësinë e kohës në muajin në të cilin është zbritur Kur’ani. Leximi i Kur’anit gjatë netëve të Ramazanit ka specifikën e saj të veçantë, sepse gjatë natës nuk ka më preokupime, të gjitha energjitë grumbullohen dhe zemra bashkë me gjuhën janë të predispozuara që të meditojnë.

Është transmetuar me transmetim të saktë se ëngjëlli Xhibril gjatë Ramazanit, ia citonte Kur’anin Profetit (a.s.) dhe e studionin për çdo natë.[5] Nëse përmendja e Allahut (dhikri) do të ishte më e mirë apo e barazvlefshme me Kur’anin, ata të dy do ta bënin gjithmonë ose të paktën në disa raste.[6]

Të parët e umetit tonë gjatë muajit të Ramazanit lexonin sa më shumë Kuran. E kishin bërë zakon që kur agjëronin qëndronin në xhami duke thënë: E ruajmë agjërimin tonë, sepse nuk përgojojmë askënd. E lexonin Kur’anin gjatë namazit dhe jashtë tij.

Osmani r.a. e përfundonte leximin e Kur’anit për çdo ditë. Disa të tjerë gjatë faljes në muajin e Ramazanit e përfundonin atë për tri netë, disa të tjerë për shtatë dhe të tjerë për dhjetë netë.

El Es’ued ibën Jezid En Nehai, në muajin e Ramazanit e përfundonte leximin e Kur’anit çdo dy netë. Ndërsa Katade, zakonisht e përfundonte leximin e Kur’anit për çdo shtatë netë, ndërsa gjatë muajit të Ramazanit për çdo tri netë dhe në dhjetëditëshin e fundit për çdo natë. Këto raste që përmendëm janë shumë të dëgjuara.

Hafiz Ibën Rexhebi r.a. thotë: Fakti që leximi i Kur’anit është i ndaluar që të lexohet në më pak se tre ditë, ka të bëjë me idenë nëse kjo bëhet vazhdimisht. Por për sa i përket kohëve të pëlqyeshme, si: muaji i Ramazanit, veçanërisht në netët kur jemi në kërkim të natës së Kadrit; apo në vendet e zgjedhura, si Meka për ata që hyjnë në të e që nuk janë vendas, është e pëlqyeshme leximi sa më i shumtë i Kur’anit, për të shfrytëzuar mirësinë e kohës dhe vendit. I këtij mendimi është imam Ahmedi, Is’haku dhe shumë imamë të tjerë. Argument për këtë është vepra e shumë të tjerëve, ashtu siç e kemi cituar edhe më parë.[7]

O Zot, bëje Kur’anin e Madhërishëm pranverë të zemrave tona, dritë të kraharorëve tanë, kthjelltësi të brengave tona, largim të shqetësime tona, udhërrëfyes për ne tek Ty dhe në Xhenetet e begatshme.

O Zot, atë që e kemi harruar prej tij na e kujto, atë që nuk e dimë prej tij na e mëso, na jep mundësinë që të lexojmë sa më shumë prej tij ashtu si Ti dëshiron dhe je i kënaqur!

 

[1] Transmeton imam Muslimi, nr: 804. Teksti në fjalë i përket pjesës së fillimit të hadithit.

[2] Transemton imam Muslimi, nr:805.

[3] Transmeton imam Ahmedi, nr: 6626, imam El Hakim, nr: 1/544, Ebu Nuajm, nr: 8/161. El Hejthemi në “Mexhmu ez zeuaid” ka thënë: transmetuesit e hadithit janë të saktë. Dijetari Ahmed Shakir ka thënë: zinxhiri i transmetimit është i saktë, po ashtu edhe imam Albani e ka saktësuar në “Sahihul Xhami” nr: 3776

[4] Transmeton imam Et Tirmidhi, nr: 2912. Ai ka thënë: Hadithi është Hasen Sahih. Në disa raste ky hadith është përcjellur deri tek sahabiju (meukuf) dhe në disa raste të tjera është përcjellur deri tek Profeti (merfu). Shih: “Hadithet e sakta” të imam Albanit, nr: 660.

[5] Transmeton imam Buhariu, nr: 1/30 dhe imam Muslimi, nr: 3308.

[6] Marrë nga libri “Letaif” , fq: 199.

[7] Marrë nga libri “Letaiful Mearif”, fq: 2012-202.

You must be logged in to post a comment Login