Viti i ri shkollor, nënkryetari i KMSH-së uron nga Medreseja e Tiranës

Sot në mbarë vendin është çelur zyrtarisht viti i ri shkollor 2017-2018.

Nënkryetari i KMSH-së ishte në Medresenë e Tiranës për të uruar vitin e ri shkollor. Nga kjo shkollë, e cila përhap dije prej disa dekadash z. Bujar Spahiu uroi të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një vit sa më të mbarë dhe plot suksese.

Në fjalën e tij përshëndetëse z. Spahiu theksoi se përpjekja në rrugën e dijes është një hap më shumë në rrugën e profetëve.
“Dituria është trashëgimia që na kanë lënë profetët. Në këtë shkollë ju keni mundësinë që të përparoni dhe të jeni ndjekës të rrugës së tyre”, u shpreh z. Spahiu.

Drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi uroi nxënësit për një vit të suksesshëm dhe theksoi rëndësinë e dijes dhe nxënies së saj.
“Shkolla hedh bazat e edukimit, i jep horizont mendimit dhe botës sonë. Rruga e dijes është me vështirësi, me përpjekje, por edhe e bukur dhe argëtuese. Mësuesit janë ata që do t’ju ndihmojnë që kjo rrugë të jetë sa më e frytshme dhe e bukur”, tha z. Zaimi.

Përshëndeti edhe drejtori i Arsimit në KMSH, z. Oltion Kola, i cili nënvizoi se nxënësit e kësaj shkolle janë me fat që janë pjesë e saj.

Ndërsa drejtori i Fondacionit Sema, z. Omer Çallësh u shpreh se për të arritur majat e suksesit duhet punë dhe vullnet. Ai theksoi se Medreseja e Tiranës është vendi i duhur për t’ju ndihmuar në rrugën e dijes.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ushtron aktivitetin e tij arsimor të shpërndarë në disa qytete me anë të medreseve. Momentalisht janë 6 medrese: Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi”, Medreseja e Shkodrës “H. Sheh Shamia”, Medreseja e Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Medreseja e Durrësit “Mustafa Varoshi”, Medreseja e Elbasanit, “Liria”, Medreseja e Korçës “Abdullah Zëmblaku”.

Medresetë ofrojnë arsimim dhe edukim për ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm.

Në këto shkolla nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.

11 shtator 2017

You must be logged in to post a comment Login