Vështrim historik për xhamitë e Kavajës

Trashëgimia e vlerave historike të veprave të kultit përbën një thesar të pazëvendësueshëm në jetën kultururore-historike të një qyteti e më gjerë.

Në planin urbanistiko-arkitektonik objektet e kultit kanë qenë nga më të rëndësishmet dhe nga më të mëdhatë e qyteteve. Prandaj, për ndërtimin e tyre është zgjedhur vendi më i mirë, materialet më të çmuara dhe mjeshtrit më të dëgjuar vendas të asaj kohe.

Për të ndriçuar zhvillimin në vite të veprave të kultit në qytetin e Kavajës dhe për të zgjuar sadopak nostalgjinë e shumë besimtarëve, autori i këtyre radhëve u mundua t’u paraqesë lexuesve një vështrim historik për xhamitë e këtij qyteti me traditë të hershme fetare.

Para se të futem në karakteristikën dhe rëndësinë që kanë pasur xhamitë, kam mendimin t’u paraqes lexuesve dhe të interesuarve shkurtimisht pozitën gjeografike dhe lindjen e qytetit të Kavajës.

Për sa i përket pozitës gjeografike, qyteti i Kavajës është i ndërtuar në Ultësirën Bregdetare, që shtrihet në jug të Gjirit të Durrësit dhe të Shkëmbit të Kavajës mbi një fushë të lagur nga dy lumenj të vegjël, Darci në Jug dhe Leshniqe në Veri.

Për zanafillën e Kavajës si qendër banimi ka mendime të ndryshme. Disa studiues thonë se zanafilla e Kavajës, si qendër e banuar duhet kërkuar diku nga mesi i shek. XVI. Mirëpo, nga studimet e arkeologut Halil Myrto, vërtetohet se ekzistenca e qytetërimit në Kavajë duhet parë deri në shekujt e parë para erës sonë.

Ndërsa emërtimi i qytetit të Kavajës me këtë emër, si dokument më i hershëm nga ku kemi mundësi të informohemi më saktë është regjistri i tokave të Sanxhakut të Shqipërisë për vitin 1431-1432, botuar nga studiuesi turk Halil Inalçik (Urbanistika dhe arkitektura e qytetit të Kavajës, Doc. Dr. Ark. Isuf Sukaj). Sipas këtij regjistri, ky vendbanim bënte pjesë në vilajetin Balsha, në nahinë e quajtur Tomonishte dhe është emërtuar fshati Kavalje me 16 shtëpi. Nga studimet e deritanishme, shkruan Ark. Isuf Sukaj, rezulton se dokumenti i fundit që kemi mundësi të hulumtojmë për emërtimin e qytetit nga Kavalje në Kavajë, është ai i Defterit të Sanxhakut të Elbasanit Nr. 66, që ndodhet në Drejtorinë e Përgjitshme të Tatimeve dhe Kadastrës në Ankara, Turqi. Sipas këtij dokumenti qendra e banuar ku ndodhet sot qyteti i Kavajës, edhe në vitin 1583 emërtohej fshati Kavalje me 150 shtëpi. Kështu, është arritur në përfundimin se emri Kavajë e ka origjinën e tij nga emërtimi i fshatit Kavalje, i vërtetuar me dokumente shkencore. Lidhur me prejardhjen e emërtimit të qytetit të Kavajës, ekzistojnë edhe dy hipoteza, por të paargumentuara shkencërisht, por që mbeten vetëm në nivelin e të dhënave gojore.

Gojëdhëna e parë supozon se emri Kavajë, mendohet të jetë formuar duke përdorur bashkimin e dy fjalëve ka…vaj, domethënë qendra e banimit është në një territor ku prodhohet vaj ulliri.

Gojëdhëna e dytë supozon se ky emër ka lindur nga bashkimi i fjalëve ka…vaj, por me kuptim tjetër nga i pari, domethënë ka vajë, ka qarje ose gjëmë e vajtim si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmeteve etj.

Si përfundim, në lidhje me emërtimin e qytetit dua të theksoj se kur vizitoi Kavajën udhëtari i njohur osman Evlija Çelebiu në vitet 1660-70 e përshkruan qytetin kështu: “Kavaja është një qytet i zbukuar dhe i lulëzuar me saraje dhe shatërvane, me një fushë pjellore, afër një mange deti, rrethuar me vreshta e qepishte, me 400 shtëpi banimi me një kat dhe me dy kate e me shumë pallate zotnish, të stolisura me qoshe e çardaqe, me dy medrese në nivelin e shkollave të mesme si dhe me katër xhami me minare të vogla dhe katër mesxhide (xhami të vogla pa minare)”.

Katër xhamitë që përmend Evlija Çelebiu kanë qenë:

  1. Xhamia Plakë ose xhamia e Ali Hajdarit, e ndërtuar në vitin 1561. Ka qenë e ndërtuar në sheshin e Manave të Pazarit (kështu quhej ky shesh), nga ana jugore e xhamisë Kubelie. Besimtarët kavajas mbajnë mend se kjo xhami ka qenë e vogël dhe mbante emrin e Sinellarëve (fis me origjinë nga Dibra e Madhe). Është rasti të theksojmë se Ali Hajdari ka ndërtuar tri xhami, në Kavajë, në Hajdaraj dhe në Beden. Ai ishte mjeshtër për ndërtimin e xhamive, kujton intelektuali Refat Çopa, ndërsa porositësi ose investitori ishte tjetërkush. Xhamia e Sinellarëve ose Xhamia Plakë (e Ali Hajdarit) është prishur në vitin 1922 nga nën/Prefekti i Kavajës Neki bej Starova, për zgjerimin e një rruge të re, në pazarin e Kavajës.
  2. Xhamia e Myderrizit daton në vitin 1589, ka qenë e ndërtuar afër kinemasë së sotme. Sipas të dhënave gojore ajo ka funksionuar deri në dekadën e dytë të shek. XX.
  3. Xhamia e Haxhi Alushit ka qenë e ndërtuar në vitin 1625 në qendër të qytetit. Deri në vitin 1895 ajo ka pasur tjetër emërtim, u mbiquajt kështu pasi fisi i Alushëve mori përsipër meremetimin e saj. Është prishur në vitin 1964-1965, pasi u ndërtua një pallat.
  4. Xhamia e Kaikut ka qenë ndërtuar buzë rrugës së madhe, 200-300 m larg nga ana veriore e qendrës së qytetit. Atë e ka ndërtuar Haxhi Hysen Kaiku në vitin 1652 dhe është mirëmbajtur prej tre shekujsh me radhë nga ky fis, derisa u prish në vitin 1967.

Por më kryesorja që besimtarët dhe opinioni mysliman në Kavajën fetare kanë nostalgji dhe ruajnë kujtime të bukura, është Xhamia Kubelie e ndërtuar më 1735-1736 nga Kapllan Beu, në qendër të qytetit të Kavajës, në pazarin e saj. Krahas xhamisë u ndërtua portiku i saj i jashtëm, shatërvani dhe medreseja.

“Karakteristikë tipike e kësaj perle të kultit mysliman ishte simetria e planimetrisë së saj drejtëkëndëshe, me kupolë, e shoqëruar me një portik të hapur, që rri përpara në formë prostili. Salla e lutjeve të saj ka pasur formë katrore 8.60 – 8.60 m, e cila paraqiste një vëllim unik, të mbuluar me kupolë sferike me tambur oktagonal mbi një bazament katror”, shkruan Ark. Isuf Sukaj. Portiku, ishte i rrethuar me arkada të gurta respektivisht me pesë harqe në hyrje dhe me tre harqe anash.

Në të djathtë të xhamisë ka qenë ndërtuar minarja me gurë të gdhendur. Në këtë monument, mjaft karakteristik ishte portiku i dytë i ndërtuar rreth portikut të vetë xhamisë, i përbërë prej kolonash dhe harqesh të gurtë. Ky portik, me siluetën mjaf të bukur të arkadave të tij, plotësonte me një shije të hollë urbanistike e arkitektonike kompleksin e qendrës së qytetit.

Xhamia Kubelije ishte ndërtuar me disa gurë të gdhendur posaçërisht nga mjeshtrit e talentuar vendas. Ata kishin përdorur për llaç përzierjet e kohës, ndërmjet tyre edhe të bardhë vezësh me fije liri.

Viti i mbrapshtë 1967 nuk harrohet lehtë. Drama filloi. Fuqia motorike e ateistëve rrëzoi përtokë të gjitha xhamitë. Kjo prishje varfëroi së tepërmi sheshin e qendrës së qytetit. Ky akt banditesk krijoi një urrejtje mbarë popullore tek të gjithë brezat e qytetarëve të Kavajës.

Era e ndryshimeve të mëdha filloi të ndihej. Viti 1990 bashkë me pluralizmin politik la të lirë edhe veprimtaritë fetare. Në këto kushte filluan të ndërtohen xhamitë e para. Në vend të xhamisë Kubelije u ndërtua një tjetër xhami shumë e bukur. Kavaja tashmë ka më shumë xhami të cilat në kompozimin urbanistiko-arkitektonik i japin një bukuri madhështore qytetit. Qyteti filloi të marrë një fizionomi të re në sajë të ndërtimeve të këtyre xhamive. Nëpër minare gumëzhin zëri i myezinit që thërret ezanin dhe besimtarët e çdo moshe i përgjigjen duke i mbushur ato plot, ku me admirim adhurojnë Zotin xh.sh.

Fiqiret Sula

You must be logged in to post a comment Login