Universiteti Bedër, aktivitet përkujtimor për 50 vjetorin e ndalimit të fesë

Me ardhjen e sistemit komunist në vendin tonë në vitin 1944, filloi një propagandë e pastër antifetare. Hap pas hapi lufta ndaj komuniteteve fetare u konsolidua në shumë aspekte, derisa arriti kulmin e saj më 6 shkurt të vitit 1967, ku pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë.

Në këtë kontekst, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi aktivitetin përkujtimor “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë”.

Paneli i referuesve përbëhej nga: Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, Rektori i Institucionit, Prof. dr. Ferdinand Gjana, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga, si dhe nga shkrimtari i mirënjohur Dr. Agron Tufa.

Në fjalën hapëse, rektori i institucionit u shpreh se përkujtimi i ngjarjeve të tilla është një element i rëndësishëm në edukimin historik të brezave të rinj.

“Shpeshherë njeriu i harron vlerat e lirive themelore që gëzon në shoqëri dhe reflektimi mbi to është detyrë e përbashkët shoqërore”, tha z. Gjana.

Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Aga, u ndal në sakrificat e prijësve myslimanë për të trashëguar vlerat e Islamit deri në ditët e sotme. Më tej ndau me të pranishmit fakte të ndryshme nga propaganda, lufta dhe persekutimi komunist antifetar në vendin tonë.

“Aktiviteti i sotëm është një mesazh i qartë se ata që i dolën kundër sistemit komunist ndaj luftës antifetare do të kujtohen vazhdimisht në forma të ndryshme nga brezat që vijnë e ikin, ndërsa ata që bëjnë kompromis me të padrejtën harrohen në rreshtat e historisë”, përfundoi ai.

Më tej, Dr. Agron Tufa bëri një rezyme të shkurtër për të pranishmit mbi rolin që kanë luajtur klerikë të ndryshëm në luftën kundër shfarosjes së fesë, edukimin ateist të brezave të rinj gjatë komunizmit, injektimin e propagandës antifetare në të gjithë shtresat e shoqërisë së atëhershme, prishjen e objekteve të kultit etj.

Në fund të fjalës së tij ai tha se: “Organizime të tilla duhet të jenë më të shpeshta, jo vetëm në institucionet e edukimit, por edhe më gjerë, pasi krimet e komunizmit kundrejt besimeve fetare përbën shkeljen më të madhe të lirive themelore të njeriut, pasi pa besim, njeriun mund ta klasifikosh lehtësisht si objekt”.

Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Kruja, bëri një prezantim të shkurtër të përmbajtjes filmike të dokumentarit me ngjarjet, propagandën e pastër antifetare, rihapjen e xhamive dhe persekutimin që iu bë prijësve dhe përfaqësuesve të shumtë myslimanë.

“Sot jemi mbledhur në këtë platformë për të kujtuar jo diçka të gëzueshme, por për të kujtuar pikërisht 50 vjetorin e një ngjarjeje të dhimbshme e të turpshme të historiografisë shqiptare, atë të fjalimit famëkeq të 6 shkurtit 1967 të Enver Hoxhës. Fjalim që i hapi rrugën zyrtarisht ndalimit të predikimit të çdo lloj feje në vendin tonë, mbylljes së institucioneve fetare së bashku me aktivitetin e tyre, si dhe prishjen e qindra objekteve të kultit”, tha ai.

Më tej, të pranishmit ndoqën për rreth 40 minuta dokumentarin e përgatitur me këtë rast, i cili tregon qartë metodat e shumta që vuri në jetë sistemi komunist me qëllimin e vetëm, për të çrrënjosur përgjithmonë besimin nga zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por edhe rihapjen e xhamive të para pas rënies së sistemit në vitin 1990.

Aktiviteti mblodhi së bashku myftinj, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe institucioneve të ndryshme arsimore, familjarë të klerikëve të persekutuar nga sistemi komunist, si dhe studentë të shumtë.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve dhe prijësve të shquar myslimanë shqiptarë”, ku u ekspozuan fotografi të rralla të shekullit XIX-XX të personaliteteve të shquara islame shqiptare.

You must be logged in to post a comment Login