Tre profetët përcaktues

 ornamentnga Edison ÇERAJ

Duke u nisur nga gjendja jo e mirë ose e çrregullt e botës së jashtme, Moisiu, i cili u orvat ta sistemonte atë, përfaqëson atë model/natyrë profeti që në mënyrë figurative mund ta përshkruajmë si ai që mban në dorë skeptrin e ligjit, pasi janë pikërisht ligjet që vendosi ai ato që mund të rregullonin gjendjen e çrregullt shoqërore të kohës dhe popullit të tij. Nga ana tjetër, Jezui, duke u nisur nga gjendja e çrregullt e botës së brendshme të hebrenjve dhe gjithaq edhe nga njëfarë ngurtësie që kishin shkaktuar ligjet e “rrepta” të trashëguara nga koha e Moisiut, u orvat që ta përmirësonte atë me thirrjen e tij për të lartësuar shpirtin duke e dëlirur nga dhënia pas botës, duke dashur kësisoj të zbuste atmosferën dhe ta paqëtonte atë në emër të botës tjetër, botës së amshuar. Kështu, po në mënyrë figurative, Jezuin mund ta përshkruajmë si mbartës të skeptrit të përshpirtshmërisë, ose të religjionit, bash në kuptimin që ka sot kjo fjalë në Perëndim. Domethënë, Moisiu është reformator i botës së jashtme[1], kurse Jezui i botës së brendshme të njeriut.

Duhet theksuar se kur themi për Moisiun reformator i botës së jashtme, nuk nënkuptojmë që ka lënë pas dore botën e brendshme të njeriut, por me këtë synojmë të theksojmë se ku iu desh të përqendrohej më shumë dhe për çfarë kujtohet. E njëjta gjë vlen edhe për Jezuin, por vice versa.

Kështu, në mënyrë të pashmangshme, nëse do e bitisim analizën, ajo na çon te Muhamedi, profeti i fundit, i cili, duke pasur parasysh këtë vijë arsyetimi, u përpoq të sintetizonte, pra të njësonte trashëgiminë e Mosiut dhe atë të Jezuit. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për atë lloj sinteze që vjen si rezultat i ndonjë analize a i ndonjë përpjekjeje filozofike, të cilat mbeten vetëm në letër; sikurse nuk bëhet fjalë për gjetjen e ndonjë të mesmeje në kuptimin matematikor të fjalës, sepse tekembramja ai ishte profeti analfabet, por e gjitha qe rrjedhojë e Zbulesës, dhe mu për këtë Profeti përveçse e kumtonte atë, mbi të gjitha e jetonte.[2] Kësisoj pasi kjo sintezë dhe ky mes është e vërteta për të cilën dëshmon vetë jeta e njeriut, me dy substancat bazë të saj: shpirtin dhe trupin/materien.

Nëse do ekzistonte vetëm trupi/materia, atëherë Judaizmi është i vetmi botëkuptim i mundshëm për jetën. Po kështu, nëse do ekzistonte vetëm shpirti, atëherë Krishterimi do të ishte i vetmi botëkuptim i mundshëm.[3] Por, duke qenë se ekziston si trupi/materia ashtu dhe shpirti (domethënë, njeriu – sepse pa njërën syresh resht së qenuri i tillë), atëherë Islami mbetet i vetmi botëkuptim i mundshëm në kushtet e realitetit bipolar të jetës.

Judaizmi synon të japë përgjigje vetëm për pyetjen/çështjen se si duhet të jetojmë?; ndërsa Krishterimi jep përgjigje vetëm për çështjen se pse jetojmë?; kurse Islami niset nga realiteti i të dyjave[4], duke i marrë ato si të qenësishme, sepse fundja ato janë, deshëm apo nuk deshëm ne, i mohuam apo nuk i mohuam, pra kjo nuk varet nga ne! Ajo që varet prej nesh është se sa jemi të vetëdijshëm për këtë, e nëse jemi, sa jetojmë sipas kësaj vetëdijeje.

Nëse do të lipsej dhënia e një shembulli të thjeshtë – që në fakt duhet – pa rënë në thjeshtëzim për të përmbledhur thelbin e Islamit në vijën/kontekstin kësaj qasjeje, mund ta krahasojmë atë me arkitekturën, pasi Islami synon të integrojë artin dhe teknikën, dhe kjo sintezë realizohet në formën më konsekuente pikërisht në arkitekturë. Në fakt, ndërmjet arteve, Islami e sheh arkitekturën më me miratim, sepse sasinë e “artit të kulluar” ajo e ka në një dozë të pakët, ose sepse arkitektura është një art i përgjithshëm, siç e përkufizon Kenneth Clark-u.[5] Arti e thekson shumë individualitetin, shpirtëroren, të përtejmen te njeriu, dhe kjo është në kundërti me konceptin e ekuilibrit tek i cili këmbëngul Islami. Arkitektura është “e interesuar”, funksionale, dhe është një përgjigje për nevojat njerëzore.

Bash ky karakter i dyfishtë i arkitekturës e përcaktoi atë si një art tipik islam. Ashtu si Islami, edhe ajo ka trup dhe shpirt.[6] Kësisoj veprat e mëdha të mjeshtërve myslimanë pikërisht në arkitekturë nuk janë të rastit – përkundrazi, ato janë një lloj ligjshmërie.



[1] “Materializmi (ose pozitivizmi) hebraik ia ktheu vetëdijen njeriut në drejtim të botës dhe përgjatë të gjithë historisë e nxiti interesin e tij ndaj realitetit të jashtëm.” A. Izetbegović, 2009, f. 185.

[2] “Ai ishte një Kuran që ecte përmbi tokë”, pat thënë njëherë Aishja, bashkëshortja e tij.

“Edhe burimet e Islamit bartin shenjën e kësaj dysie të pashmangshme. Para së gjithash bëhet fjalë për dy burimet bazë/kryesore: Kurani dhe Suneti, ku secili në vetvete përfaqëson frymëzimin dhe përvojën, të përjetshmen dhe të përkohshmen, mendimin dhe praktikën ose idenë dhe jetën. Islami është më shumë mënyrë jetese sesa mënyrë të menduari. Të gjitha interpretimet e Kuranit tregojnë se pa Sunetin, pra pa një jetë, ai është i pakuptueshëm. Vetëm nëpërmjet interpretimit të një jete, të jetës së Muhamedit, Islami u dëshmua si një filozofi praktike, një drejtim gjithëpërfshirës jetësor.” A. Izetbegović, 2009, f. 203.

[3] “Si religjioni ashtu edhe utopia deformohen kur hyjnë në jetë, kur bëhen edhe nëse bëhen praktikë jetësore. Trajtat e tyre të pastra dhe konsekuente gjenden vetëm në libra. Kur njeriu i aplikon në jetën reale njerëzore, religjioni “natyralizohet”, merr diçka nga e ulëta, kurse utopia “humanizohet”, merr ca tipare reale. Si deformimi i Krishterimit ashtu edhe i materializmit bëhet gjithnjë për t’iu afruar njeriut, pamjes së tij të vërtetë kafshërore-humane. Në rastin e parë kjo është zbritje nga hyjnorja, kurse në të dytin është ngritje nga kafshërorja. Në të dyja rastet ky është postim drejt njerëzores.” Po aty, f. 233.

[4] “Merr pjesën tënde që të takon nga kjo botë”, kumton Kurani. Gjithashtu: “O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër…” etj. “Edhe në qoftë duke ndodhur fundi i botës e ti ke një fidan në dorë, mbille atë!” thotë profeti Muhamed. Citime nga kujtesa.

[5] Madje në veprën Qytetërimi, Clark-u e quan arkitekturën “art social, që u jep mundësi njerëzve për një jetë më të plotë”.

[6] Arki-tektura, nga vetë fjala nënkupton diçka më shumë se tekturë – ndërtim i zakonshëm për nevoja të thjeshta praktike.

(Revista Drita Islame, Shkurt 2013)

You must be logged in to post a comment Login