Tre njerëz të mirë

Mes bijve të Izraelit kishte edhe njerëz të mirë. Në një hadith të tijin, Profeti ynë a.s. na jep një shembull të tyre:

“Tre vetë nga paraardhësit tuaj dolën në rrugë dhe, për të kaluar natën, u futën në një shpellë. Ndërkaq, nga mali ra një shkëmb dhe e zuri hyrjen e shpellës.

Atëherë ata thanë:

“Ne s’na nxjerr dot gjë prej këtu veç veprimit të mirë dhe lutjeve!”

Njëri prej tyre tha kështu:

“Zoti im! Unë pata një nënë e baba shumë pleq. Para tyre nuk u jepja të pinë as fëmijëve të mi. Një ditë pata shkuar larg për dru dhe nuk munda të kthehem para se ata t’i kishte zënë gjumi. Ua pata përgatitur ushqimin, por i gjeta në gjumë. Nuk m’u duk me vend t’i zgjoja, por as të pinim si familje qumështin e darkës pa ta. Prita me çanak në dorë që të zgjoheshin. Më në fund, u zbardh. Fëmijët më vërtiteshin ndër këmbë duke qarë prej urie. Ndërkaq, nëna e babai u zgjuan dhe e pinë qumështin e mbrëmjes.

Zoti im! Në e paça bërë këtë gjë për hir Tënd, na shpëto prej belasë së këtij shkëmbi!”

Shkëmbi u hoq pak, por jo aq sa mund të dilnin.

I dyti u lut kështu:

“O Zot! Ishte një vajzë që e doja më shumë se çdokush tjetër. Desha të bashkohesha me të, por ajo nuk ma pranoi propozimin. Disa vite më vonë, në një kohë zie, më kërkoi. I dhashë njëqind dërhem me kusht që të më jepej. Pranoi se s’kishte ç’bënte. Por, sapo pata rast, ajo më tha:

“Ki frikë Zotin e mos ma merr virgjërinë!”

Edhe unë, duke u frikësuar nga Zoti, u largova nga ajo femër që e dëshiroja aq shumë. Edhe florinjtë që ia pata dhënë, ia lashë.

Zoti im! Po qe se këtë gjë e kam bërë vetëm për të fituar pëlqimin Tënd, na e largo belanë e këtij shkëmbi nga kryet!”

Hyrja e shpellës u hap edhe ca, por prapë jo aq sa për të dalë ata.

Personi i tretë tha kështu:

“Zoti im! Zura argatë me pagesë dhe, pasi mbaruan punën, i pagova. Vetëm njëri iku pa e marrë pagesën. Dhe unë i vura në punë ato para dhe i shtova. Malli dhe pasuria në llogari të tij u shtua. Pas një kohe ky person erdhi dhe kërkoi pagesën:

“Ma jep pagesën time”, më tha.

Dhe unë i thashë: “Kjo deve, këto qe, dhen, etj., janë shtuar prej pagesës tënde. Merri e shko!”

Kurse ai i çuditur:

“O rob i Zotit, a mos po tallesh me mua?

“Jo, s’po tallem, i thashë, po them të vërtetën.”

Atëherë ai i mori të gjitha e shkoi pa lënë gjë pas.

O Zot! Po qe se e kam bërë këtë për hir Tënd, na e largo këtë të keqe!”

Më në fund, shkëmbi rrëshqiti prej hyrjes së shpellës dhe ata, pasi dolën, vazhduan rrugën e tyre.

(Buhari dhe Muslimi, Rijadus Salihin, II, 14-16)

You must be logged in to post a comment Login