“Tre elementet e strukturës së fesë islame” i Xhemal Ballës

15025200_1218752214851998_9123384389065073762_oDy fjalë për autorin

Xhemal Balla lindi në Tiranë më 2 prill 1934. Ka kryer arsimin e plotë të Medreses së Naltë në Tiranë, si dhe arsimin e mesëm e të lartë pedagogjik. Punoi në arsim si mësues, drejtor e inspektor për 50 vite me radhë. Ka kryer dy kurse kualifikimi, një në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega bio-kimi dhe një për studime teologjike në Universitetin e Az’har-it, në Kajro të Egjiptit. Është vlerësuar për punën në arsim me certifikata të ndryshme si dhe është dekoruar dy herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri” Kl. I dhe III. Ka një aktivitet të gjerë shoqëror si pjesëmarrës aktiv në shoqatën Tirana dhe atë kulturore “H. Ibrahim Dalliu”. Ka shkruar mbi 200 artikuj në gazeta e revista dhe ka qenë pjesëmarrës në shumë simpoziume e konferenca me kumtesa e referate sh kencore. Është autor i disa librave me tematikë fetare e sociale. Një nga veprat e tij më të njohura është “Kurani dhe Njeriu”, koment nga vepra madhore e Hafiz Ibrahim Dalliut, “Ajka e Kuptimeve të Kur’ani Kerimit”.

Së fundmi, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen e Mirënjohjes “Për merita të veçanta civile”, për kontributin në arsim e kulturë, botimin e shumë librave, mësues e drejtor i Medresesë së Tiranës.

Rreth përmbajtjes së librit

Kjo vepër në tërësinë e saj i është kushtuar trajtesave të Hyjnores, duke u përpjekur për ta përafruar dhe jetësuar atë për mendimin njerëzor. Ajo nxjerr në pah se, feja islame përmbledh parime e dispozita të rendit social, i hap njeriut horizonte të reja të mendimit, e udhëheq atë drejt standardeve të larta morale e njerëzore, si dhe e njeh atë me burimin e përhershëm të paqes e të mirësisë.

Autori i librit e ka konceptuar funksionin dhe përmbajtjen e tre elementeve bazë të strukturës së fesë islame, për t’ia paraqitur me një vizion të qartë dhe aktual individit dhe shoqërisë, duke qartësuar faktin se, Islami nuk është thjesht një ideal abstrakt i kuptuar vetëm në ritualet e adhurimit ndaj Fuqisë Hyjnore, por është një forcë e gjallë, që manifestohet në çdo aspekt të jetës njerëzore.

Me një stil të zgjedhur e të qartë, prof. Xhemal Balla përpiqet të gjejë mënyrat më të përshtatshme dhe të arsyeshme për t’i komunikuar vetëdijes njerëzore, nevojën për të besuar, që njeriu të njohë kuptimin e ekzistencës së tij, të njohë mesazhin hyjnor dhe sistemin e parimeve dhe vlerave që burojnë prej tij.

Autori i librit meriton përgëzime për gjithë këtë punë të vlefshme e të admirueshme.

You must be logged in to post a comment Login