Organizohet programi “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor dhe Kulturor “SEMA” dhe Universitetin Hëna e Plotë – BEDER, organizoi sot, më 7 prill, Programin Festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit” në sallën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Në këtë ngjarje festive morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministri Kulturës, Aldo Bumçi, ambasadorë të akredituar në Tiranë, shkrimtarë, artistë, akademikë dhe të ftuar nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava,  përfaqësues të  Bashkësive Islame të Maqedonisë, Malit të Zi, etj.

Mijëra besimtarë, një pjesë e madhe e të cilëve të rinj, tejmbushën sallën e Pallatit të Kongreseve në nderim e vlerësim të njeriut, që i Madhi Zot e zgjodhi shembull të përsosmërisë. Programi u hap me këndimin e himnit kombëtar. Më pas u transmetuan disa materiale të shkurtra filmike ku u prezantua roli i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në themelimin e shtetit shqiptar si dhe kontributi i tij i pazëvendësueshëm në aspektin fetar por edhe atë kombëtar përgjatë gjithë këtij shekulli. Gjithashtu në një material të përmbledhur u prezantua Fondacioni “SEMA” dhe roli i tij në sistemin arsimor të medreseve dhe Universitetit BEDËR.

Vlerësime për njeriun profet dhe model të sojit njerëzor

Më pas programin e përshëndeti Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça. Me rastin e kësaj dite të lumtur e të përbotshme, z. Muça iu drejtua ngrohtësisht pjesëmarrësve duke u shprehur se “me lindjen e Muhamedit a.s., njerëzimit iu dërgua dëshmitari më besnik i kohërave, përgëzuesi i lajmeve më të mira, më i dashuri i Allahut dhe i njerëzve, njeriu më i bekuar i historisë së krijimit.”

“Programi i këtij viti - vijoi ai – përkon dhe me një ngjarje të madhe për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në trojet shqiptare e në botë, me 100 vjetorin e Pavarësisë. Dëshiroj të falënderoj nga zemra në emër të gjithë besimtarëve myslimanë të Shqipërisë, Kryeministrin Sali Berisha, Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e dhënë në veçanti për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës, dhe e ftojmë të vendosim së bashku gurthemelin këtë Bajram”.

Z. Muça përcolli gjithashtu një falënderim të veçantë për artistin dhe këngëtarin me famë botërore z. Sami Yusuf, i ftuar në këtë eveniment si dhe për fondacionin “SEMA” e Universitetin BEDËR, për mbështetjen në organizimin e programeve festive ndër vite.

“Në këtë vit jubilar për të gjithë shqiptarët i lutem Allahut xh.sh. që Shqipërinë tonë ta shohim në radhën e kombeve që i kanë dhënë vlera botës sikurse Krenaria e Njerëzimit, Muhamedi a.s.”, përmbylli fjalën e tij lideri i myslimanëve shqiptarë.

Një përshëndetje që emocionoi të pranishmit ishte ajo e kryeministrit të vendit, Prof. Dr. Sali Berisha. Duke shprehur konsideratën më të lartë për figurën profetike, z. Berisha e quajti Muhamedin a.s., Dritën e Dijes. “Sot ne kremtojmë ditën e lindjes së Profetit të dritës, një nga mësimet e të cilit ishte drita dhe arsimi, gëzuar këtë ditë”, iu drejtua kreu i qeverisë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë.

“Të nderuar të pranishëm, është një nder i veçantë që sot së bashku, të kremtojmë, të nderojmë ditëlindjen e Profetit të të gjithë profetëve. Të kujtojmë lindjen e atij që ndriçoi mendjen e njeriut dhe të mbarë njerëzimit, që shenjtëroi dijen, shkollën e mësimin. Sot është festë e madhe për ata që i besojnë Zotit, dijes dhe që duan të ndërtojnë të ardhmen bazuar në vlerat e dijes dhe respektit e bindjes ndaj Zotit. Falënderoj Zotin që na bëri fatlumë të jemi dëshmitarë të 100 vjetorit të pavarësisë”, theksoi kryeministri.

 Më tej z. Berisha falënderoi Komunitetin Mysliman për rolin e dhe kontributin e tij në dobi të shtetit shqiptar. “Gjëja e parë që të shkon në mendje është respekti dhe nderimi për KMSH dhe komunitetet e tjera fetare për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugën e pavarësisë dhe progresit të atdheut dhe kombit tonë të shtrenjtë. Për 20 vjet drejtuesit e KMSH kanë bërë realitet mrekullinë e të gjitha mrekullive, rilindjen shpirtërore të shoqërisë. Sot, në këtë vit jubilar dua të shpreh nderimin tim më të madh për H. Hafiz Sabrin Koçin, për kontributin e tij në mbrojtje të fesë dhe të infrasktururës shpirtërore. Ju garantoj se në misionin tuaj fisnik ia keni dalë të ngrini infrastrukturën e besimit, me institucionet tuaja arsimore e fetare. Jam i bindur se medresetë dhe Universiteti BEDËR, do të bëjnë të mundur që Islami të flasë shqip. Shumë shpejt, të gjithë së bashku me durim e përkushtim, do të inaugurojmë xhaminë e re të Tiranës. Liria e të gjitha lirive është liria e besimit. Burim më të pashtershëm e më të përsosur se liria e besimit nuk ka e nuk do të ketë. Toleranca dhe respekti që ju tregoni ndaj njëri-tjetrit, është burim i pashtershëm frymëzimi për njerëzit e lirë, nënvizoi kryeministri Berisha.

Pas përshëndetjes së këtij organizimi të shkëlqyer të KMSH-së, siç e cilësoi ai, z. Berisha u ndal në tolerancën dhe mirëkuptimin fetar në Shqipëri, që sipas tij i ka rrënjët tek besimi në Zot. “Ky është një nga mesazhet më të mëdha njerëzore dhe hyjnore që kombi shqiptar i përcjell mbarë njerëzimit. Në Shqipëri, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, janë të gjithë tolerantë. Asnjë komb nuk e ka më të përsosur se ne lirinë e besimit sepse ajo është aftësia e njeriut për të disiplinuar veten. Dhe liria e besimit e shqiptarëve është liria e respektit të palëkundur”, tha kreu i ekzekutivit shqiptar.

Pas përshëndetjes së tij, artistja  turke Gylseher Kahraman, i dhuroi z. Berisha me rastin e jubileut të 100 vjetorit të themelimit të Shqipërisë, një punim artistik të flamurit tonë kombëtar. Duke falënderuar artisten kryeministri u shpreh: “Zonja më dhuroi flamurin, kombit mik turk i kemi dhuruar himnin”.

Gjithashtu një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kreu i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili përgëzoi Komunitetin Mysliman për organizimin e përkryer të këtij programi. “Është një kënaqësi dhe emocion i veçantë për mua të marr pjesë në një ngjarje ku nderohet e lartësohet Drita e Gjithësisë, Profeti Muhamed a.s. Kjo ditë është tregues i dashurisë dhe respektit që ne të gjithë demonstrojmë ndaj njeriut dhe profetit të mirë, i cili bashkoi shpirtin me arsyen dhe udhëzoi njerëzimin për nga e mbara dhe e drejta”, tha kryegjyshi botëror i Bektashinjve.

 

Një ngjarje e shënuar përkujtohet me një program të qëlluar

 “Ishte Muhamedi a.s., i cili i zbriti dritën njerëzimit”, ishin këto fjalët e para të prezantuesve të veprimtarisë, Freskida Miloti dhe Alban Tartari, pas leximit me mjeshtëri të një pjese kuranore të mësuesit të Medresesë së Tiranës Lauren Luli.

Shfaqja ngriti peshë zemrat e njerëzve me ilahitë dhe pjesët e zgjedhura poetike të sjella nga aktorët Mirush Kabashi, Fatos Sela, Gëzim Rudi dhe emra të tjerë njohur, që sollën dimensione të një përjetimi të jashtëzakonshëm.

Salla u elektrizua kur në skenë u shfaq këngëtari i njohur për talentin dhe zërin e tij të mrekullueshëm, Sami Yusuf. Sapo filloi të shqiptojë fjalët e para të ilahitë së tij i gjithë publiku shpërtheu në duartrokitje të zjarrta e të merituara. Gjatë interpretimit të ilahive këngëtari Yusuf u shoqërua edhe nga  Gylseher Kahraman, artiste nga Turqia, me punime në artin dekorativ Ebru dhe Berina Suliç, artistja myslimane nga Bosnja që i dha formë objekteve përmes rërës.

Sami Yusuf  i pyetur nga prezantuesit  lidhur me përshtypjet e tij për Shqipërinë, u shpreh: “Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem sot këtu me ju. Kur Zoti të jep një bekim, asnjë izëm nuk mund ta bllokojë rrugën e Tij. Shqiptarët për mendimin tim e kanë spiritualitetin në gjak, në molekula, në ADN-në e tyre. Juve jeni një shembull i mirë mes myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve. Meqë më jepet rasti, dua të falënderoj Komunitetin Mysliman për ftesën, fondacionin arsimor dhe kulturor “SEMA”, për punën e tyre në edukimin e të rinjve dhe përshëndes të gjithë myslimanët shqiptarë pa përjashtuar asnjërin prej tyre”.

Më tej artisti britanik u shpreh se është i mrekulluar dhe tepër i emocionuar dashuria dhe respekt që publiku tregoi për të. I pyetur se a do vijë sërish në Shqipëri, Yusuf u përgjigj: Po, me shumë kënaqësi. Pas përshëndetjjes së tij, z. Asim Budak, kryetar i bordit drejtues të fondacionit  arsimor dhe kulturor “SEMA”, i dhuroi këngëtarit një punim artistik të kullës së sahatit të Tiranës, si një kujtim i bukur nga Shqipëria.

Ishte pikërisht kjo atmosferë që mbretëronte në këtë ditë të gëzueshme festive në Pallatin e Kongreseve. Ishte një organizim i përkryer që u shpërblye me një pjesëmarrje të madhe e të gjerë. Të pranishmit ndiqnin, duartrokisnin, recitonin e këndonin bashkë me njerëzit e skenës.

Programi që rizgjoi dashurinë për më të dashurin e Zotit

Përkujtimi i kësaj date dhe përjetimi i çdo fraze të interpretuar në këtë eveniment, janë tregues për një besim e dashuri të patundur ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Respekti e nderimi i manifestuar në këtë program, shpalosin qartë dashurinë për Mëshirën e Dhuruar, një ndjenjë e pastër e ngulitur thellë në zemrat e në shpirtrat e myslimanëve shqiptarë.  Me pjesëmarrjen e tyre në këtë veprimtari festive, ata treguan se janë të lidhur  Zotit, të kapur fort me mësimet e fesë Islame dhe  me porositë e Muhamedit a.s.

Programi me regji të regjisorit Agron Hoxha krijoi çaste emocionuese dhe përcolli tek publiku shqiptar mesazhet e besimit islam dhe madhështinë e jetës dhe veprës së Profetit Muhamed a.s., si shëmbëlltyrë e lartë e krijimit të Zotit në tokë.

14 shekuj më herët, në Mekë, lindi njeriu profet, Muhamedi a.s., simbol i moralit dhe virtytit, i cili me mësimet dritëdhënëse kultivoi dashuri e frymë paqësore ndër njerëz, siguroi lartësimin shpirtëror të tyre me normat më të mira morale e shpirtërore. /Drita Islame/

 

2 Responses to Organizohet programi “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”

  1. Deno 07/04/2012 at 20:02

    Selamu Alejkum,

    Allahu jua shperblefte organizatorve. Inshalla vitet e tjera dhe me bukur.

    Selam

  2. Fatbardh rufati 09/04/2012 at 21:42

    Selamu Alejkum,
    Allahu jua shperblefte organizatorve. Inshalla vitet e tjera dhe me bukur.
    Alejkum Selam .

You must be logged in to post a comment Login