T’i kthejmë sytë nga edukimi islam

Vlerësojmë sot formimin fetar të njerëzve dhe me keqardhje konstatojmë boshllëk apo mangësi të theksuara. Edukimi me cilësitë e Islamit nuk është i plotë. Dhe themi: sa dëme i shkaktoi njerëzve, shoqërisë e kombit në këtë fushë regjimi komunist?!Në këtë kohë të vështirë që po kalojmë, plot privime ekonomike e shoqërore, besimi islam është ai që mbush boshllëkun shpirtëror të krijuar. Me vlerat e tij të mëdha morale që përmban, ai i aftëson njerëzit t’u bëjnë ballë vështirësive të përkohshme të ditës, për të fituar forca dhe energji, që, më pas, të shkohet përpara drejt një përparimi të shpejtë e të sigurt ekonomik, social dhe kulturor si gjithë bota e qytetëruar.

Dihet tashmë zbrazëtia shpirtërore e morale që krijoi ndër ne regjimi i satanait. Vërtet Shqipëria shpëtoi nga djalli i kuq, por shumica e popullit, sidomos ajo nën moshën 50 vjeç, pësoi një goditje të rëndë. Vërtet gjatë gjithë asaj kohe e ruajti si pasurinë më të shtrenjtë përkatësinë fetare thellë në ndërgjegjen e saj, por doli nga skëterra enveriane me trauma në formimin dhe në shprehitë e nevojshme si besimtarë. Kuptohet se kjo ngjau jo për faj të saj, sepse, siç e kemi jetuar, ajo iu nënshtrua një indoktrinimi të egër famëkeq afetar. Kështu iu vra shpirti dhe iu dhunuan vlerat morale.

Përpara kësaj gjendjeje, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe degët e tij në rrethe e më tej kanë ndërmarrë punë dhe veprimtari të lavdërueshme dhe rezultative për të ndrequr malin e zullumeve që ishin bërë, për të çuar Fjalën e Zotit në zemrat e të gjithëve, për të përhapur njohuritë dhe kulturën islame ndër besimtarët.

Janë konsideratat dhe respekti për fenë që krijoi demokracia, është puna me përkushtim e kuadrit islam në qendër dhe në bazë, ndihmesa e besimtarëve, dëshira dhe etja e masës së myslimanëve për t’u ndërgjegjësuar dhe kompletuar me njohuri islame, për t’iu falur Zotit dhe për të kryer detyrat e tjera që na fton të bëjmë feja jonë e shenjtë, pra janë të gjithë këta faktorë që sollën kaq arritje gjatë këtyre viteve në fushën e besimit.

Por fjalën e kemi gjetkë dhe jo te parada e sukseseve të arritura. Problem i mprehtë për ne sot, mendoj, është edukimi me Islamin i brezit të ri, të ardhmes së vendit dhe të kombit tonë, veçanërisht të fëmijëve të moshës 5-14 vjeç.

Kjo periudhë përkon me kohën e shkollimit të tyre (grupi i lartë i kopshteve, cikli i ulët dhe i lartë i nëntëvjeçares). Mjekët, psikologët dhe mësuesit i njohin mirë veçoritë e zhvillimit trupor dhe sidomos zhvillimin e proceseve psikike të këtyre moshave. Truri i tyre dallohet për një plastikë të veçantë. Fëmijët interesohen gjallërisht për të mësuar gjithçka dhe bëjnë përpjekje për të hyrë në thelbin e sendeve dhe të dukurive të jetës. Shkallë-shkallë u rritet aftësia e të vërejturit dhe u shfaqet aftësia për të krahasuar, për të bërë lidhjet shkakësore të sendeve dhe fenomeneve, u zhvillohet të gjykuarit dhe të arsyetuarit, të menduarit aktiv dhe abstrakt, etj. Tek ata nisin të marrin jetë edhe procese të tjera që kanë të bëjnë me krijimin e personalitetit dhe të individualitetit të tyre. Ndërkaq, ata janë të gatshëm të përthithin dhe të përvetësojnë shpejt vlera pozitive morale dhe shpirtërore, këshilla, porosi, të mbruhen me edukatë dhe sjellje të kulturuar. Në të njëjtën kohë, nëse procesi i edukimit nuk do të drejtohet drejt së mirës, shumë lehtë tek ata mund të zënë vend sjellje të pahijshme, përdorimi i një fjalori vulgar, shthurja ose dhe mund të futen në udhën e rrugaçërisë. Gjithçka që fitohet në këtë periudhë skalitet menjëherë në kujtesë dhe mbahet mend për shumë kohë. Prandaj, jo rastësisht, brenda harkut kohor të kësaj moshe praktikohet me rezultate shumë të mira mësimi përmendësh i Kur’anit të Madhnueshëm.

Njerëzit më të dashur, te të cilët këta fëmijë kanë besim të plotë, u dëgjojnë fjalën, u pëlqejnë veprimet dhe i marrin si shembull janë më së pari nëna, babai, gjyshi e gjyshja, të afërmit, shokët më të rritur, etj. Përshtypje dhe emocione të fuqishme u krijojnë heronjtë e Atdheut, njerëzit e shquar të shkencës, artit, sportit, etj. Prandaj ëndërrojnë, përpiqen dhe bëjnë çmos t’u ngjajnë në jetë.

Kjo është mosha kur përthithet vrullshëm një informacion voluminoz nga fusha të ndryshme të dijes. Karakteri imitues pak e nga pak zëvendësohet me ndërgjegjësimin e vullnetshëm dhe bindjen për gjithçka.

Duke i njohur sa më mirë këto veçori dhe kushtet reale në të cilat jeton feja islame në Shqipëri, rrezikun e influencave dhe të joshjeve më të sofistikuara që shpesh ushtrohen mbi besimtarët nga qarqe të dyshimta, të cilat rrezikojnë edhe interesat kombëtare, është e domosdoshme që të vlerësohet drejt puna e organizuar me këto mosha, për t’ua zëvendësuar perversitetin me edukimin e shëndoshë mysliman.

Por ç’duhet bërë konkretisht? Në këtë vështrim, puna e parë dhe më e rëndësishme është ajo që duhet të bëjë familja, veçanërisht nënat. Thjesht, me ëmbëlsi dhe krejt natyrshëm, ato duhet t’u transmetojnë fëmijëve të tyre nderimin dhe adhurimin për Zotin, dashurinë për krijesat e Tij, dëshirën për çdo punë të ndershme dhe për të fituar dituri, respektin për njerëzit e çdo kombësie dhe feje, etj.

Më pas, fëmijët mund të tërhiqen, të ushtrohen dhe të stërviten në kryerjen e detyrave si myslimanë të vërtetë. Është e domosdoshme që për kryerjen e të gjitha detyrave atyre t’u krijohen bindje të plota për gjithçka bëjnë dhe veprojnë. Asgjë nuk duhet t’u imponohet në formë urdhri apo dogme. Ky edukim sigurisht që kërkon kohë, punë dhe durim. Ai nuk bëhet në një ditë, muaj ose vit, prandaj kërkon vullnet nga të dy palët, fëmijë dhe prindër.

Rëndësi të veçantë merr edhe figura dhe shembulli i prindit dhe i të afërmit para fëmijës. Ashtu si flet dhe i predikon atij, ashtu duhet të jetë vetë prindi në jetë, konkretizim i gjithçkaje që i ka mësuar fëmijës. Ç’vlera do të kishin fjalët e bukura të një prindi për fëmijën, kur ky sheh se babai apo nëna, kryejnë veprime të dyshimta, pinë alkool, pasurohen në rrugë të padrejtë e të jashtëligjshme dhe bëjnë njëmijë të zeza, megjithëse mund të kryejnë disa detyra të Islamit? Këto mospërputhje të fjalëve me veprimet e tyre nuk ndihmojnë për edukimin fetar, përkundrazi, dëmtojnë.

Një rrugë tjetër, që mendoj se është e arsyeshme të praktikohet sa më parë, do të ishte ngritja e grupeve të veçanta me 5-6 fëmijë, që do t’i drejtonin elementë të përgatitur. Këto grupe do të punonin sipas një programi të caktuar, p.sh. me 20-30 orë mësimore që të shtjellohej brenda 5-6 javësh dhe mbi bazën e një teksti që të përmbajë njohuritë themelore dhe praktikën më të domosdoshme që i nevojitet një besimtari mysliman.

Zhvillimin e këtij kursi do ta bënin tërheqës shpërndarja e literaturës fetare dhe kulturore islame, dhurata të vogla, që të mund të sigurohen me ndihmën e besimtarëve, aktivitete argëtuese, etj.

Në predikimet e ditës së xhuma, në takimet e bisedat me besimtarët, imamët, vaizët një pjesë të kohës mendoj se duhet t’ua kushtojnë këtyre problemeve, të japin këshilla, porosi dhe udhëzime si të ushqejnë besimtarët, të afërmit e tyre, veçanërisht fëmijët, me dituri të Islamit.

Kjo punë mund të çohet më lart dhe të përsoset, në qoftë se do të arrinim të organizonim cikle me ligjërata dhe konferenca të thella mbi tematika nga më të ndryshmet të fesë islame, të shkencës, kulturës, artit, letërsisë, njerëzish të shquar etj.

Më në fund, mendoj se do të pritej me shumë interes nga besimtarët myslimanë shqiptarë dhe më gjerë botimi i një korpusi, i përbërë nga disa libra modestë nën titullin “Shkolla islame”, ku të trajtoheshin në masën e duhur dhe metodikisht për lexuesin mesatar njohuri teorike të Islamit, ngjarje të rëndësishme historike të tij, veprimtari të njerëzve të shquar myslimanë, njohuri bazë mbi fetë e tjera (thjesht informacion, pa asnjë interpretim që mund të shkaktojë keqkuptim nga ndonjë dashakeq) etj.

Tarik Llagami

/Revista ‘Drita islame’ – tetor 2017/

You must be logged in to post a comment Login