Thirrja e jetimit

Jetimnga Qani SULKU

Për të kuptuar dikë se si ndihet, vepron, mendon, duhet të vihesh në vendin e tij, të paktën për disa çaste. Shpeshherë vetja më shtyn të mendoj se si ndihen fëmijët jetimë, ata që kanë humbur njërin apo të dy prindërit. Për ta kuptuar këtë, zgjodha që të kthehem mbrapa në kohë dhe ta vendos veten në vendin e tyre. Një numër i madh pyetjesh më pushton. Si do të ishte fëmijëria ime nëse do të rritesha pa nënë ose baba? Kush do të ma dhuronte dashurinë e tyre? Kush do të më përkëdhelte dhe kush do të më ofronte ngrohtësi? Te kush do të gjeja mbështetje dhe kujt do t’ia shprehja dëshirat dhe ankesat e mia, si dhe më kë do t’i ndaja gëzimet dhe hidhërimet e mia? A ekziston njeri që i zëvendëson prindërit? Padyshim që jo. Kush do të kujdesej për mua kur të sëmuresha? Kush do të ma përgatiste ushqimin? Kush do të m’i bënte gati rrobat? Kush do të më priste e përcillte për në shkollë? Me kë do të krenohesha në mbledhjen e prindërve? Me kë do t’i ndaja notat e mira të marra në lëndë të ndryshme? Kush do të më këshillonte sa herë që bëja gabime? Dhe pyetjet nuk kanë të sosur. Pas këtyre dhe shumë të tjera pyetjeve të pashtruara këtu, a mund ta imagjinoni se çfarë do të thotë të jesh jetim, të jetosh si jetim? Unë edhe kur i shkruaj këto fjalë përlotem, e jo më t’i përjetoj. Kemi menduar vallë, se si funksionon një familje jetimësh, të cilët kanë humbur babanë – të zotin e shtëpisë, apo nënën – burimin e dashurisë familjare? Kemi menduar se si i sigurojnë të ardhurat familjare? Kemi menduar, nëse këta fëmijë i ka zënë gjumi me barkun plot, ndërkohë që ne zgjedhim e përzgjedhim ushqimet që na shijojnë më së tepërmi? Kemi menduar nëse kanë me çfarë të vishen dhe të mbulojnë trupin, ndërkohë që ne zgjedhim rrobat më të shtrenjta dhe firmato? Kemi menduar nëse me vete për në shkollë kanë marrë 50 lekë të reja, sa për të blerë diçka në pushim, ndërkohë që fëmijët tanë as që e kanë këtë shqetësim? Kemi menduar se sa shumë i merr malli që të uleshin dhe të hanin një drekë apo darkë, të gjithë së bashku, me nënë e baba, ndërsa ka shumë prej nesh që as nuk denjojnë të qëndrojnë me prindërit e tyre, edhe pse i kanë gjallë, ndërsa ata e ëndërrojnë një takim me ta, qoftë edhe një herë të vetme në jetë, por vdekja është befasuese dhe ndodh që të të ndajë edhe nga njerëzit më të dashur, nga ata që nuk e prisje kurrë, nga ata që të nevojiteshin gjithmonë, por caktimi i Zotit do të shkojë në vendin e vet dhe ne duhet të jemi të kënaqur me të. A e dini që nëpër botë dhe në vendin tonë ka miliona fëmijë, të cilët e kanë harruar ç’do të thotë nënë/baba, si dhe të tjerë që nuk njohin as njërin e as tjetrin? Për shumë fëmijë, i vetmi ngushëllim është ndonjë kujtim nga prindërit e tyre, foto, video apo diçka e vulosur përjetë në kujtesën e tyre, me të cilën krenohen gjithë jetën. Pas kësaj panorame, e cila as nuk fillon dhe as nuk mbaron me kaq, sa keq ndihemi përballë tyre. A e ndjejmë vërtet peshën e përgjegjësisë dhe sa kemi bërë realisht për përmirësimin e jetës së tyre? Sa ua kemi shtrirë dorën e ndihmës, që ata ta shohin si dorën e shpresës? Sa herë që shohim fëmijët tanë të gëzuar, a na kujtohet fytyra e ndonjë fëmije jetim të përlotur? Sa herë që i nxjerrim fëmijët tanë nëpër parqe lodrash apo piknik, a na shkon mendja te fëmijët jetimë dhe te dëshirat e tyre modeste të paplotësuara? A nuk të qan zemra dhe a nuk të përlotet syri, kur dëgjon fëmijë teksa pyesin nënën për babanë e vdekur: Nënë, ku është babi? A jemi të vetëdijshëm se ata janë amaneti ynë dhe do të vijë një ditë kur do të pyetemi për obligimet tona ndaj tyre? Falënderoj Zotin e Lartësuar që më ka begatuar duke më bërë pjesë e shumë projekteve në mbështetje të fëmijëve jetimë, pasi njohja me ta dhe historitë e tyre, më kanë bërë më të ndjeshëm, më kanë bërë që ta shikoj jetën me një tjetër këndvështrim dhe të vlerësoj çdo gjë të vogël e të madhe që posedoj. Duke i njohur ata, kupton se sa bekime e mirësi zotëron; kupton se sa e bukur është jeta jote në krahasim me jetën e shumëkujt, aq më tepër të kësaj shtrese kaq të përvuajtur. Nuk e përmbaj veten kur mendoj se fëmijë të vegjël pa nënë e pa baba, janë të destinuar të përjetojnë dhimbje e vuajtje që nga vegjëlia, të cilat nuk i ndahen pothuajse gjithë jetën, ndërsa ne, fëmijëve tanë mundohemi t’u plotësojmë dhe realizojmë çdo dëshirë. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, shumë prej tyre ndihen të nënçmuar në lagjen ku jetojnë, në shkollën ku mësojnë dhe kudo ku gjenden, prandaj Këshilluesi më i mirë, Zoti ynë na porosit në Kur’an duke thënë: “Dhe jetimin mos e përul!”, por sa prej nesh ia kemi vënë veshin këtij vargu hyjnor? Dikush mund të pyesë: Të mbetesh jetim, është fat apo trishtim, sprovë apo privilegj? Krijuesi i gjithësisë, Allahu i Madhërishëm, Krijesën më të Përsosur të mbarë njerëzimit, profetin Muhamed – paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të – e solli në këtë botë jetim, pasi babai i tij vdiq para se ai të lindte. Ende pa u rritur mirë, ai humbi edhe nënën. Ai i provoi të gjitha: edhe trishtimin, por edhe privilegjin. Ai i cili u lind dhe u rrit si jetim dha përgëzimin, sihariqin, premtimin dhe ofertën më të parezistueshme për të gjithë ata që kujdesen për fëmijët jetimë, duke thënë: “Kush kujdeset për jetimët, do të jetë me mua në Parajsë” dhe bashkoi dy gishtat e dorës, pra si gishtat e dorës të cilët janë të ngjitur me njëri-tjetrin dhe shumë pranë, ashtu do të jetë ai që tregohet i dhembshur dhe i mëshirshëm me të gjithë njerëzit, aq më tepër me fëmijët jetimë. Sot, jetimët, për fat të keq, kujtohen një ditë në vit, në ditën kushtuar përkujdesjes ndaj tyre, por a mjafton kjo ditë? Mos vallë ata jetojnë vetëm një ditë në vit? E gjithë kjo që u përmend, është thirrja e pazë e çdo jetimi, e cila buçet për të gjithë ne dhe na fton duke na thënë: “Njerëz! Jemi edhe ne, por jeta nuk na ka buzëqeshur njëlloj si ju, prandaj na mbështesni me sa mundësi të keni, që të mos ndihemi të vetmuar”. E ku ka më bukur se sa të gëzosh zemrën e një fëmije, të cilit i mungon dashuria dhe përkëdhelja e prindit? E ku ka gjë më humane se sa t’i qëndrosh pranë një fëmije, që ka humbur dashurinë dhe përkrahjen prindërore dhe t’i thuash: “Ti nuk je më vetëm, por më ke dhe mua, që të dua dhe që kujdesem për ty”. Ku ka gjest më fisnik se sa t’ia zbukurosh fëmijëve jetimë çdo moment të jetës së tyre me shoqërinë, kujdesin, përkrahjen tënde dhe gjithçka tjetër që ata i bën të lumtur! Fëmijët që kanë humbur njërin apo të dy prindërit, më e pakta për të cilën kanë nevojë është një buzëqeshje. Buzëqeshja asgjë nuk kushton, por ka domethënie të madhe. Ajo i pasuron ata që e pranojnë dhe nuk i varfëron ata që e japin. Është e shkurtër si rrufeja, por mbetet në kujtesë përgjithmonë. Askush nuk është aq i pasur sa të mos i nevojitet një buzëqeshje. Ajo është formula e miqësisë. Buzëqeshja është pushimi për të lodhurit, diell për të mërziturit e terapi për të sëmurët. Është e pamundur të blihet, të lypet, të huazohet apo të vidhet, sepse buron direkt nga zemra. Kështu që, të dhurojmë sa më shumë buzëqeshje, sidomos për fëmijët që kanë humbur buzëqeshjen prindërore.

(Revista Drita Islame – Maj 2015)

You must be logged in to post a comment Login