Thesare në Fjalët Profetike (6))

Ebu Hurejra (r.a.) thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë: “Betohem në emër të Allahut që me të vërtetë unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë.”[1]

 

muhamed

Shpjegimi i Hadithit

Ky hadith profetik na paraqet një çështje mjaft të rëndësishme që ka të bëjë me besimin, na ofron një panoramë të sjelljes së myslimanit si dhe një model të marrëdhënieve ndërmjet njeriut dhe Krijuesit. Kjo panoramë na shfaqet në modelin më të mirë; na shfaqet nëpërmjet sjelljes dhe lidhjes së ngushtë që Profeti (a.s.) kishte me Allahun e Lartësuar.

Për të treguar se ai (a.s.) kërkon falje dhe pendohet tek Allahu shprehet në formën e betimit, që do të thotë se kërkimi falje dhe pendesa ka një vlerë të madhe. Në të njëjtën kohë, betimi tregon se kërkimi falje dhe pendesa janë urdhër dhe porosi hyjnore, që çdokush që është treguar neglizhent të nxitojë sa më parë për të kërkuar falje dhe për t’u penduar.

Gjithsesi, me të drejtë këtu mund të lindë një pyetje: Mos vallë Profeti (a.s.) kërkon falje dhe pendohet tek Allahu, ngaqë ka bërë ndonjë mëkat? Si është e mundur një gjë e tillë kur ai  është i pagabueshëm, nuk flet fjalë boshe dhe atij i falen të gjitha mëkatet?!

Në lidhje me këtë temë dijetarët kanë një direktivë të qartë: Profeti (a.s.) i kërkon falje Zotit ashtu siç i ka hije pozitës së tij i shfajësuar nga çdo mëkat dhe kundërshtim të urdhrit hyjnor, qoftë edhe gabimisht apo përpara zbritjes së profetësisë.

Në Kur’anin Famëlartë lexojmë ajete që qartësisht e urdhërojnë Profetin (a.s.) që të kërkojë falje. Allahu i Lartësuar thotë: “Kërko falje tek Allahu. Me të vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirues.”[2] Ndërsa në një ajet tjetër Allahu thotë: “Madhëroje duke e falënderuar Zotin tënd dhe kërko falje tek Ai. Me të vërtetë Ai është Pranues i pendesës.”[3] Që do thotë se Ti o Muhamed, kërko falje tek Zoti për umetin tënd. Fjala “Teu uaba”, që do të thotë “Pranuesi i pendesës”, është përdorur në formë të hiperbolizuar duke dëshmuar se Profeti (a.s.) urdhërohet që të kërkojë falje për umetin e tij, sepse hiperbolizimi tregon se numri i atyre që kërkojnë falje dhe i mëkateve është i madh.

Kërkimi i faljes është programi i fesë Islame, ku shembulli më i mirë është Profeti Muhamed (a.s.). Istigfari hap dyert e rrizkut, mbyll shtigjet e skamjes, ia nënshtron besimtarit ligjet e këtij universi, është shkak i numrit të madh të pasardhësve, shtimit të pasurisë, pjellorisë së tokës dhe rrjedhjes së lumenjve. Profeti Nuh (a.s.) i drejtohet Allahut të Lartësuar: “Unë u thashë atyre: Kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse me të vërtetë Ai është Falës. Për shkak të kërkimit falje, Ai ju dërgon shi të bollshëm, ju shton pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe për ju bën kopshte dhe lumenj.”[4]

Është më se e vërtetë që Profeti Muhamed (a.s.) ka kërkuar falje për umetin e tij, madje ka kërkuar shumë falje dhe asnjëherë nuk ka rreshtur. Mirëpo disa grupacione siç ishin munafikët e Medines, e refuzuan këtë mirësi dhe nder që iu bë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur u thuhet atyre: Ejani se i Dërguari i Allahut do të kërkojë falje për ju, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh ata të kthehen me mendjemadhësi.”[5]

Le të meditojmë pak në numrin e madh të istigfarit të Profetit (a.s.) i cili thotë: “Unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë”. Kjo është një stimulim për umetin mysliman për të kërkuar falje dhe për t’u penduar tek Allahu. Profeti (a.s.) megjithëse është i pagabueshëm dhe njeriu më i mirë nga të gjithë të tjerët, kërkon falje dhe pendohet tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë. Ndërkohë Profeti (a.s.) kërkon falje jo se është mëkatar, por ngaqë ai  mendon se adhurimi i tij karshi Allahut të Lartësuar nuk është i plotë. Ibnu Haxher El Askalani thotë: “Në momentin që Profeti (a.s.) nuk e përmend Allahun, adhurimi i tij nuk konsiderohet i plotë, prandaj edhe ai kërkon falje për të demonstruar adhurimin dhe falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar.”

Përfitimet e nxjerra nga hadithi

1 – Betimi dhe përforcimi i mendimit

2 – Modeli i mirë

3 – Adhurimi i shumtë i Profetit (a.s.)

4 – Istigfari

5 – Vazhdimësia e pendesës dhe kthimit tek Allahu

Betimi dhe përforcimi i mendimit

Betimi konsiderohet një prej instrumentave më të rëndësishëm të ftesës islame, sepse në vetvete ai mbart një sërë nocionesh. Pikërisht, për këtë arsye Profeti (a.s.) betohet se kërkon falje dhe pendohet tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë. Profeti (a.s.) betohet në emër të Allahut, çka dëshmon qartë për rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka tek Allahu istigfari dhe pendimi. Imam Ibnu Haxheri thotë: “Betimi në një diçka tregon përforcim të mendimit megjithëse ai i cili e dëgjon mendimin nuk ka dyshim në të.” Në Kur’anin Famëlartë, Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar Profetin (a.s) që të betohet: “Të pyesin ty (o Muhamed) a është ai (Kur’ani) i vërtetë? Thuaj: Po, betohem në emër të Zotit tim që me të vërtetë ai është i tillë.”[6]

Po ashtu edhe përforcimi i mendimit konsiderohet prej instrumentave më të rëndësishëm të ftesës islame, sepse Profeti (a.s.) në këtë hadith shprehet me këto fjalë: “me të vërtetë”. Përforcimi i mendimit dëshmon për vërtetësinë e lajmit. Kjo lloj forme e të shprehurit përdoret në shumë ajete kuranore. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë të devotshmit kanë shpëtuar.”[7] “Me të vërtetë ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, për ta janë përgatitur si vendbanim Xhenetet e Firdeusit.”[8]

Modeli i mirë           

Nga ky hadith kuptojmë se Profeti (a.s.) kërkon falje dhe pendohet tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë, duke qenë kështu shembulli dhe modeli më i mirë për umetin e tij, që e ka për detyrë që ta ndjekë dhe ta pasojë veprën e tij.

Muhamedi (a.s.) është mësuesi dhe edukatori ynë në fjalët dhe veprat e tij. Ai kërkonte falje tek Allahu dhe i ka urdhëruar njerëzit që të kërkojnë falje tek Allahu, në mënyrë të atillë që ata ta marrin atë për shembull dhe ta pasojnë veprën e tij.

Prandaj, modeli i mirë konsiderohet prej cilësive kryesore me të cilat duhet të përshkruhet besimtari mysliman. Profeti Muhamed (a.s.) ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë modeli më i mirë në të gjitha fushat e jetës. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, I Dërguari i Allahut ka qenë shembulli më i mirë për atë njeri që kërkon kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e botës tjetër.”[9]

Myslimani duhet të jetë shembulli dhe modeli më i mirë në mesin e njerëzve. Nëse ai i fton ata që të falin namazin, duhet të jetë ai vetë i pari që ta falë namazin. Nëse i fton ata që të japin sadaka (lëmoshë), duhet të jetë vetë i pari që të japë sadaka. Ai që nuk kujdesohet për të qenë vetë modeli dhe shembulli më i mirë, realisht ai me veprën e tij i largon njerëzit nga besimi.

Myslimani i suksesshëm duhet të jetë model për të tjerët në të gjitha veprimet dhe sjelljet. Nuk ka pikë dyshimi se nëse ai zbaton me përpikëri atë që thotë, ftesa e tij për në besim do ketë rezultatet e pritura, sepse njerëzit tek ai shikojnë personin model. Ata jo vetëm që e dëgjojnë atë me veshë, por në të njëjtën kohë e shikojnë atë edhe me sytë e tyre, se sa i përpiktë dhe korrekt është ai në ato që thotë.

Adhurimi i shumtë i Profetit a.s.

Ky hadith është argument i qartë se profeti Muhamed (a.s.) është njeriu që më së shumti e ka adhuruar Allahun e Lartësuar nga të gjithë njerëzit e tjerë. Ai është që më shumë se çdo kush tjetër e ka pasë frikë Allahun.

Në të gjitha aspektet Profeti (a.s.) ka qenë i pari dhe askush nuk mund të krahasohet me të. Ai  ka qenë adhuruesi më i madh, durimtari më i madh, agjëruesi më i madh. Ai ishte që më shumë se çdokush tjetër i mbështetej më fort Allahut. Ai ka qenë njeriu që më shumë se çdokush tjetër ishte i kënaqur me caktimin e Zotit. Ai (a.s.) ishte njeriu që më shumë se çdokusht tjetër i lutej Allahut, e falënderonte dhe kërkonte strehim tek Ai. Ka qenë më trimi, më toleranti, më i turpshmi, më i edukuari, më modesti. Ai ka qenë njeriu që më mirë se çdokush tjetër e ndjente mbikqyrjen e Allahut, njeriu më i përkushtuar dhe më i përqendruar në adhurim, njeriu që më shumë se kushdo tjetër ka falë namaz.

Profeti falej gjithë natës, përveçse një pjese të vogël të saj, saqë këmbët i mpiheshin nga qëndrimi i gjatë. E megjithëse atij i janë falur të gjitha mëkatet, me këtë falje ai (a.s.) shprehte mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar.

Ja se si e përshkruan Auf ibnu Malik Profetin (a.s.) duke falur namazin e natës: “Një natë isha me Profetin (a.s.). Në fillim i pastroi dhëmbët me misvak, mori abdes dhe pastaj u fal. Edhe unë iu bashkangjita në namaz. Ai filloi të lexonte suren Bekare. Sa herë që lexonte një ajet që fliste për mëshirën e Allahut, ndalonte dhe lutej për mëshirë. Sa herë që lexonte ndonjë ajet që fliste për ndëshkim, ndalonte dhe kërkonte mbrojte prej Allahut nga ndëshkimi. Më pas ai ra në ruku dhe qëndroi ashtu afërsisht sa kishte qëndruar në këmbë … Pastaj binte në sexhde duke qëndruar përafërsisht aq sa kishte qëndruar më parë. Më pas në rekatin tjetër lexoi suren Ali Imran dhe veproi ashtu siç kishte vepruar në rekatin e parë.”[10]

Ndërsa Aishja (r.a.) thotë: “Askush prej jush nuk mund ta përballojë atë që ka përballuar Profeti (a.s.). Ai agjëronte aq shumë saqë mendoja se asnjëherë nuk ka për ta ndërprerë agjërimin dhe nëse dëshiroje ta shikoje atë gjithë natën duke u falur, me të vërtetë që e shikoje.”

Në betejën e Bedrit, Profeti (a.s.) i lutej Allahut me përgjërim dhe kërkonte strehim tek Ai që ta shpëtonte grupin e besimtarëve që ishin bashkë me të aq shumë saqë rroba që kishte mbi supe i ra nga krahët dhe, Ebu Bekri i tha Profetit (a.s.) që ta ndërpriste lutjen, sepse Allahu ia kishte pranuar atë.

Profeti (a.s. ) ka qenë njeriu më bujar, ndërkohë që gjatë muajit të Ramazanit ai ka qenë akoma më tepër.

Kështu pra, duke parë me vëmendje jetën e profetit (a.s.) do të gjejmë se ai është personi që ishte më i përkushtuar me adhurim se kushdo tjetër.

Istigfari

Të kërkuarit falje më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë nga ana e Profetit (a.s.), tregon se istigfari është shumë i rëndësishëm.

Profeti Nuh (a.s.) e urdhëroi popullin e tij që të kërkonte falje tek Allahu: “Unë u thashë atyre: Kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse me të vërtetë Ai është Falës. Për shkak të kërkimit falje, Ai ju dërgon shi të bollshëm, ju shton pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe për ju bën kopshte dhe lumenj.”[11]

Edhe profeti Hud (a.s.) e urdhëroi popullin e tij që të kërkonte falje tek Allahu: “O populli im, kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse ai ju zbret nga qielli shi të bollshëm, jua shton forcën që keni më shumë dhe bëni kujdes e mos u ktheni në njerëz mizorë.”[12]

Istigfari është shkaku kryesor i faljes së mëkateve. Në një hadith kudsij, Allahu i Lartësuar thotë: “O robërit e Mi, me të vërtetë, ju gaboni natën dhe ditën, por Unë jua fal juve të gjitha gabimet. Prandaj, më kërkoni falje që Unë t’ju fal.”[13] Ndërsa Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem në emër të Atij në dorën e të Cilit është jeta ime se, nëse ju nuk do të gabonit, Allahu do t’ju zhdukte dhe, pastaj do të krijonte njerëz të tjerë që do të gabonin, do të kërkonin falje dhe Ai do t’jua falte gabimet.”[14] Në një hadith tjetër thuhet: “Për çdo natë, Zoti ynë zbret në qiellin e dynjasë derisa në pjesën e tretë të fundit të natës thotë: Kush do të lutet që Unë t’i përgjigjem, kush do të më kërkojë që Unë t’i jap dhe kush do të kërkojë falje, që Unë ta fal?!”[15]

Nga këto hadithe, dalim në konkluzionin se istigfari është mjaft i rëndësishëm dhe se ai zë një pozitë të lartë tek Allahu i Lartësuar. Prandaj, besimtar i suksesshëm është ai i cili i orineton njerëzit për tek istigfari.

Vazhdimësia e pendesës dhe kthimit tek Allahu:

Në shumë ajete Kuranore, Allahu i Lartësuar i urdhëron njerëzit që të pendohen. Ai thotë: “O ju të cilët keni besuar, pendohuni me sinqeritet të plotë tek Allahu.”[16] “A nuk po pendoheni dhe të kërkoni falje tek Allahu?! Allahu është Falës e Mëshirues.”[17] “Me të vërtetë, Allahu i do ata që pendohen dhe që janë të pastër.”[18] “Ai i cili pasi është sjellur padrejtësisht pendohet dhe sillet mirë, Allahu e pranon pendesën e tij. Me të vërtetë, Allahu është Falës e Mëshirues.”[19]

Ndërsa Profeti (a.s.) nëpërmjet fjalëve të tij na ka nxitur që të pendohemi sa më shpejt tek Allahu. Hadithet e tij janë të shumta, por le të mjaftohemi me hadithin ku ai thotë: “Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet përpara se të perëndojë Dielli.”[20]

Me fjalën pendesë kemi për qëllim; që njeriu të pendohet për mëkatet dhe gjynahet që ka vepruar dhe, të vendosë me gjithë zemër se ai asnjëherë nuk ka për t’i kryer ato. Ai duhet të pendohet për hir të Allahut dhe jo për ndonjë përfitim material të kësaj bote, apo të pendohet i imponuar nga dikush. Përkundrazi, pendesa e tij duhet të bëhet me dëshirë.

Njeriu i cili pendohet tek Allahu i Lartësuar, ka dy benefite:

Benefiti i Parë: Zbaton urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kur njeriu zbaton urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij gjen lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Benefiti i Dytë: Merr për shembull Profetin (a.s.), sepse ai (a.s.) e ka pasë zakon që pendohej tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë.

Njeriu duhet të jetë i sinqertë në pendesën e tij, sepse ai i cili pendohet me zemër apo me fjalë mirëpo vazhdon të bëjë mëkate, atëherë pendesa e tij nuk mund të quhet pendesë e vërtetë. Si mund të thotë njeriu: Unë pendohem tek Allahu ndërkohë që vazhdon të mëkatojë apo e ka vendosur me gjithë zemër që ta kryejë mëkatin?!

Nëse ti gabon ndaj dikujt dhe sillesh me të në këtë formë, atëherë me të drejtë ai që ke gabuar ndaj tij do të zemërohet dhe do të kujtojë se ti po tallesh me të.  Kur njeriu nuk e pranon një gjë të tillë, po Allahu i Lartësuar? Ka prej atyre njerëzve të cilët thonë: unë jam penduar dhe nuk pi alkool. Mirëpo ai vazhdon të pijë alkool haptazi përpara të gjithë njerëzve. Këta njerëz bëjnë tre gabime: 1- mëkatin e pirjes së alkoolit, 2 – mashtrojnë vetveten, 3 – nuk kanë seriozitet në marrëdhëniet dhe raportin me Krijuesin e tyre.

Prandaj, nëse me të vërtetë kërkojmë që të pendohemi tek Allahu, atëherë duhet që ta braktisim mëkatin plotësisht, ta urrejmë atë dhe të pendohemi përse ne e kemi vepruar atë.

Epilog

Tregohet se një person shkoi tek një dijetar dhe i tha: bereqeti në pronë më është pakësuar, prandaj më këshillo se çfarë duhet të veproj. Dijetari i tha: kërko falje tek Allahu. Më pas vjen një person i dytë që i ankohet dijetarit se ka shumë pak pasuri, dijetari  i tha: kërko falje tek Allahu. Pastaj vjen një personi i tretë që kërkon të këshillohet me dijetarin në lidhje me pasardhësit që ishin të pakët në numër. Dijetari e këshillon duke i thënë: kërko falje tek Allahu. Të pranishmit, të habitur e pyesin dijetarin: dijetar i nderuar, erdhën tre persona të ndryshëm të cilët të drejtuan pyetje të ndryshme dhe ti u dhe të njëjtën përgjigje?! Po – tha ai, është e vërtetë, po a nuk e keni dëgjuar fjalën e Allahut në Kur’an: “Unë u thashë atyre: Kërkoni falje tek Zoti juaj, sepse me të vërtetë Ai është Falës. Për shkak të kërkimit falje, Ai ju dërgon shi të bollshëm, ju shton pasurinë dhe fëmijët tuaj.”[21]

 (Revista Drita Isalame, Maj 2013)

 


[1] Transmeton Buhariu.

[2] Nisa: 106.

[3] Nasr: 3.

[4] Nuh: 11-12.

[5] Munafikun: 5.

[6] Junus: 53.

[7] Nebe’e: 31.

[8] Kehf: 107.

[9] Ahzabë: 21.

[10] Transmeton Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[11] Nuh: 11-12.

[12] Hud:52.

[13] Transmeton Muslimi.

[14] Transmeton Muslimi.

[16] Tahrim: 8.

[17] Maide: 74.

[18] Bekare: 222.

[19] Maide: 39.

[20] Transmeton imam Muslimi.

[21] Nuh: 11-12.

You must be logged in to post a comment Login