Teknika, magjia e civilizimit bashkëkohor

Teknika, magjia e civilizimit bashkëkohorHistoria njerëzore ka njohur një sërë qytetërimesh qysh nga lashtësia e deri më sot, disa relikte të së shkuarës e disa prezentë, në përpjekje për t’u ringritur apo për të mos pësuar kthimin në relikte. Përgjatë ecurisë së etapave të tyre jetësore, ata janë shoqëruar nga zhvillime të cilat kanë ndikuar në modelimin e tyre dhe në pasurimin e trashëgimisë njerëzore. Njeriu, si qenie e hedhur në botë, e ka të detyrueshme të hyjë në marrëdhënie të ngushtë me tokën, pasi që prej saj siguron jetesën. Në përpjekjet për sigurimin e jetesës ai ka hasur vështirësi qysh nga kohërat më të hershme e deri më sot. Përballja me vështirësitë, ka sfiduar aftësitë dhe potencialet e tij fizike dhe mendore. Dëshira për të shmangur vështirësitë solli në dritë mjete të cilat filluan të shoqëronin jetesën e njerëzve nga një periudhë historike në tjetrën. Pra njeriu filloi të përdorte mënyra, taktika për të sfiduar vështirësitë e jetës. Ky përdorim i mënyrave apo taktikave, që mund ta quajmë teknikë, është po aq i vjetër sa edhe njeriu. Madje përdorimi i saj shtrihet edhe deri tek gjallesat e tjera, por meqenëse ato e realizojnë teknikën në kufijtë e instinktit, interesi ynë qëndron tek mënyra se si njeriu realizon teknikën. “Në qoftë se do të na duhej të kuptonim thelbin e Teknikës nuk duhet të fillojmë nga teknikat e epokës së makinave dhe aq më pak nga nocioni çorientues që formësimi i makinave dhe veglave është qëllim i teknikës.” (Spengler, O. Njeriu dhe teknika, Tiranë, fq. 20) Në këtë kontekst, teknika nuk është e lidhur domosdoshmërish më erën e mekanikës, por ajo është pjesë e pandashme e njeriut, përgjatë gjithë jetës së tij. Teknika duke qenë taktikë, mënyrë, proces, stil i të vepruarit dhe të jetuarit nuk mund të lidhet dhe as të konsiderohet si e lidhur drejtpërdrejt vetëm me mekanikën dhe makineritë. Tek e fundit qëllimi themelor i teknikës në natyrshmërinë e saj, nuk ka qenë drejtpërdrejt prodhimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjeteve mekanike. Qytetërimet e hershme apo më saktë qytetërimet tradicionale, duke qenë më pranë natyrshmërisë njerëzore, nuk janë ndeshur me problemin e teknikës, në atë mënyrë dhe në atë formë me të cilën u ndesh njeriu i kohëve moderne. Thelbi i modernitetit lidhet drejtpërsëdrejti me prometeizimin e njeriut dhe shfrytëzimin e potencialit njerëzor nën moton, këtu dhe tani. Këtu dhe tani u kthye në themelin e qëllimit të veprimtarisë së njeriut modern, i cili materializimin e teknikës në praktikë do ta perceptonte jo si element shërbestar i pandashëm i qenies së tij, por si vetë qëllimin. Industrializimi i prodhimit dhe zgjerimi në rritje i përdorimit të informatikës në jetën e përditshme janë tregues domethënës se deri në ç’shkallë ritmi i të jetuarit po përcaktohet pikërisht nga ky zhvillim. Sikundërse e theksuam pak më lart, shumë besojnë se qëllimi i teknikës ishte dhe është prodhimi i makinave për të lehtësuar njeriun nga vështirësitë dhe për t’i sjellë një grintë ndryshe nga tradicionalja jetës së tij. Qëllimi i njerëzimit konsiderohej që synonte në lehtësimin e individit nga sa më shumë punë që ishte e mundur dhe hedhjen e barrës mbi makinën. Çlirimi nga “mjerimi i skllavërisë nga paga”, barazia në argëtime dhe komoditete dhe “gëzimi nga arti”, kjo është panem et circenses (bukë dhe amfiteatër) e qytetit gjigant të periudhave të vonshme që ishte duke u prezantuar. Filistini i progresit dylloste me lirizëm çdo nyje që vinte një aparat në lëvizje për të supozuarin kursim të fuqisë punëtore njerëzore. Në vend të besimit të ndershëm të kohëve më të hershme ishte një entuziazëm i cekët për “arritjet e njerëzimit”, me të cilat nuk kuptohej gjë veç progresit në teknikën e kursimit të fuqisë punëtore dhe prodhimit të dëfrimit. Për shpirtin asnjë fjalë.” (Njeriu dhe teknika:17). Kjo panoramë e zhvillimit dhe progresit është reale vetëm në një drejtim, vetëm në një dimension, atë të rritjes së fuqisë materialistike. Fuqia materiale në rritje e ndihur nga teknikat e industrializimit dhe informatizimit ka ngjizur tek njeriu modern sigurinë e superioritetit dhe fuqinë e dominancës përmbi natyrën, sepse ai nuk njeh autoritet më të lartë sesa mendja e tij në jetën e përditshme. “Vendi i “kjo do të jetë kështu” dhe “duhet të jetë kështu” është zënë nga e papërkulshmja “kjo është kështu”, “kjo do të jetë kështu”. (Njeriu dhe teknika:19). Kjo siguri në qenien e vet ishte pasojë e pashmangshme e konsiderimit të vetvetes si fëmijë i natyrës, qëllimi i të cilit është jo vetëm çlirimi nga prangat e skllavërisë së saj, por edhe përfundja e saj nën peshën e sundimit të tij dhe jo të ndonjë autoriteti tjetër përtejnjerëzor. Dhe natyrisht që në këtë rravgim, forca e mendjes si autoriteti më i lartë për njeriun modern, hulumtoi nëpërmjet ligjeve të cilat as që nuk i vendosi vetë, shtigjet, rruginat, për të rritur dhe fuqizuar “pushtetin” e tij mbi botën. “Lëvizjen nëpër këto rrugina ne e quajmë Progres. Kjo ishte motoja e madhe e shekullit të kaluar. Njerëzit e panë historinë para tyre si një rrugë në të cilën marshoi me trimëri dhe gjithmonë përpara “njerëzimi”- në kuptimin e këtij termi të racave të bardha, ose më saktësisht banorët e qyteteve të tyre të mëdha, apo edhe më saktë, “të arsimuarit” midis tyre.” (Njeriu dhe teknika:22). Shumë janë të ngashnjyer nga ky progres i jashtëzakonshëm i qytetërimit modern në raport me qytetërimet e hershme. Ky progres ka instaluar në logjikën e njeriut modern bindjen e patundur se ai mund të realizojë plotësimin e gjithë sa mund të rrokin dëshirat e tij, sepse plotësimi i një dëshire çel oreksin për të plotësuar njëmijë të tjera. Tashmë njeriu modern nuk sheh asgjë si të pamundur. Për të çdo gjë është apo do të jetë e rrokshme, e prekshme, e arritshme, konkrete. Nuk ka forcë që ta ndalë në këtë rrugëtim. Kjo siguri në vetvete, kjo bindje e patundur në suksesin e të qenit “i pushtetshëm” mbi natyrën dhe mbi njerëzit që nuk i përkasin kësaj mendësie, ishte një rrjedhim i pashmangshëm i fuqisë së arritur nëpërmjet industrializimit dhe informatizimit. Dhe ishte pikërisht kjo fuqi, kjo dominancë e arritur nga njeriu modern, që magjepsi këtë njeri me vetveten. I magjepsur nga çfarë ai ka arritur, duke harruar se lëndën e parë asnjëherë nuk mund ta krijojë dot vetë, e katapultoi veten në pozitat e një kacagjelosje të pa precendentë. I sigurt në suksesin e tij, në sajë të makinës, produkt i logjikës dhe kalkulimeve po të tij, tashmë e sheh veten si zot të asaj çfarë ka arritur dhe kërkon të arrijë. Kjo është magjepsja më e lartë dhe njëkohësisht më shkatërrimtarja për jetën e njeriut. Dehja nga suksesi njëdimensional e ka verbëruar aq shumë saqë natë e ditë mendon vetëm e vetëm sesi të materializojë teknikën, stilin e tij, në shërbime të cilat, jo vetëm që nuk e lehtësojnë jetesën e tij, por e korkolepsin gjithmonë e më keq në labirintet e magjepsjes. Mjaft të vërejmë se si kanë vërshuar kudo produktet e aplikimit praktik të teknikës, të reklamuara fuqishëm nëpërmjet mediumeve të komunikimit masiv. Ajo çka e magjeps tashmë njeriun nuk është më funksioni, por zbukurimet spërdredhëse që i bashkëngjiten funksionit, në thelb i pandryshuar. Përjashtësia, forma, shkëlqimi i jashtëm, bojatisja, eksplorimi i larushive të aplikacioneve teknike, ja çfarë e josh dhe e tërheq osh njeriun modern në jetën e përditshme. Natyra me bukuritë e saj, nuk i bën më përshtypje dhe në rastin më të mirë e konsideron si një banalitet që nuk ka patur forcën t’i rezistojë rebelimit dhe ngritjes në pozitat e një sunduesi, të fëmijës së saj. “Një botë artificiale po përshkon dhe po helmon natyroren. Vetë Qytetërimi është bërë një makinë e cila bën, apo përpiqet të bëjë, çdo gjë në mënyrë mekanike. Ne mendojmë tashti vetëm në kuaj fuqi, nuk mund të shikojmë një ujëvarë pa e kthyer atë mendërisht në energji elektrike, nuk mund të sodisim një fshat plot bagëti që kullosin pa menduar për shfrytëzimin e tyre si furnizim për mish, nuk mund të shikojmë një punim të vjetër dore të një populli të virgjër primitiv, pa dëshiruar ta zëvendësojmë me një proces modern teknik.” (Njeriu dhe teknika:90). Pasojat e magjepsjes më të lartë thellohen edhe më kur edhe atë që është natyrore njeriu modern e ka shndërruar përmes eksperimentimit në produkt të tij. Natyra dëshmon Krijuesin e saj, qyteti dëshmon njeriun. Dhe më së shumti në qytet, njeriu ndihet krijues deri edhe i pemëve apo luleve që zbukurojnë qoftë dhe një ambient të caktuar. Natyrorja, edhe pse e pazëvendësueshme, po lëshon pe përditë e më shumë përballë dëshirës së ethshme të njeriut modern, në hedhjen në qarkullim të bimëve, dhe jo vetëm të tyre, me origjinë eksperimentale. E gjithë kjo vetëm e vetëm që ai të ndihet zot në krijimin e tij dhe teksa të vështrojë “krijesat e tij” të shprehë pushtetin e tij mbi to duke thënë se kjo është ajo çfarë unë kam krijuar. Etja për të dëshmuar fuqinë dhe pushtetin mbi natyrën, ka çuar domosdoshmërisht drejt shprishjes së shumë ekuilibrave jetësorë, për të cilët njeriu modern duket sikur nuk shqetësohet aspak. Pasojat nuk vonuan të duken edhe mbi vetë natyrën dhe botën e gjallë. “Mekanizimi i botës ka hyrë në një fazë të mbitensionit tepër të rrezikshëm. Pamja e tokës, me bimët e saj, kafshët dhe njerëzit, ka ndryshuar. Në disa dhjetëvjeçarë, shumica e pyjeve të mëdhenj janë zhdukur, për t’u shndërruar në letër gazetash dhe ndryshimet klimaterike janë në përgatitje e sipër që të rrezikojnë ekonominë bujqësore të popullsive të tëra. Specie të panumërta kafshësh janë zhdukur, ose pothuaj janë zhdukur, si bizoni apo dhe raca të tëra të njerëzimit janë sjellë pothuajse në pikën e zhdukjes, si indianët amerikanoveriorë dhe australianët.” (Njeriu dhe teknika:90). Edhe pse makina shërbeu si arma më finoke dhe idhnake në magjepsjen e njeriut për sundimin dhe shkatërrimin e natyrës, tashmë njeriu modern ndodhet përballë efektit boomerang. Makina po rebelohet kundër krijuesit të saj. “Padroni i botës po bëhet skllav i makinës, e cila po e detyron atë – po na detyron ne të gjithëve, jemi apo nuk jemi të vetëdijshëm për këtë – të ndjekë kursin e saj.” (Njeriu dhe teknika:87). Të magjepsurit dhe të mrekulluarit deri në detaj nga teknika dhe produktet e saj, do të dalin në mbrojtje të saj, pavarësisht pasojave që ka plasuar në jetën e njeriut. Mirëpo “kur kritikohet civilizimi (teknika moderne, N.N.), nuk kërkohet që të flaket. Edhe sikur të donim, civilizimi nuk mund të flaket. Ajo që duhet bërë dhe mund të bëhet është të rrënohet miti mbi të. Rrënimi i këtij miti është kusht për humanizimin (kthimin e njerëzores tek qenia njerëzore, N.N.) e mëtejmë të botës dhe detyra më e madhe e kulturës.”(Izetbegoviç,A. Islami ndërmjet Lindjes e Perëndimit, Shkup 2000, fq. 112)

Nga Nuredin NAZARKO

/Revista Drita Islame, Gusht 2013/

You must be logged in to post a comment Login