Tëhuajësimi – aspekti etik dhe estetik

tehuajesimiNë lidhje me fjalën tëhuajësim, për ata që mund të mos e kenë të qartë, fillimisht dua të bëj një sqarim paraprak. Siç e vëmë re edhe nga ana gjuhësore, te kjo fjalë e përbërë, kemi fjalën i/e huaj, gjë që na jep sinjalin e parë për ta dekoduar. E thënë përmbledhtazi, tëhuajësimi është një lloj denatyrimi i njerëzores përbrenda individit (që lidhet me aspektin etik), pra një lloj rënieje e njeriut. Ndërsa më konkretisht këtu, me tëhuajësim kuptojmë tjetërsimin tonë në marrëdhënie me veten, me tjetrin dhe me rrethanat. Pra, fjala është për përmasën e fetarisë, e cila duket qartë që është cenuar, ose që është tkurrur.

Në pjesën më të madhe të të ashtuquajturave veprimtari fetare vëmë re një lloj zhurmnaje vërtet shqetësuese, pjesët përbërëse të së cilës, të mbledhura bashkë, përbëjnë as më shumë e as më pak sesa një spektakël që sa vjen e po masivizohet, duke iu bashkëngjitur kështu shoqërisë që na rrethon, shumicës pra, për të cilën kemi harruar se janë të përhumbur, siç lexojmë në Kur’an; ajo shumicë që Guy Debord e quan “shoqëria e spektaklit”, ku në njëfarë mënyre forma është përmbajtje, muzikë, aktrim, performancë, njësim gjinish, surpriza (po deshët pafund) e kështu me radhë. Ku është përmasa e domosdoshme religjioze këtu? Çfarë bëhet me të kur po jepemi kaq shpesh pas aktivitetesh të kësisojta? Ku është thjeshtësia, përmbajtja, serioziteti dhe maturia?

Abdesi po vjen duke u reduktuar vetëm në higjienë. Kurse namazi vetëm në një barrë që duhet hequr, ngaqë jemi shumë të zënë; ose vetëm në ndoca lëvizje gjimnastikore që shërbejnë si shajni për të ledhatuar kompleksin e palestrave që u japin formë trupave të dorëzuar me qira. Pa folur pastaj për muajin e ramazanit, që sa vjen shndërrohet në një mbrëmje të stërzgjatur gala, duke plagosur rëndë përshpirtshmërinë dhe të qenurit të përmbajtur, që është thelbi i agjërimit.

Shkoj me bindjen se shqetësimi më i madh në këtë rast është: problemi nuk qëndron te gjynahet që bëjmë, por te dhënia me kaq pasion pas gjërave të lejuara, gjë që përbën një hedonizëm sui generis – të llojit të vet. Dhe për pasojë, ky është hapi i parë për të davaritur dallimin midis të lejuarës dhe të ndaluarës.

Tani dua të përqendrohem te një nga shkaqet kryesore që ka shkaktuar të tilla dukuri si ato që preka më lart, që është ndikimi, fakti që jemi ndikuar aq sa “nuk mban më kosi ujë”, për t’u shprehur përmes një narrative popullore. Duhet ta kujtojmë më shpesh thënien e njohur të Profetit: “Kush i përngjan një populli, ai është pjesë e tyre.” Fatkeqësisht, ky hadith është interpretuar përgjithësisht vetëm nga ana formale, ajo më pak e rëndësishmja, duke e reduktuar çështjen vetëm te veshja, stili i qethjes e të tjera kësodore, duke lënë mënjanë kësisoj thelbin: ndikimin nga ana botëkuptimore, që i jep formë më pas mënyrës sonë të jetesës, sepse çdokush është peng i botëkuptimit të tij, ose i mungesës së një botëkuptimi të caktuar, duhet të ketë edhe kështu.

Pra, mendoj se i kemi kaluar kufijtë për sa i takon ndikimit. Me pak fjalë, e kemi tepruar, dhe çdo teprim ka pasoja të rënda, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje botëkuptimore!

Ajo për të cilën duhet të vetëdijesohemi sa më shumë, është se duhet ta njohim mirë background-in botëkuptimor apo filozofik që qëndron pas mënyrës së jetesës në kushtet e një bote të ashtuquajtur moderne, e cila u ngjiz në Rilindjen Europiane dhe evoluoi kohë pas kohe deri në ditët tona. E thënë troç, në Rilindje u synua rrënimi i botës me Zotin në qendër dhe ndërtimi i një bote me individin në qendër, që vazhdon të ndërtohet edhe sot e kësaj dite. Pikërisht këtu qëndron enigma e utopisë, kur e pamundura besohet si e mundur!

Si rrjedhojë, siç thuhet në Kur’an, “harruan Zotin, dhe Ai bëri që ata të harrojnë veten”.

Më shumë se me asgjë e askënd tjetër, njeriu sot është në një lloj konflikti të ftohtë/heshtur me veten, shenjat e të cilit kanë marrë dheun. Nga njëra anë, mund të themi ashtu “lehtshëm” se kjo është pasoja që shkakton ankthi pa përgjigje/qëndrim i qenies-në-botë. Kurse nga ana tjetër, mund të themi me siguri të plotë se nëse ka një çështje që meriton përqendrim dhe thellim në këtë kohë, është pa dyshim njerëzorja, natyrisht jo vetëm nga pikëpamja fizike dhe e rrethanave që po krijohen, por, mbi të gjitha, nga pikëpamja metafizike – sepse gjithë çfarë po ndodh në botën e kapshme nga shqisat, nuk është gjë tjetër vetëm se pasojë e një shtrembërimi apo ngërçi të madh metafizik.

Ja pra, që njeriu nuk është fëmijë/pjellë e natyrës, sepse po të ishte, nuk do përjetonte kurrfarë ankthi, e si rrjedhojë nuk do shtronte asnjë pikëpyetje, dhe konflikti me veten do ishte thjesht një pamundësi.

Pa kthjelluar çështjen e origjinës, nuk mund të hidhet hapi i parë për të mbajtur qëndrimin e duhur mbi ankthin. E nëse hidhet ky hap, atëherë qenia përballet me një tjetër “ankth”, i cili ka burim/objekt, dhe nuk e topit qenien si i pari, por e motivon drejt përmbushjes.

Trajtat e konfliktit me veten sa vijnë e bëhen edhe më të papritura, edhe më befasuese. Këto trajta po shfrytëzohen në formë masive sa në industrinë e filmit (mbase përfaqësuesi më tipik i kulturës masive), sa si subjekte për letërsinë e për artin pamor (i cili ka kohë që është zhytur në realitet, duke u bërë vetëm një zgjatim i tij në trajta paksa të tjera), deri edhe për formate të caktuara spektakli humori, ku, natyrisht, pjesë e tyre dhe brenda vetë vorbullës së shënjuar janë edhe shënjuesit.

Një qenie e tillë, sa sipas Darwin-it, që u orvat shkencërisht të eklipsonte origjinën; sa sipas Freud-it, që i bëri thirrje për t’u “çliruar” nga kufijtë tradicionalë (si ndalesat, tabutë, komplekset etj.);  e sa sipas Sartre-t, që de facto e mbështeti Darwin-in me formulimin pikant “l’existence précède l’essence[1]”, e sa sipas neo-istëve të tyre, gjendet sot kryekrejt në udhëkryq e tërësisht e paralizuar përballë çdo pushteti që e mësyn me devizën e përhershme që kështu duhet të jesh.

Pra, për sa më sipër, del që njeriu nuk lind, por bëhet, dhe duhet të bëhet me patjetër, cilado qoftë kostoja e eksperimenteve në këtë drejtim.

Kush e merr përsipër të llogarisë vetëm kostot fizike të shekullit që lamë pas dhe të këtij në të cilin kemi hyrë!? A ekziston ndonjë ekuacion që merr përsipër të zgjidhë thjesht dëmet fizike që i janë shkaktuar njeriut në emër të njeriut qoftë dhe vetëm në “shekullin e madh të zhvillimit të paprecedent e të arritjeve të paimagjinueshme më parë”[2]!? Çfarë paskemi arritur kështu?!

Një qenie e tillë është krejt e çarmatosur, sepse është bërë shumë që të harrojë thelbin me të cilin vjen, madje edhe të distancohet prej tij me vetëdije për të qenë e “lirë”, për ta gjetur atë rrugës, ku të dalë, ndër rrethana të cilat na japin trajtë, në vend që t’ua jepnim ne atyre; ndër rrethana që na farkëtojnë si mos më përçudshëm, në vend që t’i farkëtonim ne si mos më përshtatshëm për të ruajtur thelbin me të cilin lindim/vendosemi si qenie-në-botë, atë thelb që tani ua kërkojmë me vrull e pezëm rrethanave, ndërkohë që e kemi përbrenda – ato vetëm sa na e kanë vënë në gjumë me një anestezi fantastike.

E si mund të jetë i lirë njeriu kur ka humbur lirinë e brendshme dhe çdo veprim e ndërmerr jo së brendshmi, por së jashtmi, në varësi të rrethanave, ashtu si t’ia diktojnë ato.

Lira përjetohet dhe manifestohet njëherësh kur njeriu i zotëron rrethanat, e jo e kundërta.

Por, i gjithë problemi është se këtë duhet ta meritojmë.

Dhe pas kësaj, pyetja që nxjerr krye pashmangshëm është:

A është normale kjo normalja jonë?

Nganjëherë sjelljet tona të kujtojnë Charlie Chaplin-in në kasollen e vet në filmin Dyndja drejt arit, kur ky merret me punë shtëpie pa e ndierë fare se banesa e tij po lëkundet, po shket për në greminë.

Në përgjithësi jemi të prirë të mendojmë se rendi në të cilën jetojmë është në rregull, që gjërat janë përbrenda një normaliteti që përsoset, dhe kështu rendi na duket i natyrshëm, sepse kështu bojatisin politikanët, analistët dhe intelektualët e oborrit dhe mediat e kontrolluara, që shpërndajnë kartolina të parajsës këtu dhe tani. Kur dalim nga shtëpia, shtëpitë dhe ngrehinat shumëkatëshe që na rrethojnë gjithandej na ngjajnë më shumë sikur janë pikuar nga një planet inteligjent qysh prej kohësh që nuk mbahen mend, e jo “thjesht” si ndërtesa të projektuara nga njeriu e të bëra po nga njeriu për njeriun. Profesioni që ushtrojmë na duket si i domosdoshëm për mbarëvajtjen e harmonisë në botë. Bisedat apo diskutimet që bëjmë me miq apo të njohur i shohim si të nevojshme për të ndryshuar status quo-në në vendin tonë. Pozita dhe profesionet e të tjerëve, cilatdo qofshin dhe pavarësisht si ushtrohen, jo vetëm që na duken pjesë e një rendi normal, por na zhysin shpeshherë edhe në lakmi sëmbuese.[3] Specialistët dhe ekspertët që ngjyejnë ekranet dhe gazetat me pudrën bio i marrim si fallxhorë të përshtatur që na rrëfejnë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet t’i bëjmë gjërat. Rrobat që përdorim janë bash ato që duhet të jenë; as që e çojmë nëpër mend se ndonjëri mund të dalë lakuriq ose me një veshje të “çuditshme” e të shprazë një karikator kallashnikovi ndër kalimtarë – madje, kjo na vlen vetëm sa për pakëz humor spontan, ngaqë pak gjë e qenësishme ka mbetur për t’u shkëmbyer. E kur kjo ndodh, si në rastin e Breivik-ut[4] e të qindra sivëllezërve e simotrave të tij këndejpari tokës së humanizmit, mbajmë gojën hapur përballë njëri-tjetrit, në pritje të ndonjë anestezie lokale.

Po ashtu, as që e çojmë ndër mend se mbi ne mund të shfaqet një avion bombardues e të shfarosë një qytet të tërë për disa sekonda, nëse na kap lapsi i ndonjë të (super)fuqishmi; apo, tanimë këto janë taktika/teknika të vjetruara, sepse kjo po ndodh ngadalë (jo si ekspresi që gjerbim nën stres mëngjeseve pa ag) përmes farmacive dhe ushqimeve që konsumojmë? Edhe bankat që i kemi në çdo qoshk strategjik në kuadër të urbanistikës postlaike, na duken se mu aty ku janë duhet të jenë, se përndryshe na derdhet qyteti si cola ndër copa akulli standarde. Bankat janë vetë paraja e përkthyer në tri përmasa (3D), ose një instalacion & performancë postmoderne me shkas nga paraja dypërmasore. Po, bash bankat, mbretëreshat e kohës që kanë më shumë skllevër se ç’kanë patur të gjitha mbretëritë e kaluara të marra së bashku. Edhe këto pra na duken krejt të natyrshme!

Vetëm të ashtuquajturat skandale[5], që u bë një kohë e gjatë që janë bërë thjesht intermexo-t e mediave, sikur na tundin pakëz, por vetëm për e shumta tre ditë, se vjen radha e tjetrit. Ose gjëmat a tragjeditë – edhe këto sikur na shkundullojnë, ndoshta më shumë për faktin se na duket vetja aq të pafuqishëm, sa edhe fjalët na ngecin në grykë.

Vetëm kështu duhet të marrim vesh ne? Jo. As këto nuk po na bëhen mësim. Jemi rënduar aq shumë vetëm me pësime metafizike, saqë komunikimi me veten dhe me tjetrin sa vjen e na bëhet edhe më i pamundur, ose postabsurd. Me sa duket jetojmë në një kohë postabsurde. Po ç’është postabsurdja? Pse, i kemi dhënë gjë përgjigje absurdit? Jo. Po nihilizmit? Jo. Po iluminizmit? Jo. U dashka shkuar pak larg… E kush po e vret mendjen për këto! Këto janë punë për filozofët; meqë i kanë shpikur, le t’i gjejnë vetë po të duan.

E nëse të gjitha këto na duken normale, atëherë le të urojmë njëri-tjetrin për tullën që kemi vënë në këtë ngrehinë. Por, askush nuk do e marrë iniciativën të urojë i pari!

E në të kundërt, atëherë le të merremi me dritaret, se, në gazmend e sipër, kemi harruar t’ia bëjmë.

Konkluzion

Vetëm ai që nuk e njeh sa dhe si duhet besimin dhe botëkuptim e vet, mund të jetë i ekspozuar ndaj ndikimit për të cilin folëm, i cili, si e analizuam, tëhuajëson. Kjo është një çështje sa e brendshme për secilin veçmas, por edhe një çështje që ka një lidhje të fortë me dijen, pra se sa ia dimë vlerat asaj që përfaqësojmë. Përsiatja dhe thellimi në dije ka qenë dhe mbetet përmendja më e fuqishme për çdokënd, gjë që përbën një shpluhurosje të sigurt të qenies nga shtresat e harresës që i mbivendosen gjatë rrugës si qenie-në-botë, aq më tepër sot, që me sa duket ka një ngërç në adresimin e vetes te një model i caktuar.

[1] Ekzistenca i paraprin thelbit.

[2] Siç thërrasin sot mbetjet e projektit të iluminizmit.

[3] Meqë jemi në këtë pikë, Picasso-ja thoshte se “nuk ka rëndësi se çfarë bën artisti, e rëndësishme është kush është artisti”.

[4] “I rënduar nga ana psikike”, na thanë! Mos ndofta ishte i rënduar nga ana metafizike?

[5] Me çfarë morali janë të tilla, përderisa çdo gjë është e lejuar, ose përderisa qëllimi e justifikon mjetin, siç na kanë mësuar hebrenjtë babaxhanë?

/Edison Çeraj/

/Revista Drita Islame, Shtator 2013/

You must be logged in to post a comment Login