Të tjerët për Muhamedin a.s.

Emri i tij është Muhamed*
Ju mund të jeni ateist ose agnosticist; ju mund t’i përkisni këtij a atij emërtimi fetar, që ka sot në botë; ju mund të jeni komunist; ju mund të jeni ithtar i demokracisë dhe i lirisë. Nuk ka rëndësi çfarë jeni, nuk ka rëndësi se cila është bindja juaj ideologjike dhe politike, nuk ka rëndësi se ç’tradita vetjake dhe shoqërore mund të keni. Sidoqoftë, ne ju ftojmë ta zbuloni këtë njeri të mrekullueshëm. 
Enciklopedia Britanike (Encyclopedia Britannica, Vëllimi 12) thotë për Muhamedin a.s.:
“…Shumë hollësi nga burimet e hershme tregojnë se ai qe një njeri i ndershëm dhe i çiltër, i cili kishte fituar nderimin dhe besnikërinë e të tjerëve, që ishin, gjithashtu, njerëz të ndershëm dhe të çiltër.” 
Kurse Berndard Shou thotë:
“Ai duhet të quhet Shpëtimtari i njerëzimit. Unë besoj se, në qoftë se një njeri si ai do të ushtronte diktaturën e botës së sotme, do t’ia arrinte t’i zgjidhte problemet e saj, çka do të sillte paqen dhe lumturinë, aq të nevojshme.” (The Genuine of Islam, vol. 1, Nr. 8, Singapore, 1936).
Muhamedi a.s. qe njeriu më i shquar që ka lindur ndonjëherë në këtë Tokë. Ai kumtoi një fe, themeloi një shtet, formoi një komb, vendosi një kod moral, ndërmori një numër reformash shoqërore dhe politike, hodhi bazat e një shoqërie të fuqishme e dinamike, e cila do të zbatonte e do të përfaqësonte mësimet e tij dhe revolucionarizoi botën e mendimit njerëzor dhe të sjelljes njerëzore për të gjitha kohët që do të vinin. 
Lindi në Arabi në vitin 571 të erës sonë. E filloi misionin e Shpalljes së fesë së Vërtetë, kur ishte dyzet vjeç dhe u nda nga kjo botë në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër njëzetetrevjeçare të misionit të tij, ai e ndryshoi tërësisht Gadishullin Arabik: nga paganizmi dhe idhujtaria tek adhurimi i Një Zoti, nga grindjet dhe luftërat fisnore te solidariteti dhe kohezioni kombëtar, nga vesi i pijes dhe shthurja te maturia dhe devocioni, nga paligjshmëria dhe anarkia te jeta e disiplinuar, nga kalbëzimi i plotë te normat më të larta të përsosurisë morale. Kurrë më parë a më pas, historia njerëzore nuk e ka njohur një shndërrim të tillë tërësor të një populli ose të një vendi dhe përfytyrojeni – të gjitha këto mrekulli të pabesueshme, në vetëm rreth dy dhjetëvjeçarë.
Lamartini, historiani i famshëm, duke folur për thelbin e mrekullive të Madhështisë Njerëzore, ka thënë:
“Nëse madhështia e qëllimit, mjetet e pakta dhe rezultatet mahnitëse janë tri kriteret e gjenisë njerëzore, atëherë, kush do të guxonte ta krahasonte ndonjë njeri të madh të historisë së sotme me Muhamedin? Njerëzit më të dëgjuar krijuan vetëm armë, ligje dhe perandori. Ata krijuan, nëse krijuan diçka, jo më shumë se fuqi materiale, të cilat shpesh u bënë pluhur e hi përpara syve të tyre. Ky njeri lëvizi jo vetëm armata, legjislacione, perandori, popuj e dinasti, por edhe miliona njerëz në një të tretën e popullsisë së atëhershme të botës dhe më shumë se kaq, Ai lëvizi altarët, perënditë, fetë, idetë, besimet e shpirtrat. Vetëpërmbajtja e tij në fitore, ambicia e tij, e cila iu kushtua tërësisht një ideje e kurrsesi përpjekjes për krijimin e një perandorie, lutjet e tij të pambarim, bisedat e tij mistike me Zotin, vdekja e tij dhe fitorja e tij pas vdekjes – të gjitha këto dëshmojnë jo për mashtrim, por për një bindje të patundur, e cila i dha fuqi për të ringjallur një besim. Ky besim qe i dyfishtë: njëjësia e Zotit dhe jolëndorësia e Zotit; e para, për të treguar, çfarë është Zoti; e dyta, për të treguar çfarë nuk është Zoti; njëra flak tej zotat e rremë me shpatë; tjetra shpall një ide me fjalë. 
Filozof, orator, apostull, ligjvënës, luftëtar, ngadhënjimtar i ideve, rigjallërues i besimeve racionale e i një kulti pa imazhe, themelues i njëzet perandorive tokësore dhe i një perandori shpirtërore – ky është MUHAMEDI. Tani, po të kemi parasysh të gjitha standardet, me të cilat mund të matet madhështia njerëzore, mundet fare mirë të pyesim: A ka ndonjë njeri më të madh se Ai?” (Lamartine, Historie de la Turquie, Paris, 1854, vëll. II, f. 276-277).
Bota ka pasur personalitete të mëdha, por ato kanë qenë figura të njëanshme, të cilat janë dalluar vetëm në një a në dy fusha të veprimtarisë, të tilla si, mendimi fetar ose drejtimi ushtarak. Jeta dhe mësimet e këtyre personaliteteve të mëdha të botës janë mbështjellë nga mjegulla e kohës. Ka kaq shumë hamendje, ka kaq shumë spekulim për kohën dhe vendin e lindjes së tyre, për mënyrën dhe stilin e jetesës së tyre, për natyrën e mësimeve të tyre e hollësi të mësimeve të tyre dhe për shkallën suksesit e masën e suksesit ose të dështimit të tyre, saqë është e pamundur për njerëzimin t’i rindërtojë saktë historinë e jetës së atyre njerëzve dhe mësimet e tyre. Por nuk ndodh kështu me Muhamedin a.s., i cili bëri aq shumë në fusha të tilla, krejt të ndryshme të mendimit njerëzor dhe të sjelljes njerëzore gjatë shkëlqimit më të plotë të historisë së njerëzimit. Çdo hollësi e jetës së tij vetjake dhe e kumtimeve të tij publike është dokumentuar saktë dhe është ruajtur besnikërisht deri në ditët tona. Autenticiteti i dokumentimeve, të ruajtura kaq saktë dhe kaq besnikërisht, garantohet jo vetëm nga pasuesit e tij besëtarë, por edhe nga kritikët e tij paragjykues.
Muhamedi qe mësues i fesë, reformator i shoqërisë, udhëheqës i moralit, kolos i qeverisjes së vendit, mik besnik, shok i mrekullueshëm, bashkëshort i përkushtuar, baba i dashur – të gjitha, të trupëzuara në një. Askush tjetër në histori nuk është shquar më shumë se ai e as nuk i është afruar atij në asnjë nga këto pjesë të ndryshme të jetës. Dhe, të tilla përsosuri të pabesueshme mund t’i arrinte vetëm një personalitet i tillë vetëmohues, siç qe Muhamedi.
Mahatma Gandi, duke folur për karakterin e Muhamedit, thotë në “Young India”, 1924:
“Doja të njihja më të mirin e atyre, të cilët kanë sot pushtet të padiskutueshëm mbi zemrat e miliona njerëzve… Unë u binda më shumë se kurrë se nuk qe shpata që në ato ditë i hapi truall fesë islame në skenën e jetës. Qe thjeshtësia e paepur e Profetit, mosvlerësimi i vetes në mënyrë absolute, përkujdesja skrupuloze për zotimet e veta, përkushtimi i tij i zjarrtë ndaj shokëve dhe pasuesve, trimëria e tij, guximi i tij, besimi i tij absolut në Zotin dhe në misionin e vet. Këto dhe jo shpata bënin që të kalohej çdo vështirësi. Kur e mbarova vëllimin e dytë (të jetëshkrimit të Profetit), më erdhi keq që nuk kisha më për të lexuar për jetën e madhe.”
Muhamedi a.s. nuk qe as më shumë dhe as më pak se njeri, por ai ishte një njeri me mision fisnik. Ishte misioni për të bashkuar njerëzimin, për të adhuruar Një dhe vetëm Një Zot dhe për t’u mësuar atyre rrugën për një jetë të ndershme dhe të pastër. Ai gjithmonë e quante veten “një shërbëtor dhe të Dërguar të Allahut” dhe vërtet, çdo veprim i tij tregonte pikërisht këtë. 
Maikëll H. Haat (Michael H. Hart), në librin e tij, të botuar para pak kohësh, në të cilin bën vlerësimin e njerëzve, që kanë kontribuar për të mirën dhe lartësimin e njerëzimit, shkruan: 
“Alternativa ime e vënies së Muhamedit në krye të listës së njerëzve më me influencë në botë mund të habisë ndonjë lexues e mund të diskutohet nga të tjerë, por Ai qe i vetmi njeri në histori, i cili pati suksesin më të madh, si në aspektin fetar, ashtu dhe në atë shekullar.” (M.H.Hart, The 100: A Ranking of the Most Influential Persons in History, New York, 1978, f. 33).
Sot, pas më shumë se katërmbëdhjetë shekujsh, jeta dhe mësimet e Muhamedit rrojnë pa as më voglën humbje, pa as më të voglin ndryshim, pa as më të voglën shtesë. Ato japin të njëjtën shpresë të pavdekshme për të shëruar shumë të këqija të njerëzimit, siç i shëruan të këqijat, kur ai ishte gjallë. Ky nuk është mëtim i pasuesve të Muhamedit a.s., por edhe përfundimi i pashmangshëm që imponohet nga një histori e paanshme. 
I nderuar lexues! Gjëja më e vogël, që ju mund të bënit, si njeri që mendoni dhe shqetësoheni, është të ndaloni për një çast dhe t’i bëni pyetjen vetes: A mund të ishin vallë të vërteta këto thënie, që tingëllojnë kaq të jashtëzakonshme dhe kaq revulocionare? Dhe, duke menduar se ato janë, realisht të vërteta, por ju nuk e njihnit këtë njeri, nuk e njihnit Muhamedin, ose nuk kishit dëgjuar për të, a nuk është koha që t’i përgjigjeni kësaj sfide të fuqishme dhe të përpiqeni ta njihni atë? Kjo nuk do t’ju kushtojë asgjë dhe do t’ju sjellë fitimin e një kthese krejtësisht të re në jetën tuaj. Ne ju ftojmë ta zbuloni këtë njeri të mrekullueshëm, Muhamedin (Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i cili kurrë nuk ka pasur të dytë në faqe të kësaj Toke.

* Marrë nga “A concept in Islam”, Ryadh, 1992. E përktheu nga gjuha angleze: H. Shehu.

You must be logged in to post a comment Login