Të shërohesh me helm

Mehmet Kara

Bleta, ky insekt kaq i dobishëm për njeriun, e cila përmendet edhe në Kur’anin Famëlartë, nuk prodhon vetëm mjaltin, por edhe disa produkte të tjera që kanë po aq rëndësi sa mjalti, si dyllë, polen, propolis, qumësht mbretëreshe dhe helmin. Të gjitha këto produkte të bletës, ashtu si edhe mjalti, janë përdorur si terapi plotësuese për shumë sëmundje (apiterapia). Ndër këto sëmundje mund të përmendim alergjitë, sëmundjet neurologjike, kancerin, virozat, kollën, kolesterolin e lartë, diabetin dhe djegiet. Disa nga këto mund të përdoren madje edhe për të rritur performancën atletike.

Efektet kuruese të produkteve të bletës nuk janë zbuluar sot, ato janë gjetur nëpër pergamena që në lashtësi. Në një pllakë guri të gdhendur që daton në vitet 2000-2100 para Krishtit përshkruhen vetitë kuruese të helmit të bletës. Në vitin 1935, u izolua nga helmi i bletës forapina, e cila menjëherë doli në treg dhe që nga ajo kohë vazhdon të përdoret me sukses edhe sot.

Përbërja kimike dhe efektet e helmit të bletës

Helmi i bletës është një lëng pa ngjyrë, pa erë, i tejdukshëm dhe i tretshëm në ujë që është rezistent ndaj temperaturave të ulëta dhe të larta. Në temperaturë ambienti ai thahet për 20 minuta dhe humbet 65-70% të peshës së tij duke marrë një ngjyrë të verdhë në kafe pas tharjes. Për të fituar një gram helm duhen rreth 10,000 thumbime blete.

Në helmin e bletës janë gjetur 18 substanca të ndryshme bioaktive, disa nga të cilat janë: melitinë, adolapinë, apaminë, histaminë, fosfolipazë A, peptide, dopaminë dhe hialuronidazë. Këto molekula shfaqin përbërje si aminoacide, proteina, yndyra, sheqer dhe enzima. Melitina dhe adolapina janë proteina anti-inflamatore, apamina rrit transmetimin nervor dhe histamina ka veçori antialergjike. Melitina, e cila përbëhet nga 26 aminoacide është molekula kryesore toksike e helmit të bletës. Ajo nxit sintezën e hormonit kortizol, i cili frenon inflamacionin dhe rrit rezistencën e membranës qelizore. Melitina gjithashtu nxit qelizat e sistemit imunitar të cilat parandalojnë formimin e radikaleve të lira që normalisht dëmtojnë indet dhe qelizat. Adolapina nga ana tjetër, përveç vetive antipiretike (që ul temperaturën), ka edhe veti analgjezike (që lehtëson dhimbjen). Apamina, e cila përbëhet nga 10 peptide, mendohet se luan rol në shërimin e sistemit nervor të dëmtuar.

Trajtimi me helmin e bletës

Fakti që trajtimet për reumatizmin nuk janë plotësisht efikase, i ka bindur pacientët dhe kuruesit të kërkojnë teknika trajtimi komplementare. Helmi i bletës është pranuar si teknikë kuruese komplementare në Kinë, SHBA dhe Europë. Qendrat e apiterapisë kanë lulëzuar në këto vende – dhe metoda më e mirë për të aplikuar apiterapinë është përdorimi i helmit të bletës.

Thumbi i bletës imitohet duke injektuar helmin e bletës në ose nën lëkurë, megjithëse ekzistojnë kremra ose kapsula me helm blete. Funksioni i injeksionit është i ngjashëm në një lloj mënyre me një thumbim të vërtetë, ose me akupunkturën. Akupunktura parandalon dhimbjen duke bllokuar transmetimin e saj në tru dhe palcën e kurrizit (receptorët opioidë dhe ata alfa 2 adrenergjikë) të cilët shkaktojnë dhimbje. Në mënyrë të ngjashme, thumbimi i bletës stimulon sekretimin e endorfinave, të cilat janë molekula që lehtësojnë dhimbjen. Prandaj, në mjekësinë kineze, është më e zakonshme që helmi i bletës të aplikohet nëpërmjet akupunkturës. Në disa raste, api-akupunktura praktikohet duke i kombinuar të dy trajtimet.

Trajtimi fillohet duke injektuar një sasi të vogël helmi blete nën lëkurë për të parë nëse pacienti do të përgjigjet me një reaksion alergjik. Nëse nuk ndodh reaksion alergjik, trajtimi vazhdohet me një ose dy thumbime blete ose injeksione. Trajtimi bëhet tre herë në javë, duke e rritur çdo herë numrin e thumbimeve dhe injeksioneve. Trajtimi mund të shkaktojë reaksione alergjike tek pacienti, të cilët mund të shfaqen me dhimbje, ënjtje, kruarje, skuqje, ose shumë rrallë edhe vdekje. Kështu që, si në çdo praktikë tjetër, trajtimi me helmin e bletës duhet të bëhet vetëm nga ekspertë, dhe nuk duhet të provohet nga kurues pa përvojë.

Përveç problemeve reumatike, helmi i bletës përdoret për trajtimin e artritit (artritit reumatoid), kalçifikimin e artikulacioneve (osteoartritit), dobësimin e kockave pas reumatizmit muskular, klimakterik (fibromialgji), dhe dhimbjen kronike.

Në një studim të kryer në 80 pacientë me reumatizëm artikular të inflamuar, 40 prej tyre u trajtuan me helm blete dy herë në javë për dymuaj. Pjesës tjetër të pacientëve iu injektua serum fiziologjik. Grupi i parë tregoi përmirësim domethënës për sa i përket artikulacioneve të ndjeshme dhe të inflamuara, shtangësisë së mëngjesit dhe dhimbjes. 

Në një studim të ngjashëm, pacientëve me reumatizëm artikular të inflamuar iu injektua helm blete tre herë në javë për tre muaj, dhe ankesat e pacientëve u ulën ndjeshëm.

Ky studim tregoi gjithashtu se helmi i bletës mund të përdoret për trajtimin e reumatizmit artikular të inflamuar.

Vetitë shëruese të bletëve kanë qenë të njohura prej kohësh. Nëse reflektojmë mbi këtë dhuratë, është e vështirë mos të admirosh krijimin e saj të përkryer.

Përktheu: Erion Sukaj

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login