Të punosh me penel dhe me bojë në kupolë

10293772_987932407901857_5590915008703075586_oArtizani Gentian Horanlli nga Shqipëria i jep formë brendisë së xhamisë së re në Brilon

Nga Tomas Vinterberg (Thomas Winterberg)

Brilon. Zjarri  që ra në mars të 2012 qe një goditje e rëndë p ër Shoqatën Kulturore turko-islame. Një njeri humbi jetën. Pesë të tjerë u lënduan dhe ndërtesa në të cilën gjendet faltorja e kësaj shoqate është dëmtuar kaq shumë saqë vetëm prishja dhe rindërtimi nga e para ka mbetur për t’u bërë. Një sipërmarrje e guximshme, të cilën e kanë marrë përsipër me zell të madh 80 anëtarët e kësaj shoqate. Shumë prej punimeve i kanë bërë vetë anëtarët, por tashmë bëhet fjalë për dekorimin e brendshëm të faltores. Për këtë nevojitet një profesionist. Ai vjen nga Shqipëria dhe është i vetmi në vendlindjen e tij që e ushtron më së miri këtë zanat.

Loja e ngjyrave dhe ornamenteve

Rruga mbi skelat dhe shkallaret e shumta deri në afërsi të kupolës ia ka vlejtur: Një lojë mbresëlënëse ngjyrash dhe ornamentesh. Këtu punojnë prej disa ditësh Gentian horanlli dhe kolegu i tij Besmir Muça. Një bordurë e ngjashme kuqeverdhë në formë gërsheti formon ndarjen mes murit dhe fillimit të kupolës. Dritaret e panumërta harkore përgjatë kupolës rrethore janë zbukuruar me ornamente shumëngjyrëshe. Poshtë saj, përreth kurbës së xhamisë valëzon një sure në shkrim kuranor preciz, verset i Kur’anit. Është ajeti 255 që thotë: “Ai është Allahu, nuk ka zot tjetër, përveç Tij.” – na shpjegon Ahmet Jëlldëz nga kryesia e bashkësisë. Piktorit të xhamisë nuk i nevojiten skica ose forma të gatshme për të vizatuar vargun kuranor. As tatuazhe muri  të gatshme apo shabllonet nuk i hyjnë në punë. Me dorë të lirë ai magjeps me shkronjat e huaja për ne dhe me lulkat që pikturon mbi suva. Brilonasit kanë dëgjuar për herë të parë për njeriun nga Shqipëria përmes internetit. Aty gjen piktura, ide dhe çmimet përkatëse. Arti i tij për të formësuar brendinë e xhamive e ka befasuar edhe vetë atë, e pas disa bisedash paraprake të dyja palët bien në të njëjtin mendim.

“Nëse çdo gjë është e izoluar mirë dhe shmanget lagështia nga muret e brendshme, pikturat dhe vizatimet e mia do të jetojnë gjatë sa vetë jeta.” Gentian horanlli, kaligraf

“Ne nuk kemi rregulla strikte për mënyrën se si duhet të duket ornamenti. Artisti orientohet sipas shkrimeve dhe ornamenteve të vjetra, ashtu siç bëheshin zakonisht në Perandorinë Osmane. Vende-vende diskutojmë për dendësinë e ngjyrës, nëse ngjyra kryesore duhet të jetë më e errët apo më e çelët. Megjithatë, ai ka dorë të lirë”, thotë Ahmet Jëlldëz. Në Brilon përdoren shumë bojërat e kuqe turke. Por, ato nuk mund të quhen më bojëra, të cilat përzihen veçan, por janë bojëra të gatshme posaçërisht për artistët. Për shembull si akrilik, por edhe fletë ari”, shprehet Horanlli.

Në vendin e tij, artisti ka një grup pune prej katër punëtorësh, të cilët punojnë ndër të tjera në Bullgari, Maqedoni ose Shqipëri. Projekti në Sauerland është një punë e vogël për të, ndaj Horanlli ka ardhur vetëm me një ndihmës. Pas studimeve të arkitekturës në Turqi dhe një specializimi disavjeçar në ndërtimin e brendshëm të faltoreve, piktura dhe kaligrafia janë bërë më të rëndësishme për të.  Zbukurimi i çdo xhamie është për të tashmë një sfidë e re. “Përpiqem ta bëj punën shkëlqyeshëm. Nëse çdo gjë është e izoluar mirë dhe shmanget lagështia nga muret e brendshme, pikturat dhe vizatimet e mia do të jetojnë gjatë sa vetë jeta”, thotë kaligrafi shqiptar.

Pa figura dhe portrete

Meqenëse kultura islame nuk e lejon portretizimin e figurës së Zotit, në xhami nuk gjen asnjë figurë apo portret hyjnor. Për këtë arsye kaligrafi punon shumë me dekorin dhe me shkrimin. Por edhe emrat e Allahut, Muhamedit, katër kalifëve dhe të pasuesve të tyre gjenden në muret e xhamisë, në shkrimin kuranor. Dita e hapjes së xhamisë nuk është caktuar ende, mbase në pranverë, ose në verë. Ndërkohë, kjo bashkësi po pret një dërgesë nga Turqia, në të cilën gjenden zbukurimet prej druri për pjesën e jashtme dhe për kubenë, si dhe pajisje të tjera të nevojshme si p.sh. mihrabi, minberi për imamin dhe kangjella artistike. Derisa ato të jenë vendosur, Gentiani bashkë me kolegun e tij do të jenë larguar me kohë nga Briloni.

Përktheu: Esmeralda Çaça

*Kopje e artikullit të botuar në gazetën gjermane.

10974313_987936261234805_2266360055975983523_o

 

You must be logged in to post a comment Login