Të njohim veten

Ne jetojmë mbi një top të rrumbullakët, vendosur diku në hapësirë. Njohim shumë gjëra, por ajo që lypset na ka mbetur e errët dhe e pazgjidhur.

Përparimi material ka arritur mjaft lart, aq sa s’ta merr mendja. Shkenca ka mundur të vërë në pah shumë pikëpamje të ndryshme të jetës lëndore. Janë përpiluar volume librash, ku flitet përgjithësisht mbi njeriun dhe mbi organizmat t’unjtra. Dituritë, në njëfarë kuptimi, mund të përmblidhen kështu: Shkenca e organizmës; e mendjes dhe e aktiviteteve dhe e prodhimit të këtyre. Mirëpo të gjitha këto studime të thella s’kanë mundur të hyjnë në esencën e njeriut.

Shkenca moderne, megjithëse ka nxjerrë në dritë mjaft gjëra për dobinë tonë, prapë është shumë mbrapa për sa i përket zbulimit të vërtetë të natyrës së njeriut.

Janë shkruar me mijëra faqe enciklopedie dhe prodhuar me miliona vepra letrare për të njohur gjëra të panumërta, por cili ka shkruar ndonjë enciklopedi mbi njohjen e vetvetes! Dijetarë të mëdhenj, me largpamjet e tyre, kanë mundur të bëjnë studime të imëta e të mbledhin informata të shumta gati mbi çdo send në botën e jashtme, por s’kanë ditur të kuptojnë veten. Kanë bërë vepra madhështore, kanë ngritur pallate gjigante, i kanë bërë transformime të çuditshme lëndës, por s’kanë qenë të aftë të zgjidhin problemin e thjeshtë të “Unit”. Mendja ka mundur të bëjë lloj-lloj shpikjesh, që ndihmojnë në lehtësimin e barrës së njeriut, por s’është përpjekur të depërtojë në misterin e vetes.

Ç’është arsyeja që njeriu të njohë veten para së gjithash? Sepse vetja është i vetmi realitet me të cilën kemi të bëjmë më tepër se me çdo gjë tjetër. Krejt faktet qark nesh si dhe mendimet që rezultojnë prej tyre, janë të vlefshme e të dobishme vetëm atëherë, kur neve të meritojmë për to. Njeriu njeh dhe çmon vetëm kur të njohë vetveten. Mistikët e mëdhenj me stërhollimin e këtij problemi kanë mundur të realizojnë këtë gjendje aq të dëshiruar prej të gjithëve. Ata dëftuan se bota materiale do të mos ekzistonte e veçantë prej kuptimit.

Ç’është atëherë vetja? S’ka sekret në Librin e Natyrës që me kohë e durim s’mund t’i arrihet për pa studiuar veten. As një kyç (dry) s’është bërë pa hapësin (çelësin) e përshtatur dhe ne dendur mund të njohim Mjeshtrin e Natyrës nga ajo e njeriut.

Studimi i saktë i vetvetes një ditë do të na çelësin kryesor për të hapur të gjitha portat filozofike të të tëra shkencave dhe problemeve të pazgjidhura të jetës. Vetja është kreu dhe fundi – është e para që njohim si fëmijë dhe do të jetë e fundit kur të realizojmë urtësinë e brendshme në pajtim me botën e jashtme.

Siguria më e madhe në dituri vjen vetëm kur të kemi zhvilluar në përplotësim cilësitë e fshehta në sferën e vetvetes. Ne s’mund të çmojmë botën dhe sendet që gjendet në të veç kur ndjenjat e shqisat të kenë arritur përsosurinë. Prandaj jemi të shtrënguar të kthehemi, herët a vonë, në studimin e rëndësishëm të vetvetes, së cilës çdo i mençur lypset t’i kushtojë energjinë e duhur të tij.

Një i urtë shkoi te një i dijetar i moçëm dhe i bëri këto pyetje, për çka mori këto përgjigje të sakta me përjashtim të njërës:

-Kush është i pari dhe i fundit në këtë botë?

-Zoti, sepse është i përgjithmonshëm.

-Cila është më e bukur se të gjitha?

-Gjithësia, sepse kjo është vepra-pasqyrë e Zotit.

-Çka është më e madhja e të tërave?

-Hapësira, sepse përmbledh çdo send të krijuar.

-Cila është më e qëndrueshme në botë?

-Shpresa, se kjo mbetet me njeriun edhe pasi ai të ketë humbur çdo gjë tjetër.

-Ç’është më e mira e të krejtave?

-Virtyti, se pa të s’ka gjë të mirë.

-Ç’është më e shpejtë se të gjitha?

-Mendja, se në më pak se një minutë mund të shkojë në fund të gjithësisë.

-Cila është më e fortë se çdo gjë tjetër?

-Nevoja, e cila e bën njeriun të përballojë tërë rreziqet e jetës.

-Ç’ka është më e lehtë se të gjitha?

-Të dhënit këshilla.

Kur erdhi te pyetja e fundit i dituri dha një përgjigje, që sigurisht vetë nuk e kuptonte dhe se gjithë njerëzit e ditur materialistë s’mund t’i japin veçse një kuptim të sipërfaqshëm. Pyetja ishte: Çka ishte më e vështira e të gjithave?

Përgjigja ishte: Të njohim veten.

Botuar në revistën “Njeriu”, Nr. 3-4, shtator-tetor 1942.

You must be logged in to post a comment Login