Të jetosh Ramazanin

 

nga Ali ZAIMI

Më fjalëdrejti i njerëzve, Hz. Muhamedi (a.s.), që në krye të herës, solli lajmin e gëzueshëm se kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me përkushtim i falen të gjitha gjynahet e kaluara. Pikërisht me fillimin e Ramazanit, rinovohen edhe një herë mendimet, ndizen shpresat, frymëzohen ndjenjat, pastrohen ndërgjegjet; besimtarët me dëlirësinë që i karakterizon kërkojnë të shijojnë të gjitha minutat plot begati të kësaj sofre hyjnore, minutat nxisin adhurimin dhe veprat e mira si asnjëherë tjetër, veprat synojnë sinqeritetin dhe mëshirën, ndërsa mëshira në frekuenca të shumëllojshme përqafon botën mbarë…

Ky adhurim që e ngre njeriun në nivelin e engjëjve, duke e bërë të ndjejë nevojën e ushqimeve, i kujton atij vlerën e mirësive dhe Pronarin e vërtetë të tyre; duke i vënë fre egos e maturon atë; duke e bërë bashkëvuajtës me shtresat në nevojë, i mëson atij durimin dhe e bën të përgatitur të përballojë vështirësitë e mundshme të jetës.

Me ardhjen e Ramazanit bien të gjitha barrierat e arritjes për tek Allahu, shkatërrohen të gjitha paudhësitë, zbret qetësia dhe mirësia; e mbi tokën e besimit mbretëron mëshira, dashuria, vëllazëria…

Për shpirtrat që ndiejnë përherë etjen për mëshirë, Ramazani është si shiu që mbërrin në zemër të tokës, vadit gjithë qenien, nga koka tek këmbët, ujit ndërgjegjet që kanë filluar të thahen, zbret deri në thellësitë e ndjenjave dhe e kthen vetëdijen njerëzore në një pllajë të gjelbëruar.

Çdo natë në Ramazan është shumë më e thellë se netët e tjera dhe me dimensione të përtejme; ndërsa ditët veshur me ngjyrat e mëshirës sjellin atmosferën e një mbretërie paqeje, nga Lindja në Perëndim, falë energjisë e cila buron nga besimi në zemrat e njerëzve. Paqe e cila mbulon zemrën e besimtarit e qetëson shpirtin e mëkatarit.

Në këtë muaj shpirti i njeriut është i prirë drejt kthimit në esencën e tij dhe pastrimit të plotë. Në këtë muaj portat e qiellit janë hapur duke pritur lutjen e agjëruesit, nga ku drejtohet thirrja e Allahut: “A ka dikush që Më lutet – T’ia pranoj lutjen? Ka dikush që kërkon diç – që T’ia jap? Ka dikush që kërkon për faljen e mëkateve – T’ia fal?”; krahët e mëshirës janë shtrirë anekënd dhe nuk ka lutje a pendim të mos pranohet, kjo falë Krijuesit dhe madhështisë që Ai i dha këtij muaji.

Privimet e vetëdijshme gjatë Ramazanit janë vetëm se rrjedhojë e bindjes së vullnetshme që vjen nga besimi, i cili është edhe çelësi magjik i lumturisë së të dy botëve. Koha e agjërimit është koha e pastrimit, ngadhënjimit dhe pranimit të lutjes, përmes së cilës besimtari i afrohet Zotit të botëve, si shenjë e nënshtrimit dhe respektit vetëm për Atë.
Shpirtrat e agjërueshëm, përgatiten çdo natë për një takim të ri, të emocionuar deri në ngazëllim, të sjellshëm në masë dhe të edukuar deri në habi, trokasin në dyert e mëshirës dhe shpresës. Në fytyrat e tyre shfaqen njëherësh modestia me seriozitetin, siguria me brengën, sundon të qenët që e mënjanon bindshëm të dukurit. Zemrat u rrahin me dashuri, para së gjithash për të Dashurin e vetëm të zemrës së tyre, e më pas, po për hir të Tij, për çka ai ka krijuar.

Sytë plot magji e të mbështeturve me gjithë zemër tek Allahu, pasqyrojnë një sërë thellësish prej së përtejmes dhe gati të gjithë këta sy shkëlqejnë me dritën e një bote të panjohur.

Ramazani, me gjithë dritën dhe forcën magjepsëse që zotëron, na pëshpërit me zërin shpresëdhënës pasuritë tona shpirtërore, traditën tonë të hershme; na pëshpërit dhe shpirtrat tanë të uritur i ngop me sofra të begata.

Mbarë myslimanët, të rinj e të vjetër, gra e burra, të pasur e të varfër, të shëndetshëm e të sëmurë, drejtues e të drejtuar, nëpunës e tregtarë, vijnë e bashkohen në klimën zbutëse, formuese e të magjishme të Ramazanit e me një përzemërsi, pastërti, ngrohtësi ndajnë së bashku një lumturi që vetëm krijesat qiellore e njohin.

Gjatë këtij muaji, më tepër se kurrë njerëzit e besimit, me përulësi të plotë dhe dëshirë të zjarrtë kthehen te Zoti me tërë qenien e tyre, ndërkohë, çdo gjë tjetër veç kënaqësisë së Zotit zhduket nga vështrimi i tyre. Qëllimi i fesë Islame është të gatuajë një shpirt të dashuruar me besimin, njeriun dhe lirinë, dhe pikërisht Ramazani luan një rol të rëndësishëm për ripërtëritjen e këtij ideali.

Për të vëmendshmit e këtij muaji, iftaret përmbushen me ndjenjën e adhurimit dhe thuajse bashkëngjiten me teravitë; syfyret ndërthuren me namazin e natës dhe marrin pjesë prej afrimit me Mëshirëplotin. Çdo zë, çdo lëvizje, çdo hap dhe çdo veprimtari në këtë muaj, na kujton Ramazanin në mënyrën e vet.

Agjërimi në këtë muaj stimulon lëvizjen e përgjegjshme dhe aktivitetin, që janë dhe thellësitë më të rëndësishme të ekzistencës. Ne shpresojmë dhe besojmë se ata që do t’i hapin dyert e zemrës atmosferës së magjishme të Ramazanit me të gjithë pasuritë e saj të paimagjinueshme, dhe vetëm se nga Zoti i Botëve të shpërblyeshme, do të gjejnë qetësi në shpirt, shëndet në trup, begati në jetë dhe surpriza të papërshkrueshme nga Allahu në botën tjetër.

Një vlerë e shtuar, por e rëndësishme, ndoshta sa vetë agjërimi, është nxitja dhe këshilla me urtësi e butësi e shoqërisë sonë të afërt e më gjerë që edhe ata të bëhen pjesë e këtyre përjetimeve që synim final dhe të vetëm kanë kënaqësinë e Zotit.

(Revista Drita Islame, Korrik 2012)

 

 

One Response to Të jetosh Ramazanin

  1. diellza haxhiu 21/07/2012 at 17:16

    urime te gjith muslimanve festen e ramazanit

You must be logged in to post a comment Login