Të jesh mysliman

Të jesh mysliman/e është një nder dhe privilegj i madh, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi. Gjithmonë e kam ndjerë veten me fat dhe mirënjohëse kundrejt Allahut xh.sh. për faktin e thjeshtë se më begatoi me mirësitë e Tij dhe në të njëjtën kohë më hapi sytë për të kuptuar burimin e këtyre mirësive. Të qenët e vetëdijshme se Krijuesi i gjithësisë është Allahu xh.sh, se gjithçka në natyrë është e krijuar prej Tij dhe është e përsosur e në harmoni të plotë dhe se njeriu është pjesë e kësaj harmonie, pra, të diturit e këtyre gjërave, më jep mundësi për të pasur ide të qarta për jetën dhe për të krijuar raportet e duhura me njerëzit që më rrethojnë. Por, siç e përmenda edhe më sipër, të qenët mysliman është edhe përgjegjësi: Përgjegjësi për të kryer urdhëresat e Allahut xh.sh., përgjegjësi për veprimet tona ndaj njerëzve e sigurisht edhe ndaj natyrës. Por ekziston edhe një lloj tjetër përgjegjësie: përgjegjësia ndaj Islamit. Sa të denjë jemi për këtë fe? A jemi përfaqësues të mirë të Islamit? A jemi në gjendje të përçojmë te njerëzit, mesazhin e bukur të paqes, të dashurisë e të mirësisë?

Kur eci në rrugë, apo ndodhem në ndonjë vend tjetër, jam e ndërgjegjshme se për të tjerët unë nuk jam thjesht një myslimane, por një përfaqësuese e fesë dhe pa dyshim për shumë njerëz, fjalët dhe veprimet e mia, nuk më përkasin vetëm mua, por interpretohen si fjalë dhe veprime që thuhen në Kur’an. Jam e bindur se e njëjta gjë ndodh me të gjithë myslimanët. Në një farë mënyre ne nuk përfaqësojmë vetëm veten, por edhe fenë, ndjekës të së cilës jemi. Në këtë situatë, është detyrë e të gjithë myslimanëve që të dinë më shumë për fenë e tyre dhe të jetojnë sipas parimeve të kësaj feje.

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Kur’an, 49:13)

Si mund të shprehesh më bukur, si mund të sqarosh më mirë se nuk është përkatësia gjinore, etnike apo klasore ajo që ka rëndësi, por është devotshmëria dhe veprimet ato që e zmadhojnë apo zvogëlojnë gradën e një njeriu. E megjithatë, rëndom sot hasim në idenë, se Islami është një fe që e shtyp femrën dhe nuk e lë të edukohet. E çuditshme kjo për një fe fjala e parë e së cilës është: “Lexo”. Vërtet, duhet të lexojmë më shumë, të kuptojmë më shumë e të punojmë më shumë. Kur’ani, me bukurinë e Tij, ndikoi edhe në kulturën arabe. Jo rastësisht, te “1001 Netët” – përrallat e famshme arabe që kapërcyen gadishullin dhe “pushtuan” botën – thuhet:

“Në sytë e të Gjithëpushtetshmit nuk ka toka të larta, apo toka të ulëta – të gjitha lartësitë janë thjesht nivele, dhe askush nuk është i vogël, dhe askush nuk është i gjithëpushtetshëm”.

Përveç dhunës ndaj gruas, Islami akuzohet edhe për dhunë në fe. Prandaj dua të citoj:

“S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Kur’an, 2:256)

“Jo dhunë në fe”, “Edukim”, “Barazi”, “Vepro drejt” – janë këto fjalë që shkruhen në Kur’an, e megjithatë ky thesar është ende i panjohur për shumë njerëz. Pse? Faktorët janë të ndryshëm. Janë faktorë që qëndrojnë brenda myslimanëve, si edhe faktorë që qëndrojnë jashtë nesh. Ndërsa nuk mund të kontrollojmë këto të dytat, le të ndalemi te faktorët që varen prej nesh, tek ajo çka duhet të bëjmë, le të ndalemi te përgjegjësitë tona. Çfarë duhet të bëjmë për ta shpërndarë sa më mirë mesazhin e Islamit?

Shpesh thuhet se parametrat e një sjelljeje islame janë drejtësia, besimi dhe mbajtja e premtimit. Zakonisht këto tipare shikohen në raport me marrëdhëniet tona me të tjerët. Por ndoshta do të ishte mirë që t’i vishnim vetët tona me këto tipare. Dua të them: Të kemi besim te vetja jonë se mund ta përhapim Islamin; të jemi të drejtë me aftësitë tona dhe të bindemi se me këto aftësi mund ta përhapim Islamin; dhe së fundmi, t’i premtojmë vetes dhe ta mbajmë këtë premtim se ne do ta përhapim Islamin ashtu siç duhet. Pasi të jemi pajisur me besimin në vetvete dhe dëshirën për të përhapur fenë tonë, duhet të largojmë “dëshirën për t’u viktimizuar”. Jo rrallë biem në pesimizëm dhe akuzojmë të tjerët (jomyslimanët) për informacionin e gabuar që shpërndajnë rreth Islamint. Sigurisht që mërzitesh, e pse jo edhe zemërohesh, kur dëgjon gënjeshtra për Islamin, por është shumë e rëndësishme që të dialogojmë me njerëzit që i kanë këto ide të gabuara dhe të përpiqemi t’i sqarojmë ata. Para disa vitesh mora pjesë në një aktivitet rinor në Budapest, që kishte lidhje me të drejtat e njeriut. Në një moment, drejtuesi i programit bëri një pyetje: “A mendoni se feja i dëmton më shumë të drejtat e njeriut se politika?”. Për çudinë time shumë pjesëmarrës në aktivitet e përkrahën këtë ide. Për sqarim, pjesëmarrësit ishin nga shtetet evropiane, ku Kristianizmi është feja kryesore dhe shembujt që sollën kishin lidhje me kishën. Megjithatë, kjo më shtyu të reflektoja dhe të pyesja se si do të ishte përgjigja në rast se kjo pyetje do të ishte hedhur në vende ku Islami predominon si fe? Përgjigjen nuk e di, por një gjë është e ditur se shpesh feja abuzohet dhe përdoret për të justifikuar veprimet e atyre që janë në fuqi. Prandaj është e rëndësishme që të sqarojmë njerëzit, të mos lodhemi së shpjeguari, ndoshta dikush dëgjon, ndoshta dikush ka dëshirë të kuptojë dhe atëherë gjithçka kemi bërë do të kishte vlerë. “Nuk duan të kuptojnë” – thotë dikush; “Janë të verbër” – thotë dikush tjetër. E megjithatë ne duhet të flasim, sepse të pathënat tona janë po aq të dëmshme sa një fjalë apo veprim i gabuar. Në fund të fundit duhet t’i japim hakun edhe Islamit, duhet të bëjmë të pamundurën që të shpalosim bukuritë e tij te sa më shumë njerëz.

Anjeza Xhaferaj

You must be logged in to post a comment Login