Të gjithë të panjohur por asnjë i huaj!


nga Muhammed ASAD* 
Qabe

Udhëtojmë, duke u sulur, fluturuar nëpër rrafshet, kurse mua më duket se fluturojmë me erën, të dorëzuar fatit që nuk njeh as kufij… kurse era këndon himnin e egër triumfal në veshët e mi: “Kurrë më, kurrë më, kurrë më nuk do të jesh i huaj!”
Vëllezërit e mi nga e djathta dhe vëllezërit e mi nga e majta, të gjithë të panjohur por asnjë i huaj; në ngazëllimin e pashfrenuar të suljeve tona, ne jemi një trup në kërkim për një cak. E gjerë është bota para nesh kurse në zemrat tona shkëlqen shkëndija e flakës që ka flakëruar në zemrat e as’habëve të Pejgamberit. Ata e dinë, vëllezërit e mi nga e majta dhe vëllezërit e mi nga e djathta, se janë larg nga ajo që prej tyre pritet dhe se gjatë shekujve zemrat e tyre janë bërë të vogla; e megjithatë, premtimi i përmbushjes nuk është tërhequr prej tyre… prej nesh…
Ndonjëri nga shumësia e turbulluar e lëshoi britmën fisnore dhe e ndërroi me britmën e fesë, “Ne jemi vëllezër të atij që i është dorëzuar Zotit!” – kurse tjetri ndërhyri me “All-llahu Ekber!”- “Zoti është më i madhi! Vetëm Zoti është i madh!”
Dhe të gjitha grupet fisnore e pranonin këtë britmë të vetme. Ata më shumë nuk janë beduinë të Nexhdit që garojnë me krenarinë e vet fisnore; ata janë njerëz që dinë që fshehtësitë e Zotit vetëm presin në ta… në ne… Mbi çukërmimin e mijëra thundrave të deveve dhe fërfëllimën e qindra flamujve, britma e tyre rritet në murmurinë triumfale: “All-llahu Ekber!”
Ajo rrjedh në valët e fuqishme mbi kokat e mijëra njerëzve në gallop, mbi rrafshinën e gjerë, deri te të gjitha viset e vendit: “All-llahu Ekber!” Këta njerëz janë rritur mbi jetët e vogla të veta vetjake dhe tash feja e tyre i bartë përpara, në unitet, drejt disa pikëpamjeve të panjohura… Mallëngjimi nuk mundet më të jetë i vogël as i fshehtë, ai e ka gjetur vetëdijesimin e vet, dalja që verbon i diellit të përmbushjes. Në këtë përmbushje njeriu hapëron në tërë madhështinë e dhënë nga Zoti; hapi i tij është kënaqësi, dija e tij liri, kurse bota e tij gjithësi pa kufij…
Aroma e trupave të deveve, frymëmarrja dhe turfullima e tyre, murmurima e thundrave të tyre të panumërta; thirrjet e njerëzve, goditjet e kondakëve të pushkëve në shala, pluhuri dhe djersa dhe fytyrat skajërisht të ngazëlluara rreth meje; dhe qetësi e papritur e gëzueshme në mua.
Kthehemi në shalë dhe shoh pas vetes valëvitjen, shumësia valëvitëse e mijëra kalorësve të bardhë, kurse pas tyre, ura nëpër të cilën kam ardhë; skaji i saj është menjëherë pas meje derisa fundi i saj tashmë humbet në mjegullzën e largësisë.
Përktheu: Nexhat Ibrahimi, Hamdi Ilazi
*Pjesa nga libri “The road to Mecca “ (Rruga për në Mekë)

 

You must be logged in to post a comment Login