Të dërguarat speciale të SHBA-së, vizitë në Komunitetin Mysliman

Përfaqësuesja speciale e Komuniteteve Myslimane pranë Departamentit të Shtetit në SHBA, Farah Pandith, e dërguara e posaçme për Mbikëqyrjen dhe Luftën ndaj Antisemitizmit, Hannah Rosenthal, të shoqëruara nga zv/ambasadorja e SHBA-së, Deborah Johnes, si dhe përfaqësues të tjerë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, zhvilluan sot një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Zonjat Rosenthal dhe Pandith, u pritën nga nënkryetarët e KMSH-së, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, kancelari Ali Zaimi, Myftiu i Tiranës, Shaban Saliaj si dhe anëtarë të tjerë të kryesisë.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, nënkryetari Spahiu theksoi se është një nder i veçantë, të presë këto dy zonja, me mision kaq të rëndësishëm dhe fisnik, që ka të bëjë me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konsolidimin e tolerancës dhe harmonisë midis komuniteteve fetare dhe etnike në botë, si dhe luftën kundër antisemitizmit. Z. Spahiu shprehu falënderimet për mbështetjen e gjithanshme të SHBA-ve.

Gjatë takimit delegacioni u njoh me historikun e institucionit më të lartë fetar në vend, me strukturat e tij, sistemin arsimor të medreseve, Universitetin Hëna e Plotë – Bedër, si dhe sfidat e institucionit në përmbushje të misionin të tij në shërbim të myslimanëve dhe shoqërisë.

Kancelari Ali Zaimi, bëri një pasqyrë përmbledhëse të rrugëtimit të Islamit në Shqipëri, periudhën e kaluar nën komunizëm, si dhe jetën e dytë të institucionit dhe objekteve të kultit pas viteve ’90.

Vizitoret, pasi falënderuan drejtuesit e KMSH-së për pritjen e ngrohtë e miqësore, shprehën vlerësim e konsideratë për tolerancën fetare që ekziston në Shqipëri dhe në veçanti për rolin dhe kontributin domethënës të Komunitetit Mysliman në këtë drejtim.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e sinqertë dhe të vazhdueshëm me Ambasadën e SHBA-së, përfaqësueset e Shtetit Amerikan shprehën konsideratën e tyre për mënyrën se si KMSH promovon dhe përçon mesazhin islam përmes frymës së dashurisë, mirëkuptimit, paqes dhe respektit për çdo grup dhe komunitet në vend dhe më gjerë.

Gjithashtu ato shprehën mirënjohje të thellë për popullin shqiptar, i cili, bazuar në traditën e shkëlqyer të tolerancës dhe luftës kundër diskriminimit, e rendit Shqipërinë si një ndër vendet të cilat ku hebrenjtë u strehuan dhe patën përkrahje të gjerë gjatë kohës së luftës.

Në këtë kontekst miqtë amerikanë vlerësuan kontributin aktiv dhe të vazhdueshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në promovimin e kulturës dhe tolerancës fetare, si tregues i shkëlqyer vlerësues e lartësues i shoqërisë sonë.

Më tej, dy zonjat treguan për gjetjet që ato kanë evidentuar gjatë udhëtimeve të tyre në vende të ndryshme, për sa i përket çështjeve të diskriminimit, intolerancës apo antisemitizmit, si dhe projekteve të tyre për promovimin e harmonisë, mirëkuptimit e respektit midis kulturave dhe qytetërimeve.

Mes të tjerash ato theksuan se është tepër rëndësishme që të punohet me të rinjtë, pasi siç u shpreh znj. Farah Pandith në të gjithë botën ndodhen me miliona myslimanë që i përkasin grup-moshës nën 30 vjeç. “Ne duam t’i njohim ata që në fillim jo vetëm në raste e situata të vështira”, nënvizoi ajo.

Ndërkohë Myftiu i Tiranës, Hafiz Shaban Saliaj, u foli atyre për gjendjen e rinisë shqiptare si dhe për rolin aktiv dhe pozitiv të institucioneve arsimore të Komunitetit Mysliman në vend, të cilat pajisin të rinjtë me një edukatë dhe moral të lartë fetar e social dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, që do t’i shërbejë vendit dhe të ardhmes së kombit shqiptar.

Më pas përfaqësueset e SHBA-së, të shoqëruara nga nënkryetari i KMSH-së Gazmend Aga dhe drejtori i arsimit, Altin Shima zhvilluan një vizitë edhe në Medresenë  e Tiranës.

Të dërguarat e posaçme të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton dhe Kongresit Amerikan, ndodhen në Shqipëri për evidentimin e modelit pozitiv që ofron Shqipëria sa i takon harmonisë dhe tolerancës fetare, si dhe mbrojtjes ofruar komunitetit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kuadër të misionit të tyre, të mandatuar nga Kongresi Amerikan, për raportimin dhe informimin e autoriteteve shtetërore dhe Kongresit për sa i përket antisemitizmit, mosdiskriminimit por edhe tolerancës fetare e etnike në botë.

/Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login