Surja Asr

Surja Asr

Një këshillë e shkurtër kuranore

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Pasha kohën!

2. Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurt.

3. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, që porositen njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Ka zbritur në Mekë dhe përbëhet nga tri ajete.

Kjo sure, edhe pse e shkurtër, përmbledh pothuajse të gjitha këshillat që ndodhen në suret e tjera të Kur’anit. Në të shpjegohet se të gjithë njerëzit janë në humbje dhe se lumturia dhe shpëtimi mund të fitohet vetëm duke përqafuar be­simin, duke bërë punë të mira e të dobishme e duke këshilluar njëri-tjetrin në të drejtë dhe në durim.

Imam Shafiu thotë: “Edhe sikur të mos kishte zbritur sure tjetër prej Kur’anit përveç saj, ajo do të mjaftonte për t’i dërguar njerëzit drejt lumturisë së kësaj bote dhe të botës së përtejme…”

(Ibn Kethir, Tefsir, IV, 547.)

Koment:

1. “Pasha Kohën!”

Fjala “asr” kryesisht ka kuptimin kohë dhe, për më tepër, kohën në të cilën ndodhemi. Komentuesit e Kur’anit i japin kësaj fjale edhe kuptime të tjera si: namazi i ikindisë, koha e ikindisë, koha e fundit para se të vijë kiameti (shkatë­rrimi i kësaj bote), dhe veçanërisht shekulli në të cilin u dërgua profeti Muhamed a.s.

Ndërsa Ibn Xheriri thotë: “Fjala “asr” ka kuptimin e kohës, një prej orëve të drekës apo koha e ikindisë. Mendimi më i saktë në lidhje me këtë temë është: Allahu është betuar mbi kohën. “Asr” është emri i kohës, koha e ikindisë, ësh­të nata dhe dita. Allahu nuk e ka treguar qartazi se çfarë kuptimi ka kjo fjalë. Prandaj, cilido kuptim i saj për­fshihet në betimin e Allahut mbi fjalën “Asr””.

2. “Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurt.”

Pra, me përjashtim të atyre që veçohen në ajetin e tretë, të gjithë njerëzit e çdo kohe në të cilën kanë jetuar janë në humbje, sepse thesari më i vyer i njeriut është koha. Sa herë që njeriu merr frymë, në çdo rrahje akrepi dhe në çdo hapje e mbyllje të syve, ndjen se ky thesar po harxhohet. Kalimi i kohës nuk është në dorën e njeriut dhe ai nuk mund ta ndalojë apo ta shpejtojë atë. Prandaj atij i mbetet në dorë vetëm menaxhimi i saktë dhe mirëpërdorimi i saj. Allahu ia ka dhënë njeriut kohën jo që ta harxhojë në punë dhe vepra që e shpien në hum­bje dhe fatalitet, por që ta shfrytëzojë në maksimum për kryerjen e punëve të dobishme, të mira dhe të klasifikuara si të pëlqyera tek Ai.

3. “Me përjashtim të atyre që besuan,bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”

Në këtë ajet radhiten katër veçoritë e njerëzve të fi­tuar:

Ata që besuan. Ata të cilët besuan Allahun, atë që u është zbritur prej Tij dhe që iu nënshtruan urdhrave të tij me sinqeritet dhe këmbëngulje.

Bënë vepra të mira. Pra besimi i tyre nuk mbeti vetëm në zemrat dhe fjalët e tyre, por reflektoi në punët, në marrë­dhëniet me familjen dhe me të gjithë njerëzit e tjerë. Njeriu i mençur dhe mendjemprehtë, kontrollon çdo punë të tij me anë të besimit, që të jetë në përputhje me ligjet dhe kënaqësinë e Allahut. Referuar Kur’anit, asnjë punë nuk është e pranuar tek Allahu nëse nuk i ka rrënjët në besim. Allahu i Plotfuqishëm, punën e pranuar e përmend në çdo rast bashkë me besimin dhe asnjëherë nuk e sjell atë vetëm.

Që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës. Besimi, veprat dhe fjalët e njeriut janë të orientuara drejt të vër­tetës. Njerëzit kujdesen që të mos shkelin të drejtën e të tjerëve, të vërtetën dhe këtë ia këshillojnë njëri-tjetrit. Ata këshillojnë për të mirën dhe largojnë njerëzit nga e gabuara. Kështu që veprat dhe fuqia e tyre mblidhen gjithmonë në rrugën e drejtë dhe të pëlqyer nga i Plotfuqishmi (xh.sh.).

Këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. Ata këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm në rrugën e drejtë dhe të veprave të mira. Pra të bëjnë durim ndaj vështirësive, fatkeqësive, mundimeve dhe dëmeve që do t’u bëhen në rrugën për të mbrojtur besimin e tyre, të drejtën, moralin dhe çdo gjë që Allahu e ka bërë të paprekshme për njeriun. Allahu e ka shpjeguar durimin në Kur’an, si një ndër dyert e shpëtimit të njeriut duke thënë: “O ju që keni besuar, kër­koni ndihmë me durim e me namaz! Në të vërtetë Allahu është me durimtarët.”1

Lauren Luli

You must be logged in to post a comment Login