Simpoziumi për Haxhin organizohet edhe në Kavajë

IMG_7898Ditën e hënë, më datë 2 shtator 2013, në sallën e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” Kavajë, u mbajt simpoziumi me temë “Haxhi – udhëtimi i jetës”.

Haxhi radhitet ndër ato obligimet themelore për myslimanin, prandaj Komuniteti Mysliman ka marrë iniciativën, duke qenë se e organizon për të tretin vit rresht këtë udhëtim, të ndërgjegjësojë myslimanët për rëndësinë e këtij rituali madhor.

Fjalën e hapjes e mbajti myftiu i Kavajës, Besnik Leçini, i cili u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe theksoi faktin se Myftinia e Kavajës është e angazhuar denjësisht për të shtuar larminë e aktiviteteve të saj, në shërbim të përhapjes së mesazhit islam dhe ruajtjes së vlerave dhe traditave të bukura islame. Po ashtu, ai u përcolli të pranishmëve urimet më të përzemërta të Kryetarit të Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça.

Më pas z. Leçini i dha fjalën nënkryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu, i cili referoi mbi temën “Roli edukativ i haxhit”. Në fillim të fjalës së tij, z. Spahiu i bëri me dije të pranishmëve se Islami është që ruan drejtësinë dhe mesataren. Ai nuk urdhëron diçka që sjell dëm e as nuk ndalon diçka që është e dobishme. Ai ruan baraspeshën mes interesave individuale dhe atyre kolektive, mes interesave të kësaj bote dhe ahiretit, mes interesave shpirtërore dhe materiale, mes teorisë dhe praktikës. Të gjitha këto shihen dhe përjetohen gjatë kryerjes së haxhit nga haxhiu.

“Nëse vështrojmë çështjen e haxhit – vazhdoi z. Spahiu, – do të vërejmë se në të fshihen dobi të shumta, qoftë në aspektin individual dhe atë shoqëror. Kjo kuptohet fare qartë edhe nga ajeti kur’anor që flet për dobitë e haxhit “(vijnë) për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre…’’.

Për temën “Kuptimi i ritualeve të haxhit”, foli drejtori i Burimeve Njerëzore në KMSH, Dorian Demetja.

“Haxhi posedon fuqinë dhe kapacitetin që t’i japë kuptim të gjitha veprave dhe mendimeve të njeriut. Nuk ekziston asnjë lëvizje apo veprim në haxh, i cili mund të kryhet pa një qëllim të pastër dhe larg dëshirave të kësaj bote. Në ritualet e haxhit, qëllimi luan rolin kryesor. Serioziteti në qëllim është ndër kushtet kryesore të pranimit të çdo adhurimi”, tha z. Demetja.

Më tej ligjëruesi Demetja vazhdoi se “haxhiu përpiqet që çdo veprim që e kryen ta bëjë me dashuri dhe sinqeritet për Zotin, përndryshe ai nuk e ka zbatuar detyrën e tij. Kjo çështje gjithashtu dëshmon edhe udhëzimin e brendshëm të bindjeve fetare në islam”.

Simpoziumi u shoqërua me këndim Kur’ani nga muezini Muharrem Lika dhe disa ilahi të kënduara nga Agron Shijaku, të cilët e bënë më të qartë mesazhin që mbarte kjo veprimtari.

Në fund të aktivitetit të pranishmëve u dhuruan numra të ndryshëm të revistës “Drita Islame”. Ata falënderuan Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe Myftininë Kavajë për këtë aktivitet plot emocione, ndërsa organizatorët uruan një haxh të pranuar për të gjithë ata që Zoti i ka përzgjedhur si mysafirë të Tij për këtë vit.

/Drita Islame/

IMG_7861

IMG_7913

IMG_7947

IMG_7851

IMG_7881

IMG_7899

IMG_7888

 

You must be logged in to post a comment Login