Sidrit Bejleri, artisti që sintetizon talentin me besimin


Sidrit Bejleri është një nga emrat më të njohur të botës së muzikës shqiptare. Është diplomuar për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë. Nuk ka zhanër të këndimit të cilin mos ta ketë lëvruar siç vetëm ai di. Këndon opera, muzikal, muzikë të lehtë dhe popullore, por edhe lirika fetare (ilahi). Aktualisht punon pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë, si bas bariton, ka vënë në skenë veprat e njohura klasike të Puçinit, Verdit… e kështu me radhë. Aktualisht pjesëmarrës edhe në një spektakël të përjavshëm televiziv për zbulimin e talenteve të rinj.

Në këtë intervistë Sidriti vjen ndryshe. Jo vetëm si këngëtar, por edhe si një besimtar i thjeshtë, i cili si çdo mysliman i drejtohet Zotit me lutje e falënderime. Në këtë rrëfim personal solisti i njohur kujton çastin e parë kur iu lut Zotit që ta bënte këngëtar, fillesat e para në xhami, kënaqësinë e të qenit një mysliman praktikant dhe të jetuarit e jetës sipas parimeve universale të edukatës dhe moralit islam.

Cili ka qenë kontakti juaj i parë me besimin?

Para se të tregoj historinë time, dua të theksoj se çdo herë pasi kryej faljen them: Të falënderoj o Zot, që më ke bërë falënderues dhe më ke udhëzuar. Për mua ky është thelbi i gjithçkaje. Fillimet e mia në Islam nuk janë shumë të hershme, mund të ketë, mos gabohem, rreth 5-6 vite që jam praktikant i rregullt, por ashtu si çdo njeri, besoj, kontaktet ose hamendësimet e mia janë të hershme, pikërisht në momentin që unë fillova të kuptoj, pra në adoleshencën e hershme. Kam përshtypjen që një person i cili nuk dyshon në ekzistencën e Zotit, në njëfarë mënyrë i hiqet shansi për të mos besuar. E them me plot gojën dhe me bindje, nuk dua të citoj atë që thotë Zoti se “Atë që udhëzoj Unë, nuk e humbet askush dhe atë që e humb nuk e bien kush në rrugën e mbarë”, por kujtoj se kam qenë shumë i ri në atë kohë. Ishte verë, ishin orët e para të mëngjesit. Të them të drejtën ishin hapat e para në rrugën time drejt muzikës dhe unë iu luta Zotit, me atë mënyrën time, duke thënë: O Zot, më mundëso që të bëhem këngëtar. Ja ku jam sot, them me bindje se edhe pse nuk isha një besimtar i mirëfilltë, Zoti ma pranoi lutjen.

Gjatë rrugëtimit tim, pasi kreva shkollën e mesme, jo për muzikë, bëra përpjekje e mia për t’u regjistruar për drejtësi, fakultet të cilin nuk e fitova, dhe kjo ka lidhje se Zoti hedh të mirën, pavarësisht nëse ne e kuptojmë ose jo, por të mirën do e marrim vesh.

Thuhet shpesh që talenti është diçka që çdokush mund ta ketë, por nuk arrin ta zbulojë. Në gjykimin tuaj, çfarë është talenti?

Kam përshtypjen që shumë njerëz kanë talent në fushat e tyre, bazuar në një shprehje të popullit që thotë se “Zoti s’lë njeri pa rrisk”. Çdo njeri ka talent, por ky talent duhet kohë për t’u zbuluar dhe zhvilluar. Kujtoj këtu një shprehje të një mikut tim që thotë: “Më mirë është të bësh atë që di të bësh më mirë.” E them me bindje të plotë, talenti është dhunti, një dhuratë nga Zoti i madh. Nëse do t’i pyesim njerëzit si mund ta përcaktoni talentin, çfarë forme apo madhësie ka, ata nuk do dinin të përgjigjeshin. Personalisht mendoj se talenti është abstrakt, ashtu si shpirti që nuk dihet se ku qëndron në trupin e njeriut. Ne e dimë që po e zbërthejmë këtë talent, flas nga përvoja ime në fushën e muzikës. Unë e zbërthej talentin, mund ta zbërthej në vargje, në melodi. Sigurisht, jam për atë që talentin pak e kanë, bazuar në shprehjen e popullit “1 për qind talent dhe 99 për qind punë”. Por sikur të mos ishte talenti, çfarë vlere do të kishte ai 100 përqindësh punë. Sipas meje talentin e jep vetëm Zoti dhe askush tjetër.

Ka shumë njerëz që suksesin e tyre ia dedikojnë punës dhe përkushtimit të tyre dhe nuk arrijnë të bëjnë një lidhje midis talentit dhe asaj që Zoti mund t’ua japë. Si ndikon besimi në ushtrimin e talentit?

Megjithëse talenti ka një ndikim të padiskutueshëm, nuk duhet të harrojmë se sa e rëndësishme është puna. Dihet që shumë njerëz vetëm duke punuar kanë arritur majat e suksesit. Këtu dua të përmend një thënie të Profetit i cili thotë: “Punoni në këtë jetë sikur do të jeni të përjetshëm, dhe besoni sikur do të vdisni nesër”. Pra në njëfarë mënyre puna është adhurim. Shumë njerëz edhe pse nuk kanë talentin, kanë vullnetin për punë. Kështu që edhe ky njëfarë talenti mund të quhet.

 

Gjatë një prezantimi në programe televizive apo në skenat tona dëgjojmë shpesh të cilësohet një vepër si krijim i një autori. A mendoni se kjo është fjala e përshtatshme, ndërkohë që njeriu vetë është i krijuar?

Në qoftë se do i referohesha muzikës, e cila është fusha ime më e prekshme sepse e aplikoj vetë, kam përshtypjen se termi krijesa njeri i referohet krijimit të fillimit për të krijuar gjërat e tjera, pra ato gjëra që i ka patur të nevojshme gjatë jetës. Nëse unë do i kthehesha muzikës, do i referohesha instrumentit muzikor është katërcipërisht bindja ime dhe e vërtetë reale që njeriu në histori dhe në vazhdueshmërinë e tij ishte referuar kordave vokale ose organeve të trupit të njeriut. Po marr një shembull, kur desh të krijohej avioni, çfarë u mor si bazë, sigurisht që shpendët, krijimi i krahëve të tyre, imituan ato dhe krijuan avionin. Marrim kitarën. Është e përbërë nga kordat, të cilat më vonë u shuan. Fillimisht ishte çiftelia me një tel. Po ashtu veglat e frymës, në ndërtimin e tyre gjithmonë kanë imituar organet e njeriut. Tek aparati fotografik, kanë imituar syrin për të krijuar aparatin dhe më vonë kamerat. D.m.th. gjithçka është imitim. Është vetëm një Krijues që krijon.

A janë kordat e tua një mrekulli?

Deri pak kohë më parë nuk i kisha parë kordat. Rastësisht në YouTube pashë kordat e dikujt tjetër në një eksperiment shkencor. Vetëm para 5-6 muajsh shkova dhe pashë kordat e mia për të parë nëse kisha ndonjë problem, apo jo. Në atë moment kam kuptuar me të vërtetë mrekullinë që ka bërë Zoti me kordat. Domethënë trupi i njeriut në çdo detaj është një mrekulli, por nëse do flas për fushën që unë përgjigjem më saktë, do thosha se kordat janë dy copa mishi shumë të vogla e të holla, që puthiten me një përpikëri me njëra-tjetrën si dy qepalla syri, dy copa mishi që prodhojnë tingull, pra kalon rryma e ajrit dhe ato nxjerrin tingullin. Pastaj është gjuha e cila vendos fjalën. Çdokush mund të pyesë: Si ka mundësi që dy copa mishi mund të prodhojnë tingullin? Po, prodhojnë një tingull normal për të folur, për gjithçka njeriu është referuar jo më kot. Mund të përmend si shembull manivelën e volumit. Ne si njerëz nuk e kemi të prekshëm, thjesht e komandojmë me anë të trurit, pra me anë të shqisave. Unë mund të flas ndryshe me dikë që gjendet afër dhe ndryshe me një person që ndodhet larg. Ose siç ndodh në artin e të kënduarit pa mikrofon, në opera, kur unë këndoj përreth 900-1000 vetë. Pra ky zë ka forma të ndryshme menaxhimi, të cilat sërish Zoti ia ka lënë njeriut në zotërim. Pra janë ato kordat e vogla, që sekrecionet i lagin, se po të mos ndodhte diçka e tillë, ato nuk do të prodhonin tingull, shkurt është një sistem i mrekullueshëm, i cili ka një rreth vicioz që ti nuk mund ta prekësh. Në qoftë se e prek, do të dëmtosh diçka, për përmirësim as që bëhet fjalë. Këtu bie absolutisht teoria e Darvinit dhe dëshmohet ajo që njeriu nuk mund ta rregullojë kurrë veten.

Si mendoni, a janë të lumtur artistët jo besimtarë?

Ka natyrisht artistë që janë të lumtur, por ka edhe të atillë që edhe pse nuk kanë përfunduar në vetëvrasje, janë vetëshkatërruar. Kjo ndodh për arsye se ata nuk arrijnë të kuptojnë limitin, apo se për ta suksesi përkthehet me shifra monetare. Mirëpo, e dimë se shifrat vazhdojnë, numri është i pafund, zerot shtohen dhe nuk mbarojnë. Për mua lumturia është jeta e përtejshme. Vetëm arritja e Xhenetit është kulmi i lumturisë.

Atëherë rikthehemi dhe marrim një drejtim tjetër, jo maksimumin e suksesit në fushën e muzikës apo të artit, por marrim maksimumin e suksesit te besimi, tek ajo që Zoti na ka thënë se si mund të arrihet – lumturia e përjetshme, pasi e dimë se jeta në këtë botë është e shkurtër dhe kalimtare. Jo më kot Zoti thotë se “jeta e kësaj dynjaje është si krahu i një mushkonje”. Nëse do t’i rikthehesha vetëshkatërrimit të artistëve, shembuj ka shumë, por do të ndalesha te ato 5-6 emra të që kanë ndërruar jetë në kulmin e karrierës së tyre, pikërisht në një moshë të re, afërsisht 27 – vjeçare si: Robert Xhons, themeluesi i Bluzit, ndërroi jetë nga alkooli, Xhim Morrison, këngëtar, Xhenis Xhobing, Kurt Kobein, lideri i grupit “Mirvana”, dhe rasti më i freskët Emy Winehouse, e cila ndërroi jetë si pasojë e varësisë nga droga dhe alkooli. Shembujt që përmenda tregojnë se ekzistojnë një tërësi faktorësh pse nuk duhet ndjekur rruga e tyre. Unë kam pasur simpati për Fredi Mërkurin apo Xhim Morrisonin, por kjo simpati e imja u zbeh, vetëm atëherë kur kuptova apo vendosa që të bëj atë që di të bëj më mirë. Aty kuptova se mund të kisha sukses, jo të merrja atë që kishin të tjerët dhe ta servirja unë. Rinia në përgjithësi ndjek artistët pa ditur se në vetvete kanë diçka tjetër që Zoti ua ka dhënë. Unë i drejtohem dhe u them i bindur se vetëm me anë të besimit do mund të gjejnë rrugën e vërtetë.

Gjatë karrierës tuaj artistike, a ju ka ndodhur që të jeni gjendur në vështirësi dhe t’i jeni lutur Zotit për ndihmë?

Mbaj mend një rast kur ishim në Shkup për të dhënë një shfaqje dhe unë isha i sëmurë. Në atë çast jam lutur me fjalët: “O Zot, më bëj që të dal mirë”, sepse normalisht nuk kisha as dublant. Di që shfaqja shkoi shumë mirë dhe unë isha në lartësinë e duhur. Por gjithmonë para se të futem në skenë i drejtohem Zotit me lutje dhe i kërkoj më të mirën.

Ju këndoni opera, muzikal, muzikë të lehtë dhe popullore, por cila është ndjesia që përjetoni kur këndoni një ilahi?

Të them të drejtën ilahinë e parë e kam kënduar në një program artistiko-fetar të Komunitetit Mysliman të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve. Është një ilahi e kantautorit të mirënjohur Sami Jusuf e titulluar “O Mësues”, që i kushtohet Profetit Muhamed (a.s.) dhe di të them që unë jam përlotur, por edhe ata që kanë qenë në sallë janë përlotur. Sigurisht që merita nuk është e imja, ajo është te fjalët dhe melodia. Muzika është një pjesë e artit që hyn dhe nuk pyet, e gjen vetë shpirtin.

/Revista Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login