Si do të jetë Xhamia e Madhe në Tiranë

Xhamia e re, e cila do të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, pritet të “strehojë” 2500 besimtarë, të cilët kryejnë rregullisht ritet e faljes. Pas hapjes së dritës jeshile, me anë të vendimit të qeverisë për kthimin e 2500 metrave katrorë në pronësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar, një tjetër mbështetje erdhi së fundmi nga bashkia e kryeqytetit.

 Bashkia e Tiranës ka miratuar më 10 nëntor të këtij viti planin urbanistik për kryeqytetin, pjesë e të cilit është edhe ndërtimi i Xhamisë së Madhe.Projekti për ngritjen e komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re në Tiranë ka bashkuar këshilltarët e çdo force politike, të cilët kanë votuar pro miratimit të ligjit për ndërtimin e saj.

Xhamia e madhe e Tiranës pritet të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, sipas edhe vetë kërkesës së KMSH-së që më 1993, kur është hedhur edhe gurthemeli për ndërtimin e saj, si dhe miratimit që i ka dhënë Kryesia e KMSH-së dhe Këshilli i Përgjithshëm i saj në një nga vendimet e fundit të tyre.

Edhe pse ende nuk është bërë një projekt për xhaminë e re, Komuniteti Mysliman e ka një ide paraprake se si duhet të jetë Xhamia.

 Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në KMSH, Agron Hoxha, tregon se “si do të jetë xhamia e re, do të mund ta zbulojmë vetëm kur studiot të paraqesin projektet dhe ne, të miratojmë më të mirin. Megjithatë, janë disa ide të përgjithshme, kyçe, mbi të cilat do të bazohemi, dhe normalisht duhet të bazohen edhe studiot. Një nga këto është fakti që xhamia duhet të funksionoje jo vetëm si vend faljeje, por edhe si qendër kulturore”.

Xhamia e Madhe e Tiranës do të jetë e ndërtuar me disa nivele (kate). Do të ketë karakter multifunksional, pasi në të do të ketë salla konferencash, biblioteka, salla interneti, ambiente për të rinjtë, pasi sipas z. Hoxha kohët e fundit po vihet re një tendencë e të rinjve për t’u bërë praktikues të fesë islame.

Një fakt tjetër i rëndësishëm është se ndërtimi i xhamisë nuk do ta prishë aspak gjelbërimin në lulishten përballë parlamentit por përkundrazi siç thotë z. Hoxha gjelbërimi do të shtohet.

“Ne nuk do ta konceptojmë xhaminë si një grumbull betoni, por ajo do të jetë e rrethuar nga gjelbërimi dhe pemët. Nëse do të prishen dy pemë për të ndërtuar xhaminë, do të mbillen katër të tjera përreth saj. Ne të gjithë jemi për gjelbërimin, pasi betonizimi nuk i bën mirë askujt, as neve, as fëmijëve tanë.Dhe pikërisht për këtë fakt, lulishtja do të vazhdojë të funksionojë si e tillë dhe të jetë në funksion të njerëzve”, theksoi drejtori i Marrëdhënieve me Publikun Agron Hoxha.

Krahas me projektin për xhaminë, do të ndërtohet edhe një parking nëntokësor. Xhamia do të jetë e një niveli mjaft të lartë, duke ndërthurur traditën me modernen. Kyështë një vendim i shumëpritur nga të gjithë besimtarët myslimanë. Më në fund, me ndërtimin e kësaj xhamie, do të marrin fund lutjet në ambiente të hapura; pra, në bulevard, në rrugë e trotuare, sikundër edhe ka ndodhur, për shkak të mungesës së një xhamie me sipërfaqe optimale.

Mendohet që xhamia e re të ketë kapacitet për 2500 besimtarë.“Mendoj se nevojat do të përballohen, edhe pse kërkesat janë përditë e më shumë në rritje. Mund t’ju them se ka një interesim mjaft të madh nga të rinjtë për t’u falur dhe për të ndjekur ritet fetare. Madje, 90 për qind e atyre që falen, janë pikërisht të rinj. Kjo është diçka e veçantë, pasi po të vesh re nëpër vendet e tjera të botës, ata që e praktikojnë fenë janë kryesisht të moshuar”, shtoi më tej z. Hoxha.

Vendimi që i ktheu KMSH-së, Namazgjanë

 Truallit të Namazgjasë i është marrë një sipërfaqe e konsiderueshme nga zgjerimi i rrugëve të Unazës dhe asaj “George Bush”, e cila mbeti pa u kompensuar nga Bashkia. Në kompensim të kësaj sipërfaqeje Këshilli i Ministrave me dt. 06.04.2011, i ka dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë një siperfaqe prej 2570.5 metrash katrorë, duke e çuar sipërfaqen e përgjithshme në rreth 5.300 metra katrorë. Kështu, sipas këtij vendimi të qeverisë, sipërfaqja prej 2570.5 m², e ndodhur në zonën kadastrale 8150, me numë pasurie 1/82, pjesë e pronës së listuar me nr. 592, me sipërfaqe të përgjithshme 6739 m2, në listën e miratuar me vendimin “Për miratimin e listës së pjesshme të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”, pronë shtetërore, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kalon në përgjegjesi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ndjekjen e procedurave ligjore që nevojiten për ndërtimin e xhamisë “Namazgjaja”, për Komunitetin Mysliman Shqiptar. Menjëherë pas këtij vendimi, ndalohet tjetërsimi apo dhënia në përdorim e pronës së përcaktuar për qëllime të tjera, të ndryshme nga ndërtimi i xhamisë “Namazgjaja”, e Tiranës, për Komunitetin Mysliman Shqiptar”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

You must be logged in to post a comment Login