Si agjërohej Ramazani gjatë viteve 1967-1990

Bisedë me agjëruesit e ditëve të vështira para dhe pas vitit 1967.

agjerimi ne diktakture

Ramazani, muaji i madhërishëm dhe i begatë këtë vit fillon pikërisht në qershor. Duke qenë në kulmin e verës pritet të jetë një Ramazan jo shumë i lehtë për besimtarët, megjithëse shpeshherë ka ndodhur që gjatë Ramazanit të jetë mot i freskët. Duke uruar besimtarët për një agjërim të lehtë e të pranuar, po sjellim në kujtesën tonë të përbashkët disa raste të agjërimit në një periudhë akoma më të vështirë, jo thjesht si shkak i motit, por si shkak i periudhës në të cilën praktikimi i fesë u ndalua, në veçanti agjërimi gjatë viteve 1967-90.

Më poshtë do tregojmë historinë e tre besimtarëve të cilët kanë nisur agjërimin dekada më parë, që nga viti i largët 1943, kanë agjëruar para vitit 1967, madje kanë arritur të agjërojnë edhe pas këtij viti. Si persekutoheshin nga njerëz të regjimit, si ata i përndiqnin e i detyronin të hanin e të pinin në kohë agjërimi; si fshiheshin e mbyllnin dritaret me perde e me ç’të mundnin që të mos dukeshin gjatë syfyrit; si rrinin edhe pa iftar pasi kryetari i lagjes, drejtuesi i ndërmarrjes apo sekretari i parë i partisë i kërkonte që të vazhdonin punën edhe natën për të tejkaluar normat e kështu me radhë? Lusim Allahun që t’i shpërblejë këta “heronj” të besimit.

Po e nisim rrëfimin tonë me xha Samiun. Sami Qosja e pret muajin e Ramazanit me padurim, që të shtojë dhe një muaj tjetër agjërimi në jetën e tij, pasi deri më tani ai ka 72 Ramazane që agjëron.

Xha Samiu ka lindur në vitin 1933 në Kavajë në një familje besimtarësh. Sot, në moshën 82 vjeçare, vazhdon ta praktikojë fenë. Edhe pse kanë kaluar 25 vite nga rënia e komunizmit, ai ruan akoma të freskët përjetimet e tij. Ai kujton me mallëngjim periudhën para se të ndalohej praktikimi i fesë. Kujton se si faleshin familjarisht 5 kohët e namazit. Kujton me nostalgji se si agjëronin, si ngriheshin për syfyrin e bereqetshëm dhe iftarin e shumëpritur në gjirin e familjes.

Xha Samiu ka filluar të agjërojë që fëmijë, kur ishte vetëm 10 vjeç, duke mos e ndërprerë për asnjë vit agjërimin.

Peripecitë e tij me ateizmin kanë filluar që para vitit 1967, ngaqë e dinin që ai agjëron, i bënin vërejtje që të mos ndiqte rrugën e ‘pleqve të marrë’ dhe ‘zakonet e tyre prapanike’.

Viti 1967 ishte viti i shumë të këqijave për xha Samiun, por dhe për mbarë besimtarët shqiptarë. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, ai për asnjë moment nuk e ka lënë pa agjëruar Ramazanin.

Në rrëfimin e tij ai kujton se në muajin e parë të Ramazanit regjimi nuk e la të qetë që të agjëronte, dhe se në fabrikën e letrës ku ai punonte, agjëronin fare pak persona, krahasuar me agjëruesit që kishin qenë para vitit 1967. Por sprova për besimtarët ishte e madhe, pasi regjimi dhe njerëzit që i shërbenin atij, ishin betuar se nuk do t’i linin të qetë, duke u shpallur luftë atyre. Që në ditët e para të agjërimit, punonjës që ishin shërbëtorë të regjimit dhe për të përfituar ‘privilegje’ spiunonin shokët e tyre për veprimet që ata bënin.

Kështu, në rastin konkret, drejtuesit e partisë informohen se xha Samiu agjëron dhe ata përpiqen që ta vërtetojnë.

Sekretari i Parë shfaqet para tij dhe i thotë: – Sami, akoma vazhdon agjërimin ti? Xha Samiu, për të shpëtuar nga kjo gjendje aspak e mirë, i përgjigjet shkurt: – Kursesi, jo, ç’është ajo fjalë! Por Sekretari i Partisë nxjerr një karamele nga xhepi dhe i thotë: – Merre, haje. Pa menduar shumë xha Samiu merr karamelen dhe e fut në gojë, me qëllim që të heqë dyshimin nga Sekretari i Partisë, dhe i thotë: – A e shikon tani që unë nuk agjëroj!

Kështu e largoi dyshimin për momentin, duke hedhur karamelen direkt dhe duke vazhduar agjërimin. Kjo përndjekje vazhdoi për disa vite me radhë derisa ndryshoi regjimi, për të agjëruar lirshëm.

Personi i dytë që ka ndarë me ne momente nga jeta e tij e vështirë gjatë sistemit komunist është Lala (M. L.), i cili ka lindur në vitin 1943. Me këtë emër është i njohur dhe e thërrasin të gjithë për respektin që gëzon në mesin e besimtarëve. Ai është frekuentues i rregullt i një prej xhamive të Tiranës. Lala karakterizohet nga përkushtimi në adhurim, nga urtësia që ka, ndërkohë që mjekra e bardhë ia hijeshon akoma më shumë pamjen. Ka jetuar në fshat gjatë sistemit komunist dhe ka punuar punë të ndryshme, madje shumë të vështira e të rënda për kohën.

Ai e ka filluar agjërimin që në moshën 15 vjeçare për të plotësuar plot 35 muaj Ramazan (1958-1970, 1991-2015). Ka agjëruar pa problem nga viti 1958 deri në vitin 1966, por në një ditë vjeshte të vitit 1967, kryetari i kooperativës jep një lajm të kobshëm për kooperativistët, të cilët pothuajse të gjithë i përkisnin besimit islam. Ai i kishte ulur pranë një godine në të cilën ishte varur një portret i madh i diktatorit Enver Hoxha. Për të zbutur kërkesën, ai i drejtohet të pranishmëve duke i pyetur: – A e shihni këtë burrë? Fshatarët i përgjigjen: – Po, e shohim; retorika e kryetarit vazhdon: – A e doni këtë njeri? Përgjigja s’kishte se si të ishte tjetër vetëm se: – Po (e madhe), normalisht që e duam; si të ndodhë ndryshe. Atëherë kryetari i drejtohet të pranishmëve: – Rinia ka vendosur që Ramazanin të mos e agjërojmë, që kishat e xhamitë të shemben dhe që të mos praktikohen më ritet fetare.

Lala kujton se pavarësisht të gjithave, regjimi ishte më tolerant ndaj të moshuarve për praktikën fetare, pasi i konsideronte të prapambetur dhe për të mos bërë shumë bujë, nuk i shqetësonte. Për këtë arsye babai i tij ka agjëruar dhe është falur deri në fund të jetës, në vitin 1972, pa ndërprerje. Ai kujton se pavarësisht çfarë u tha nga kryetari i kooperativës, një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve e nisëm agjërimin, normalisht në fshehtësi, edhe pse puna që bënin ishte mjaft e vështirë, një bujqësi me kushte të rënduara dhe pa mjete, ku kishte raste që puna zgjatej 12-24 apo dhe 48 orë pa pushim, e kjo vetëm e vetëm për të treguar ‘devotshmëri’ ndaj partisë.

Ditët më të vështira të agjërimit që kanë ngelur në kujtesën e Lalës ishin 2 ditët e para të Ramazanit të vitit 1967. Ai tregon: Ditën e parë të Ramazanit, pas drekës, kryetari erdhi dhe më tërhoqi vëmendjen për agjërimin duke më thënë: – Pse agjëron? Për të mos i hapur probleme vetes ia kthej: – Nuk agjëroj. Kryetari nxjerr një karamele nga xhepi dhe më thotë: – Haje e të shohim nëse agjëron, apo jo?

I detyruar, pa bërë rezistencë Lala e merr karamelen dhe e fut në gojë, që t’i lërë të kuptojë se nuk agjëron. Me kaq kryetari largohet dhe me të kthyer shpinën, Lala e hedh tutje karamelen duke vazhduar agjërimin. Por ngaqë partia nuk e mbylli me kaq ndaj besimtarëve, me sprovën e parë, i ekspozoi ata para një sprove më të madhe. Edhe pse ditë e gjatë, me pak pushim vetëm në kohën e drekës, në mbrëmje në kohën e iftarit, përgjegjësi i i brigadës urdhëron që të gjithë të mobilizoheshin duke arsyetuar se po vjen autokombajna dhe do të shijmë orizin. Preteksti ishte që autokombajna do të shkojë në brigadat e tjera (sikur të mos kishte ditë nesër). Puna vazhdon deri në mëngjes pa pushim, dhe pas një 24 orësh tepër të lodhshëm, në punë shumë të rëndë, fillonte dita e nesërme për t’iu kthyer normalitetit të përhershëm, duke filluar punën sërish sipas planit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë më parë. Pavarësisht lodhjes së tejskajshme, Lala tregon se arriti ta mbante agjërimin edhe ditën tjetër, me pak iftar që i kishin sjellë familjarët në orët e vona të natës, pasi në kohën e syfyrit dhe të iftarit nuk guxonte të ushqehej. Por edhe në vitin 1970, ai arrin t’i rezistojë me vështirësi dhe pas këtij viti nuk arrin ta mbajë më agjërimin. Ai e rifillon agjërimin pas rënies së komunizmit, në ramazanin e vitit 1991, për të mos e ndërprerë deri më sot.

Rasti i tretë është i një intelektuali kavajas, i njohur për kontributin e tij në këtë rreth si mësues dhe drejtues në arsim. Ai ka lindur në vitin 1950 dhe ka studiuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës (1968-1972). Familja Shkreli me origjinë nga Kosova ka emigruar fillimisht në Stamboll, si pasojë e persekutimit nga serbët (1911-12), dhe për ta lënë sërish Stambollin e për t’u rikthyer në trojet shqiptare, në Kavajë në vitin 1924.

Familja Shkreli ishte një familje besimtarësh në xhami dhe jashtë saj. Hasani për këtë fakt thotë: – Në atë kohë Islami nuk ishte thjesht një fe ‘ritesh’, por një sistem i tërë jetese.

Në familjen tonë, për çdo gjë në jetë referencë ishte feja. Ai kujton se si gjyshi i tij, që fëmijë fare i vogël – në vitet ’50 të shekullit XX – e merrte në xhami për namazet ditore dhe pas namazit shkonin bashkë me të në një dyqan ku shiteshin ëmbësira. Hasanit iu shtua dëshira dhe dashuria për të shoqëruar gjyshin në xhami gjatë faljeve ditore. Ai kujton se si gjatë Bajramit gjallërohej jeta, në veçanti ishte gëzim i madh për fëmijët, pasi ata gëzoheshin me dhuratat që bliheshin për ta.

Hasani e ka filluar agjërimin në moshën 8-vjeçare, në vitin e largët 1958 dhe agjëron për plot 56 ramazane rresht pa ndërprerje, që të konvertuara bëjnë rreth 5 vite jetë. Deri në vitin 1967, ai kujton syfyret dhe iftaret me familjen e tij, kujton daullet që lajmëronin syfyrin, kujton topin që lajmëronte iftarin, kujton teravitë, kujton e kujton shumë momente të bukuara të jetës qytetare. Deri në vitin 1967, ai kujton se si për besimtarët kishte ‘ngacmime’ nga komunistët, por jo persekutime. Ai kujton momentin kur u prish xhamia dhe si shkak i lidhjes që kishte me xhaminë, me lagjen e vjetër, nuk u përmbajt, por qau me ngashërim, ndërkohë që babai e ngushëllonte që të mos demoralizohej, pasi ky ishte caktim nga Zoti i madh.

Gjatë viteve 1968-1972 Hasani vazhdon universitetin, dhe gjatë gjithë kohës së studimeve ai ka agjëruar, madje agjërimin e ka mbajtur edhe pasi është emëruar në punë.

Fillimisht ai punon si mësues në Rrogozhinë, qytet në të cilin nuk i sollën probleme pse agjëronte. Por në vitin 1984 ai transferohet si mësues në fshat, në Kryevidh. Aty jetonin njerëz ‘më komunistë se vetë Enveri’ dhe aty hasi problemin e parë të agjërimit. Ai kujton se ka qenë maji i 1984-ës kur e kishin spiunuar se ai bashkë me një koleg ishin me agjërim. Kjo binte në sy pasi ‘buka’ në atë kohë merrej me vete dhe konsumohej bashkë me kolegët, dhe nëse nuk do të ishe i pranishëm në ngrënien e ushqimit, kjo binte në sy. Persona dashakeqë e kishin lajmëruar drejtorin se dy mësues agjërojnë. Drejtori vjen dhe i pyet që të sigurohet, dhe Hasani bashkë me shokun e tij ia konfirmojnë lajmin se vërtetë agjëronin, madje dhe se nuk kishin ndërmend ta prishnin atë. E gjithë kjo siguri vinte pasi, siç e përmendëm më lart, personat në fjalë gëzonin respekt të veçantë, ishin të sinqertë, të përgatitur dhe të përkushtuar në punë. Drejtori i gjendur në një pozitë jo të favorshme, miqësisht i thotë: – Po si do t’ia bëjmë kësaj pune? Hasani i përgjigjet: – Ne do ta agjërojmë dhe as që diskutohet kjo, se si e justifikon ti para atyre që të kanë sjellë lajmin, punë për ty. Përfundimisht drejtori e rregullon këtë çështje duke e mbyllur dhe duke mos i shqetësuar më për raste të tilla.

Edmond Sharkaj

/Revista Drita Islame – Qershor 2015/

You must be logged in to post a comment Login