Shyqyri Rreli: Nuk ka gjë më të lartë se të mbështetesh në Krijuesin tënd

Emri i tij lidhet me një periudhë të artë të futbollit shqiptar. Sot e kësaj dite kujtohen  e nostalgji rezultatet pozitive të arritura ndaj ekipeve elitare të Evropës. Ka lindur në Tiranë. Fillimet e karrierës i ka me “Puna e Tiranës” dhe nga vitet 1952-62 me SK “Dinamo” ku arriti majat si lojtar. Nga 55 vjet karrierë sportive, më shumë kohë ka kaluar në rolin e trajnerit duke i kaluar të gjitha etapat e përgatitjes. Në kohën që punoi, Shyqyri Rreli solli një mendësi të re në futbollin shqiptar, atë të lojës sulmuese. Falë punës dhe profesionalizmit të tij, Kombëtarja jonë e lojës së topkëmbës u rendit e 12-ta në Evropë.

Edhe pse një personazh i njohur në fushën e sportit, ai kurrë nuk u nda nga besimi. Në bisedën tonë, ai tregon se gjithnjë ka besuar në Zotin Një, ndihmën e të Cilit e ka pasur konkrete kudo në jetë.

Besimi zë një vend të rëndësishëm në jetën e Profesorit. Në çdo detaj të saj është e pamundur të mos dallosh gjurmë të mesazhit dhe moralit islam.

shyqyri rreli

Si nisi karriera juaj?

Në fillimet e karrierës time kam punuar si radioteknik. Më pas kam kryer profesionin e arsimtarit për të cilën këmbëngula dhe kreva arsimin e lartë pranë ILKF “Vojo Kushi”, sot Universiteti i Sporteve. E përmenda këtë detaj, ngaqë sporti në rininë time ka qenë amator dhe jo profesionist siç e kemi në ditët e sotme, ndaj për të siguruar jetesën e familjes duhet të ushtroje një profesion të dytë.

Janë 55 vjet karrierë sportive. Ç’do të thotë kjo për ju?

Karriera ime sportive e ka bazën e saj në lojërat me moshatarët e vegjël të lagjes dhe më pas në kampionatet lokale me të rriturit e ndërmarrjeve të Tiranës. Ka qenë viti 1948 kur jam aktivizuar si futbollist i kategorisë së I-rë, sot Superligë, fillimisht me “Puna e Tiranës”, sot FK “Tirana” dhe nga vitet 1952-1962 me SK “Dinamo”, aty ku unë perfeksionova cilësitë e lojës së futbollit duke u radhitur për disa vite në ekipin kombëtar. Në 17 vitet e aktivizimit si futbollist, bashkë me shokët, kam fituar 5 herë titullin Kampion Kombëtar dhe katër herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Përveç medaljes si “Mjeshtër Sporti” mbaj titullin më të lartë “Mjeshtër i Merituar Sporti”.

Gjatë këtyre viteve karriere jeni nderuar me shumë çmime e tituj. A mund të përmendni disa prej tyre dhe cili ka qenë më i veçanti për ju?

Në mbi 55 vjet veprimtari sportive më shumë kohë kam kaluar në detyrën e trajnerit, detyrë që e kam kryer edhe kur aktivizohesha si futbollist. Në këtë profesion i kam kaluar të gjitha etapat e përgatitjes së futbollit siç janë: me moshat e vogla dhe klasat sportive, me të rinjtë, të rriturit e kategorisë II-të dhe të kategorisë I-rë, në shkollën e Mesme dhe të Lartë Sportive deri në ekipet kombëtare Shpresa U-21 vjeç dhe atë të të rriturve. Me ekipin Shpresa kam fituar dy herë titullin Kampion Ballkani (1978 dhe 1981). Këtu do të veçoja titullin “Trajner i Merituar” (Trajner Kombëtar).

Shyqyri Rreli 1Momenti juaj i paharruar gjatë karrierës?

Për mua tre gjëra mbeten të paharruara:

-Lumturia dhe ngrohtësia familjare;

-Kënaqësia e veçantë për vlerësimin pedagogjiko-shkencor që më ka bërë Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve dhe

-Synimi im për të futur një mentalitet të ri në futbollin shqiptar; atë të lojës sulmuese. Këtë e kam realizuar jo vetëm në shkollën e Mjeshtrisë Sportive por edhe me ekipin përfaqësues Shpresa dhe atë Kombëtar. Për arritjet e futbollit tonë në atë periudhë, sipas testimit të “Franc Football” Shqipëria u radhit e 12-ta në Evropë.

Për mua këto tre kënaqësi i tejkalojnë medaljet e marra nga unë, përfshirë këtu edhe titullin “Mjeshtër i Madh” dhënë nga Presidenti i Republikës.

 

Po tani, si e kaloni kohën?

Asnjëherë nuk jam pajtuar me shprehjen e atyre që të pyesin “Si e vret kohën?”. Vitet e jetës Allahu (xh.sh.) ia ka dhënë njeriut për t’i shfrytëzuar për punë të dobishme për veten dhe shoqërinë. Prindërit e mi më kanë edukuar me edukatën e punës qysh në fëmijëri. Unë kam filluar punë në moshën 11 vjeçare, prandaj edhe në këtë moshë e kam të vështirë të ndahem prej saj. Krahas shkrimeve dhe artikujve shkencorë, aktivizohem me kënaqësi në shoqatën “Tirana” dhe atë “Hafiz Ibrahim Dalliu”, aktivitetet e të cilave më japin gjallëri e freski.

Çfarë është besimi për ju?

Besimi për mua ka një kuptim shumë domethënës, sepse nuk ka gjë më të lartë e të shtrenjtë se të mbështetesh në Krijuesin tënd dhe të udhëhiqesh nga mësimet e Tij Hyjnore. Ndihmën e Zotit e kam pasur konkrete në jetën time.

Si ka ndryshuar në kohë lidhja juaj me besimin?

Unë nuk mund quhem i rikthyer në Islam. Megjithëse Shqipëria pati një ndrydhje të lirisë së besimit për gati 50 vjet, ju them me sinqeritet se asnjëherë nuk jam shkëputur shpirtërisht nga besimi në të Madhin Zot, dhe kudo në jetën time kam shpresuar vetëm në ndihmën e Tij.

Sa ka ndikuar familja në kultivimin e ndjenjës tuaj fetare?

Mund të them se familja ka luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin tim të përgjithshëm dhe atë fetar. Mbaj mend se mësimet e para fetare i kam marrë prej nënës, e cila ishte një besimtare e mirë. Më pas babai më dërgoi në mejtepin e atëhershëm pranë mësuesve të shquar Hafiz Doraci dhe Beqir Mema, të cilët i kujtoj me respekt që më dhanë njohuritë bazë të kulturës dhe edukatës fetare islame.

Për disa vite keni qenë pjesë e trupës pedagogjike të Medresesë së Tiranës. Si e kujtoni atë kohë?

Vitet e punës sime në Medresenë e Tiranës, kanë qenë një kënaqësi e veçantë, parë jo në drejtimin pedagogjiko-profesional sesa në kënaqësinë shpirtërore, sepse jo vetëm mësuesit por edhe nxënësit përkushtoheshin për të dhënë e marrë njohuritë bazë të kulturës dhe edukatës islame. Ky ndërgjegjësim më bëri një trup me ata. Eksperienca e sotme dhe ajo e mëparshme për Medresenë ka treguar se ky institucion arsimor është një fidanishte e bukur, sepse përgatit brezin e ri jo thjesht me kulturë fetare, por edhe me një kulturë dhe edukatë të përgjithshme. Ecurinë pozitive e vërejmë në kontingjentin e nxënësve që Medreseja nxjerr çdo vit arsimor, të cilët rivalizojnë si të barabartë në fakultetet e universiteteve tona..

Këtu pa dashur të zgjatem dua të shpreh një mendim. Mendoj se janë pjekur kushtet dhe e shikoj të dobishme futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat 9-vjeçare, vlera e së cilës është shumë më tepër se sa edukata seksuale që jepet në këtë nivel të sistemit arsimor. Nëse duam të shëndoshim familjen shqiptare dhe ta ruajmë nga veset e këqija që po shfaqen vrullshëm në vitet e fundit, kjo ide duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë sa nuk është vonë për pasojat e hidhura që mund të na vijnë.

Ju ka qëlluar të takoheni shpesh me figura të shquara të sportit në botë. Cili ka qenë reagimi i tyre i parë ndaj përkatësisë suaj fetare?

E vërteta është se me mjaft personalitete të larta brenda dhe jashtë vendit me të cilët kam kontaktuar kam ndjerë një kënaqësi më shumë kur jo vetëm s’më kanë paragjykuar, por janë shprehur me fjalët më të mira ndaj besimit që unë ndjek. Kjo nënkupton se intelektualët e respektojnë dhe besojnë te Krijuesi, pavarësisht nëse ata i ndjekin apo jo detyrimet fetare.

Le të kalojmë në një pikë tjetër të bisedës. Mendoni se ka një rritje të vetëdijes fetare te shqiptarët në këta 23 vjet demokraci?

Është fakt se pas viteve ’90, vetëdija fetare e shqiptarëve ka shënuar një rritje të theksuar. Këtë nuk e tregon vetëm mbushja e xhamive apo falja në sheshe të hapura në bajram, por të bie në sy agjërimi në masë të madhe i muajit të Ramazanit. Kjo do të thotë se shumica e njerëzve besojnë te Krijuesi i tyre dhe duan të kenë më shumë njohuri rreth Mesazhit Hyjnor. Prandaj del detyrë për institucionet fetare dhe teologët tanë që të bëjnë më shumë për rritjen e cilësisë së mesazhit islam në terren apo duke shfrytëzuar hapësirat që krijojnë mjetet e informacionit.

Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, xhemati shqiptar dominohet nga elementi i ri. Sipas jush, pse ndodh kjo?

Është e vërtetë, njëkohësisht edhe një kënaqësi e imja, që në xhematin shqiptar shikon më shumë të rinj e të reja. Sipas meje, kjo tregon se familjet tona e kanë ruajtur në shpirt besimin, të cilin nuk e eliminoi dot regjimi i kaluar komunist. Kryesorja është se rinia dhe njerëzit e mençur po ndërgjegjësohen se shpëtimi i tyre nga bota e vesit dhe mëkatit është në moralin islam, i cili pastron ndërgjegjen dhe ekuilibron jetën.

Shteti ynë është kritikuar shpesh për mosdhënien e lejes së ndërtimit të xhamisë së madhe në Tiranë, megjithatë procesi po zvarritet dhe nuk po merr zgjidhje. Si e shpjegoni këtë fakt?

Sipas meje dhe opinionit të besimtarëve, caqet e urtësisë islame në kërkim të lejes për këtë xhami kanë kaluar. Ky objekt është bërë me kohë domosdoshmëri, ndaj e ndiejmë veten të ofenduar kur sehirxhinjtë na shikojnë duke u falur në sheshe të papastër e në shi, në të nxehtë e në të ftohtë. Ka ardhur koha që Komuniteti Mysliman të ngrejë fuqishëm zërin e protestës për këtë padrejtësi që i bëhet kësaj pjese domethënëse të shoqërisë. Mendoj gjithashtu se zëri ynë duhet të shkojë më i fortë në veshët e pushtetarëve tanë, të cilët injorojnë besimin dhe ndjenjat tona sublime. Prandaj, sa s’është vonë, ata që e kanë në dorë çështjen ta marrin shumë seriozisht këtë problem, para se të shpërthejë “vullkani” i fuqishëm që sinjalizohet nga sizmika.

Si i vlerësoni raportet midis komuniteteve fetare tradicionale në Shqipëri?

Mendoj se kemi një traditë të shkëlqyer në këtë drejtim. Kjo traditë është arritur falë klerikëve tanë të mëparshëm, myslimanë e të krishterë, që kanë drejtuar me shumë pjekuri dhe kanë ruajtur e forcuar bukur këtë thesar të çmuar të kombit tonë. Gjithnjë ka ekzistuar dhe ekziston një respekt dhe vlerësim i ndërsjellë. Vlerësimi për ndjenjat e njëri-tjetrit ka bërë që shqiptarët të jenë shembull në sytë e botës për tolerancën dhe bashkëjetesën në paqe.

Mesazhi juaj për lexuesin e Drita Islame…

“Drita Islame” mendoj se ka pësuar ndryshime esenciale. Bukurinë e saj nuk e shoh vetëm në paraqitjen figurative, por më shumë më pëlqen cilësia e shkrimeve që botohen në të. Jam i mendimit që numrat e saj duhet të jenë më të shpeshtë dhe ky organ të vihet në dispozicion jo vetëm të xhematit, por edhe më gjerë.

Meqenëse më jepet rasti, dua të uroj jo vetëm lexuesit e kësaj reviste, por të gjithë myslimanët dhe shqiptarët kudo që janë: paçin sukses e mbarësi në të gjitha fushat e jetës.

Intervistoi: Haxhi Lika

Shyqyri Rreli

You must be logged in to post a comment Login