Shqiptaret nisen për haxh

Mbi 300 veta nga mbarë Shqipëria dhe Mali i Zi janë nisur të enjten për Haxh në vendet e shenjta në Meke dhe Medine. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë për herë të parë pas 20 vitesh demokraci, ka organizuar këtë vit Haxhin vetë si institucion, duke bërë të mundur, që përgjegjësia e këtij organizimi kaq të rëndësishëm dhe delikat të jetë tashmë institucionale dhe zyrtare e KMSH-së.
Me këtë rast është organizuar edhe një ceremoni modeste në aeroportin e Rinasit për nder të haxhinjve nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga Mali i Zi, të cilët do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta, në Arabinë Saudite, për kryerjen e haxhit të këtij viti, të gjithë së bashku.

Në këtë ceremoni ka qenë prezent Kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, kryetari i Këshillit të Përgjithshëm H. Ylli Gurra, nënkryetari H. Bujar Spahiu, myftinj të rretheve të ndryshme, drejtorë drejtorish nga kryesia e KMSH-së, etj.

Në fjalën e tij, kryetari i KMSH-së H. Selim Muça krahas përshëndetjeve të rastit, i ka kërkuar hanxhinjve që të bëjnë sa më shumë dua për veten e tyre, familjen, vendin tonë, popullin shqiptar e në veçanti për myslimanët, për t’i begatuar Allahu me të mirat e Tij të pafundme. Ai gjithashtu është lutur për ta, duke i uruar rrugë të mbarë, udhëtim të lehtë dhe Haxh të pranuar drejt vendeve të shenjta.

Më pas ka përshëndetur edhe kryetari i Këshillit të Përgjithshëm H. Ylli Gurra, i cili pasi i ka uruar Haxhinjve udhë të mbarë, ka bërë duanë e rastit, duke iu lutur Allahut që t’ia pranojë haxhin atyre. Z. Gurra i ka kërkuar haxhinjve që të përfitojnë nga kjo vizitë e mrekullueshme, për të arritur kënaqësinë e All-llahut të Madhëruar dhe mëshirën e Tij të pakufishme, si dhe të bëjnë shumë dua gjatë Haxhit, sidomos në Qabe dhe Arafat, si dhe t’i dërgojnë selame Resulullahut (a.s.) në emër të të gjithë besimtarëve myslimanë nga Shqipëria.

Delegacionin e Haxhinjve të vitit 2011 nga Shqipëria dhe Mali i Zi, e kryeson nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu, i shoqëruar me udhërrëfyesit e haxhit, të cilët janë punonjës të Komunitetit, si myfti, drejtorë, etj.

Për të gjithë hanxhinjtë janë shpërndarë ihramet, revista “Haxhi dhe Kurbani”, libri “Udhëzues për Haxhin”, numra telefonikë të Arabisë Saudite, etj. Haxhinjtë e këtij viti janë nisur me dy avionë charter, duke fluturuar direkt për në Xhiddeh. /Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login