Shkodër, tribunë fetare, “Ramazani, ripërtëritje e besimit”

tribune-fetare-Tahir-Zeneli2

Myftinia Shkodër organizoi pasditen e të mërkurës tribunën fetare me temë: “Ramazani, ripërtëritje e besimit”, ku i ftuar special ishte thirrësi islam Tahir Zeneli.

Në fillim të aktivitetit, teologu Arben Halluni, tha se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit janë një mundësi e mirë për të shtuar aktivitetet dhe adhurimet, në mënyrë që ky muaj të dëshmohet si gjallërues i shpirtrave me besim dhe lutje.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, falënderoi të pranishmit e shumtë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të dobishëm. Ai theksoi se këto ditë kemi dëshmuar mirësi pafund, që na lidhin dhe na afrojnë edhe më shumë me vlerat e Ramazanit, si: namazet me xhemat, leximi i Kur’anit, sofrat bujare të vëllazërisë islame, lutjet dhe adhurimet, bamirësitë etj.

Në fjalën e tij, Myftiu falënderoi edhe të ftuarin special të këtij tubimi, thirrësin islam Tahir Zeneli, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës “Ardhmëria”.

Një përshëndetje e përzemërt erdhi edhe nga z. Gëzim Danjolli, përfaqësues i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, që uroi të pranishmit për muajin e agjërimit dhe mirësinë e madhe të bashkëpunimit në mes vete.

Me shumë kënaqësi, të pranishmit dëgjuan ligjëratën plot vlera dhe dobi të thirrësit islam Tahir Zeneli, në të cilën bashkëbisedoi me të ftuarit dhe të rinjtë e shumtë rreth krenarisë së besimit dhe vlerave të agjërimit në ringjalljen dhe ripërtëritjen e besimit në jetën e njerëzve.

Gjatë fjalës së tij, z. Zeneli theksoi se myslimanët janë të ftuar ta jetojnë jetën me besim dhe mrekullitë e tij, për t’i dhënë kuptim të sotmes dhe të ardhmes. Ai tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve se Islami është edukues drejt pëlqimit të Zotit në jetë dhe nxitës që njeriu të jetojë në paqe, si ndërtues vlerash.

Duke folur për vlerat e agjërimit, ai tha se pikërisht ky muaj, vjen për të trazuar ujërat dhe për të ringjallur shpresën e besimit ndër njerëz. Ndalimi i njerëzve nga ushqimi, është një gjendje me Zotin, për hatrin e së Cilit, njeriu frenohet nga miradi, që mund t’i konsumojë jashtë këtij muaji.

Në përfundim, për të pranishmit dhe kalimtarët u shpërndanë dy botime të reja të Myftinisë Shkodër, mbi vlerën e agjërimit dhe dobitë e muajit Ramazan.

8 korrik 2015

tribune-fetare-Tahir-Zeneli

tribune-fetare-Tahir-Zeneli1

tribune-fetare-Tahir-Zeneli5

tribune-fetare-Tahir-Zeneli12 (1)

You must be logged in to post a comment Login