Sheriati dhe e drejta

sheria dhe e drejtaQeverisja islame në shekullin XXI

Viti 2011 përfundoi me ndryshime të pakthyeshme në Lindjen e Mesme, ku hegjemonia e disa diktatorëve u përmbys nga popujt e tyre nën zgjedhë. Sakrifica dhe dëshira për ndryshim e popullit të Sirisë dhe Jemenit vazhdoi edhe në 2012. Ka një dyshim të zbehtë që bota do të jetë dëshmitare e kolapsit të të tjera regjimeve diktatoriale në rajon.

Ndërsa myslimanët e Lindjes së Mesme vazhdojnë të gjakosen për t’u çliruar nga zinxhirët e diktaturës, debati për të ardhmen vazhdon. Për shembull, në Egjipt, edhe pse ancien regime ka mbetur i pacenuar, zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në fund të nëntorit të 2011, ndërkohë që presidencialet priten të mbahen në korrik të 2012. Sidoqoftë, çështja e mënyrës dhe karakterit të qeverisjes nuk është përfolur akoma, edhe pse roli i Islamit në ndërtimin e shtetit është i pashmangshëm dhe influenca e tij mbetet e qartë.

Aleanca tripalëshe anglo-frako-amerikane është gjendur kujdesshëm mes këtyre ndodhive, pasi synon të shfrytëzojë shpirtin protestues për të vendosur brezin e udhëheqësve të tyre, që do u mundësojnë siguri dhe mbështetje të mëtejshme për interesat perëndimore në rajon.

Në këto rrethana të rrëmujshme, dilema nëse Islami mund të vendosë të drejtën është në mendjet e shumë perëndimorëve. Në fund të fundit, askush nuk do që të rikthehen ditët e Mubarakut, Ben Aliut dhe Gadafit. Njerëzit duan një autoritet të përgjegjshëm, transparent dhe të drejtë.

Ky artikull përshkruan se si Sheriati mund të përmbushë shpresat dhe pritshmërinë e miliona protestuesve, duke siguruar që e drejta është vendosur. Ky artikull ilustron historinë islame dhe vë në pah se si ligji islam ka garantuar të drejtën shumë shekuj para se europianët mund të kenë ëndërruar për standarde të tilla. Këtu argumentohet që drejtësia në botën myslimane mund të ndërtohet vetëm përmes ligjit islam.

Përkufizimi i së drejtës

Para se të bëjmë këtë përkufizim, është e rëndësishme që të largojmë disa keqkuptime. Njëri syresh është bindja e shumë politikanëve perëndimorë që e drejta është monopol i demokracisë laike perëndimore.[1] Fjala vjen, Thomas Bingham-i, ish-kryetar i gjykatave angleze, ka thënë: “Ka patur debate nëse e drejta mund të ekzistojë pa demokraci. Disa kanë argumentuar që është e mundur.”[2] Supozimi i Bingham-it bazohet në konceptin e gabuar që qeverisja e mirë mund të jetë rezultat vetëm i demokracisë.

Deri më sot Perëndimi ka shfaqur demokacinë si të vetmin sistem të përshtatshëm për njerëzimin, por ka dështuar të bindë botën myslimane që demokracia është ilaçi i të gjitha sëmundjeve të saj. Mark Welton ka vërejtur me vend se “demokracia është një term me vlera të larta, që mbart konotacione pozitive për amerikanët dhe europianët. Por, i njëjti koncept që përdoret pa kriter nga politikanët perëndimorë, perceptohet në Lindjen e Mesme arabe si kod, si “maska” e përpjekjeve perëndimore për të rizaptuar territoret arabe dhe për të grabitur resurset e tyre natyrore”.[3]

Burimet islame ligjore dhe historike e hedhin poshtë maskën e sugjeruar që e drejta është e vetmja një qasje e Perëndimit. Welton-i shkruan: “Koncepti që i vishet ‘së drejtës’ është në fakt një vlerë ligjore dhe politike që e ndan si Perëndimi ashtu edhe Islami. E, nëse gdhendet siç duhet, mund të sigurojë një strukturë të dobishme për diskurs dhe kuptueshmëri më efektive midis këtyre dy traditave.”

Pra, çfarë kuptojmë ne me parimin e së drejtës? Le t’i hedhim një sy përkufizimit të Bingham-it, i cili thotë që nën këtë parim “të gjithë personat dhe autoritetet brenda një shteti, qofshin publikë a privatë, janë titullarë të të vepruarit në të mirë të ligjeve që njihen dhe që janë në perspektivë, të cilat administrohen në gjykata”[4]. Në parim, Islami nuk ka asnjë kundërshtim me këtë përkufizim, madje ky i fundit manifestohet edhe në strukturën ligjore dhe politike të Islamit.[5]

E drejta kërkon që ligji të jetë i qartë dhe i arritshëm në mënyrë që qytetarët e një shteti të jenë të vetëdijshëm për kufijtë e ligjit, të cilit duhet t’i binden. E drejta kërkon që qeveria të garantojë të drejta themelore bazë, si prezumimi i pafajësisë, derisa të vërtetohet fajësia me vendim gjykate; të mos ketë vonesa arbitrare që cenojnë procesin e rregullt ligjor, si dhe e drejta për gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Të gjitha organet ekzekutive dhe juridike duhet ta zbatojnë të drejtën, sepse askush nuk qëndron mbi ligjin.[6]

Një analizë e shkurtër për sistemin e qeverisjes në Islam

Dihet se sistemi qeverisës në Islam është kalifati. Ky sistem i ka rrënjët në sheriat dhe në historinë e Islamit. Ky nuk është një sistem si ai i paradigmës demokratike të Perëndimit. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Profetët u kanë prirë bijve të Israelit. Kur një profet ka vdekur, një tjetër e ka zëvendësuar atë, por nuk do të ketë profet të tjerë pas meje. Shpejt do të ketë mëkëmbës, dhe ata do të jenë shumë. Përmbusheni besnikërinë (premtimin e besnikërisë) ndaj tyre dhe jepjuni atyre hakun. Allahu do t’u kërkojë llogari për atë që Ai ju besoi.”[7]

Kalifati është kujdestari i njerëzve dhe detyra e tij është të sigurojë që sheriati është realizuar; kështu që, drejtësia të mbizotërojë. Allahu thotë: “E nëse i gjykon, gjykoji me drejtësi! Vërtet, Allahu i do të drejtët.”[8]

Në kalifat nuk ka hierarki të burimeve të së drejtës[9], sepse ligji nuk ka zbritur nga njeriu, por nga Krijuesi i tij. Allahu thotë:“Prandaj, gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu.”[10]

Gjithashtu: “Urdhri (ose gjykimi) i takon vetëm Allahut.”[11]

Ligjeve të Allahut u takon sovraniteti (sheriatit), e jo njerëzve. Kalifati përhap sheriatin në vendet e Islamit. Imam Ebu Hasan el-Mawardi ka thënë:“Imamati është në vazhdën e profetëve, për të mbrojtur besimin (Islamin) dhe për të rregulluar problemet e kësaj bote.”[12]

Kështu, e drejta bazohet në sheriat. Ashtu siç thotë Welton-i: “Edhe bota islame është e devotshme ndaj të drejtës që ka zbritur, edhe pas dobësive të shekullit XIX dhe XX të kolonializmit perëndimor dhe formave të mëvonshme të tij – ende e dëshirojnë si virtyt, plotësisht të pajtueshëm me ligjin dhe traditën islame.”[13]

[1] Lordi Goldsmith QC, “Qeverisja dhe e drejta në Epokën Moderne”, leksion i mbajtur më 22 shkurt të vitit 2006 (ish Prokuror i Përgjithshëm i Anglisë).

[2] Thomas Bingham, “The Sikth Sir David William Lecture” (leksion i mbajtur në 2006), fq.35.

[3] Mark David Welton, “Islami, Perëndimi dhe e drejta”, f. 172 (2007).

[4] Bingham, f. 5.

[5] Duke zbërthyer këtë parim të përbashkët në këtë diskurs vis-à-vis me të drejtën, ky artikull nuk ka për qëllim të paqtojë kritikën që i bëhet Islamit. Përkundrazi, muslimanët që përkrahin sheriatin besojnë se Islami ka trashëguar një sistem superior në krahasim me ideologjitë, sepse Islami e ka origjinën te Krijuesi dhe jo te mendja e njeriut.

[6] Ky artikull përfshin çdo diskurs mbi legjislacionin, pasi një strukturë e tillë është e papajtueshme me filozofinë politike dhe ligjore të Islamit.

[7]Imam Neveviu, Rijadus Salihin (Këshilli Kombëtar i Hixhrit, 1992), hadith nr. 657

[8] Kur’ani, 5:42

[9] Për të sqaruar konceptin, bëhet një paralelizim me terminologjinë legjislative perëndimore. Në islam nuk ka një hierarki të burimeve të së drejtës si në kushtetutat klasike sekulare, sepse burimet e së drejtës në islam (Kur’ani, hadithet, ixhmaja, kijasi) nuk njohin kontradikta midis tyre ashtu siç mund të ndodhë rëndom në legjislacionin perëndimor. (shën. i përkth.)

[10] Kur’ani, 5:48

[11] Kur’ani, 12:40

[12] Abu’l Hasan al Mawardi, Al-Ahkam As-Sultaniyyah (Ta-Ha Publicantions, Londër, 2005 reprint), fq 10

[13] Welton, fq 173

Nga Wakil Abu Mujahid

Përktheu: Nejona Kadzadej

/Revista Drita Islame, Korrik 2013/

You must be logged in to post a comment Login