Shënime nga Haxhi 2017

Në vend të një udhëpërshkrimi a reportazhi

Kur’ani thotë: “Shtëpia e parë, e ndërtuar për njerëz, është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë) – udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka Shenja të qarta – Vendqëndrimi i Ibrahimit (Mekamu Ibrahim). Dhe kush hyn në të, është i sigurt. Për hir të Allahut, vizitimi i Shtëpisë është detyrë për atë, që e ka mundësinë për të shkuar.” (Surja “Ali Imran”, ajetet 96-97).

Kjo Shtëpia e parë, e ndërtuar për njerëz, është Qabja. Ajo është në mes të Xhamisë së Shenjtë (Mesxhidi Haram). Është një ndërtesë katrore, e lartë rreth 15 metra. Është një kompleks me nëntë elemente. Do të përmendim vetëm tri:

Porta e Qabes (Babul Ka’be). Porta e tanishme është dhuratë e mbretit Khalid ibn Abd al Aziz al Saud. Është bërë me ar të pastër (99.99%). Sasia e arit është rreth 290 kg.

Guri i Zi (Haxherul Esued). Është një gur në qoshen jugore të Qabes, në trajtë vezake, i gjerë rreth 30 cm, i rëndë, i zi në të kuq (thuhet se pjesa e tij e padukshme është e bardhë), i rrethuar me një kornizë argjendi. Është prej gurëve të çmuar të Xhenetit.

Vendqëndrimi i Ibrahimit. Është vendi ku vinte këmbët profeti Ibrahim, kur ndërtonte Qaben. Në të shquhen gjurmët e këmbëve të Ibrahimit: 27 cm të gjata, 14 cm të gjera, 10 cm të thella. Është i larë me argjend. Është vendosur në një piedestal të mermertë – 75 cm i lartë.

Haxhi bëhet në fund të muajit dhul-hixhe (muaji i fundit i vitit sipas kalendarit islam). Haxhi bëhet një herë gjatë jetës. Haxhi është tubimi më i madh i vitit. Është tubimi i miliona besimtarëve. Nga të gjitha vendet e botës. Është një tubim që përfaqëson bashkimin e rreth dy miliardë myslimanëve në mbarë botën dhe të mijërave që konvertohen në Islam çdo vit nga fe të tjera. Na thanë se në haxhin e këtij viti kanë qenë mbi 3.5 milionë veta – burra dhe gra. Të ftuar të mbretit Salman bin Abd al Aziz al Saud – mbi 4 mijë veta; nga Shqipëria dhe Kosova, rreth 50 veta. Ka mbi 20 vjet që Mbreti fton nga e gjithë bota për Haxh. Mbreti shpenzon dhe pasuria vetëm i shtohet.

Në tubime të tilla, njeriu njihet me aq shumë vëllezër myslimanë. E veçanta në këtë njohje qe se po të thoshe që ishe shqiptar, do të të përmendnin me përzemërsi e përnderim Nasuridin Albanin dhe Abdulkadër Arnautin – dy personalitete islame botërore. Ne, sigurisht mbusheshim me krenari sepse janë rrënja jonë e gjaku ynë.

Mbresat tona janë të bukura e të pashlyeshme. Në raste të tilla, njeriu nuk di ç’të thotë më parë. Atje gjithçka të mahnit. I mahnitshëm është organizimi i Haxhit. Miliona besimtarë në Qabe, në kodrat Safá e Merue, te çezmat e Zemzemit, në porta e në shkallë. Miliona besimtarë në falje në një hapësirë, që quhet Xhamia e Shenjtë. Pesë faljet e detyrueshme, në kohë të caktuar. Pa kaluar sekonda. Miliona besimtarë në një hapësirë, që quhet Mekë. Ditë e natë. Pothuajse për dhjetë ditë. Vërtet, një organizim i përsosur. I nderuar lexues! Me siguri keni parë pamje nga tauafi (shtatë rrotullimet rreth Qabes) në televizione. Shkuarjet dhe ardhjet e besimtarëve janë si valëzimet në një liqen. Ato zgjerohen e zgjerohen. Por kanë vetëm një qendër – Qaben. Rreth pas rrethi, valë pas vale, formohet një det njerëzish. Dhe deti lëviz. I tëri. I qetë e pa zhurmë. Në një vend e një çast të caktuar dëgjohet vetëm: Allahu Ekber (Allahu më i Madhi). Sepse në këtë det njerëzish e nga ky det njerëzish adhurohet vetëm Allahu. Nuk adhurohet Qabja. Qabja është, thjesht ai vend i shenjtë, që i ka përbashkuar këta njerëz. Në këtë det njerëzish nuk ka dallime race, ngjyre, kombësie, gjinie, pasurie, rangu, autoriteti e pushteti. Janë të gjithë vëllezër e motra. Në çdo portë, hyrje, shkallë elektrike, kalim, mbikalim, rruginë, kënd, shesh, oborr ka djem me uniformë që udhëzojnë. Ka edhe djem, gjithashtu me uniformë, që i freskojnë haxhinjtë me një si sprucatore, teksa bëjnë tauafin. Aspiratorët e fuqishëm bëjnë punën e tyre. Mendoni, i nderuar lexues edhe Arafatin në ditën e parafundit të haxhit! Pa Arafat nuk ka haxh, – ka thënë Profeti. Atëherë, të gjithë duhet të jenë në Arafat. Për një ditë e brenda ditës. Mendoni, atëherë, mijëra makinat e autobusët që çojnë atje haxhinjtë e në rrugë nuk ka probleme qarkullimi. Mendoni pastaj tubimin e haxhinjve në Arafat. Një vend në mes të shkretëtirës. Por me tenda e me ujë. E edhe me drurë të mbjellë.

Një më një me organizimin e përsosur është vetorganizimi i përsosur i haxhinjve e i haxheshave. Sepse çdo haxhi e çdo haxheshë mendon më së pari për të mirën, rregullin e qetësinë e të tjerëve. Në tauaf e te kodrat Safa e Merue, vërtet shpejtohej hapi, por edhe matej hapi, që të mos e cekësh pa dashje tjetrin. Qyteti ka pjesën e vet në këtë organizim. Për qytetarët e Mekës mjafton petku i bardhë i haxhiut e varësja plastike a byzylyku plastik me emrin e mbiemrin e haxhiut, vendin nga vjen e vendin ku rri në Mekë. Për t’i treguar rrugën a hotelin, nëse ka humbur grupin. Por edhe për ta ftuar për një pije freskuese.

Tri qytete të haxhinjve e për haxhinjtë: Meka, Medinia, Xhedda

Meka. Qyteti i zemrës së dy miliardë myslimanëve në botë. Është qyteti i Qabes së Shenjtë dhe i Xhamisë së Shenjtë. Është vendi më i shenjtë në botë. Është destinacioni i miliona haxhinjve.

Qe Vullneti i Allahut që Qabja e Shenjtë të jetë në Mekë. Allahu betohet me emrin e Mekës (shih në Kur’an 95:3) e i jep kështu asaj një status unik, që nuk e ka asnjë qytet tjetër në botë. E para sure e Kur’anit ka zbritur në Mekë. Myslimanët e gjithë botës kthehen me fytyrë nga Qabja në Mekë pesë herë në ditë kur falen. Edhe haxhi mbaron me Tauafin e Lamtumirës përreth Qabes së Shenjtë në Mekë. Thonë që edhe fizikisht, Meka është qendra e Globit.

Në Mekë u lind më i dashuri i të gjithë njerëzve të Allahut – profeti Muhamed, i Dërguari i Allahut. Atje u rrit e atje jetoi më i dashuri i Allahut. Atje i zbriti më së pari Shpallja e Allahut, Kur’ani. Atje Profeti ka mbajtur shumë hytbe (ligjërata). Në Mekë (në Arafat), Profeti ka mbajtur Hytben e Lamtumirës (në vitin 633 të erës sonë). Dhe Hytbja e Lamtumirës është një ligjëratë oratorike. Për gjithë njerëzimin, sepse i drejtohet gjithë njerëzimit e i flet gjithë njerëzimit. “O njerëz! – thuhet në Hytbe. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve! Ruani dhe respektoni vlerën e personalitetit! Njeriu është vepër madhështore e Allahut. Mjerë ai që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij! Kurrë mos i shkelni të drejtën dhe nderin e tjetrit! Kamata është e ndaluar. Huadhënësi duhet të marrë nga huamarrësi vetëm atë që vërtet, ka huajtur”. Këto janë vetëm disa copëza nga kjo kushtetutë e njerëzimit.

Armiqtë e Islamit e patën detyruar Profetin ta linte Mekën e të shkonte në Medine. Kur po largohej, Profeti tha: “Betohem në Allah, o Mekë, ti je më i miri ndër qytetet dhe qyteti më i dashur në Tokë për Allahun. Në qoftë se nuk do të më detyronin të largohesha, nuk do të isha larguar kurrë”. E donte Mekën, siç do biri nënën. Dhe Meka do ta mirëpriste kur të çlirohej. Sepse Meka e kishte zemrën të shëndoshë. Të sëmurë e kishte paria pagane e Mekës.

Pas tetë vjetësh Profeti do të kthehej në Mekë me një ushtri prej mijëra vetash e do ta çlironte Mekën. Por nuk u prek as me gisht të vogël as edhe një nga ish-armiqtë. Profeti i fali të gjithë. Por nuk i fali idhujt. Idhujt u thyen të gjithë. Dhe Profeti ngjalli besimin në Zotin, që është Një. Profeti u solli lirinë skllevërve dhe u ktheu të drejtat të varfërve e të shtypurve dhe vendosi sundimin e njerëzve të devotshëm ndaj Allahut. Dhe Meka u bë qendra e Islamit. Dhe Meka u bë simboli i historisë islame, i historisë shpirtërore botërore. Dhe Meka u bë simboli i vetë njeriut.

Meka është në vargmalin Serauat, që shkon njësh me Detin e Kuq. Lartësia e saj mesatare nga niveli i detit është 277 metra. Është larg nga Deti i Kuq 70 km. Në Kur’an Meka përmendet me këta emra: Mekke, Bekke, Ummul Kura, El Beled el Emijn etj. Ajo ka edhe emra të tjerë, që nuk janë përmendur në Kur’an.

Meka. Rrugët moderne. Unaza këmbësore e Xhamisë së Shenjtë – e tëra me pllaka të bardha dhe e pastër si një dhomë shtëpie. Tetë tunelet. Tri mbikalimet. Gjashtë autostradat që e lidhin Mekën me Xheddën, Taifin, Riadin, Medinen, Al-Leithin dhe Jemenin. Parkimet shumëkatëshe për më se 1500 makina. Ndërtesat shumëkatëshe. Shkollat e universitetet moderne. Hotelet me pesë yje. Shitoret e kultura shembullore e shitblerjes. Të gjitha e gjithçka të ngazëllejnë. Por lexuesit të nderuar duam t’i themi diçka më të veçantë për Mekën.

Zemzemi. Është uji që njomi buzët e rreshkura të foshnjës Ismail. E ai Ismaili do të bëhej profet. E ai Ismaili do të ishte rrënja e profetit Muhamed. E ky uji ka buflluar te këmbët e foshnjës Ismail. Dhe e ëma, Haxherja është mrekulluar, por edhe është trembur se ka pasur frikë se ashtu siç buflloi, ashtu mund të ikte. E, në atë mrekulli e në atë frikë, ajo ka gjetur fjalën “zumij, zumij!” (ngadalë, ngadalë!). Dhe ky emërtimi Zemzem është nga ajo fjala e Haxheres.

Burimi i Zemzemit është afër Gurit të Ibrahimit, 20 m para Qabes, nga krahu i Gurit të Zi. Gryka e burimit është poshtë sipërfaqes së tauafit, rreth 1. 56 m. Ai ka historinë e tij të rizbulimit, të mirëmbajtjes e të pastrimit. Sot, Zemzemi funksionon me sistem elektronik. Ka edhe një fabrikë moderne për mbushjen e mbylljen e shisheve plastike, për t’i transportuar anembanë botës. Ka një sistem të veçantë spërkatjeje për të larë sipërfaqen e tauafit.

Zemzemi është ujë i bekuar. Është ujë ku nuk zhvillohen baktere e ku nuk ka rritje biologjike (alga etj.). Zemzemi ka fluoride (mikrobevrasëse). Ai nuk ka nevojë të klorinohet. Ai ftohet e freskohet në një rrjet tubacionesh e sistem ajrimi të kondicionuar. Me një sistem elektronik kompjuterësh kontrollohet pompimi i ujit dhe temperatura. 733 rubinete janë në pjesën e tauafit, në katin e parë dhe ndërmjet disa dyerve të Xhamisë. Dhe Zemzemi ka ujë për miliona haxhinj.

Disa nga vendet e shenjta në Mekë:

Qabja. Diçka u tha në fillim. Shumë mund të thuhet për të. Shumë mund të thuhet për lashtësinë e saj, për historikun e ndërtimit të saj, për ata që e ndërtuan, për mirëmbajtjen e saj në shekuj dhe për mbresat e miliona besimtarëve në shekuj. Ne kemi zgjedhur të themi diçka për historinë e saj dhe për mbulesën e saj të sotme.

Kur’ani (2:127) thotë se themelet e Qabes i kanë ngritur profeti Ibrahim me të birin, profetin Ismail. Allahu ia ka treguar vendin e saktë profetit Ibrahim – shumë afër Pusit të Zemzemit. Pas ndërtimit të Qabes, një melek i solli profetit Ibrahim Gurin e Zi, që zbriti nga qielli. Profeti Muhamed ka thënë: “Guri i Zi ka zbritur nga Xheneti më i bardhë se qumështi, por mëkatet e bijve të Ademit (= njerëzve – H.Sh.) e kanë nxirë atë”. Pasi ka zbritur Guri i Zi në qoshen lindore të Qabes, Ibrahimi ka marrë Zbulesën nga Allahu: “Dhe thirr ndër njerëz për haxh!” (Kur’an, 22:27). Në Mekë ka një muze për Qaben. Ja disa nga objektet dhe eksponatet: Thënia “Bismil-lahi” dhe dy sure (kapituj) të Kur’anit (“En Nas” dhe “El Felek”), gdhendur në gur. Po kështu, gdhendur në gur: emri i Profetit dhe emrat e katër kalifëve të parë; maketi i Gurit të Ibrahimit; minber (ngritore me disa radhë shkallësh, ku imami mban hytben e xhumasë) i lëvizshëm; dyer bakri e shtyllë – shandan bakri; dekor në bakër për dritare; dera e Qabes; kopje e çelësit të Qabes, që ruhet nga një familje tash më se 14 shekuj; një nga katër kopjet e para të Kur’anit, që u shkruan në kohën e kalifit Othman bin Affan (tri të tjerat janë në Uzbekistan, Turqi / Stamboll dhe Britani; janë pa shenja diakritike); maket i mihrabit të Profetit (mihrabi është vendi në krye të xhamisë, ku imami udhëheq faljen) dhe i ngritores, ku mbante hytben; maket i Pusit të Zemzemit; orë diellore; etj.

Mbulesa e sotme e Qabes. Çdo vit, në ditën e dhjetë të muajit dhul-hixhxhe Qabja mbulohet me mbulesë mëndafshi. Mbulesa endet në një fabrikë moderne në Mekë. Mbulesa endet me mëndafsh të pastër natyral, në ngjyrë të zezë. Ajo është 14 m e gjatë. Në pjesën e sipërme, në një të tretën e saj është një rrip – 95 cm i gjerë, ku mbishkruhen ajete kur’anore, rrethuar me një kornizë zbukurimore islame, qëndisur me fije ari – 47 m. Edhe perdja e derës së Qabes (e gjatë 7.5 m dhe e gjerë 4 m) është me zbukurime islame e me mbishkrime ajetesh, endur me fije argjendi, të lara me ar. Vetëm një mbulesë e Qabes do rreth 700 kg mëndafsh të pastër natyral.

Mina. Në këtë vend ka qëndruar Profeti gjatë Haxhit të Lamtumirës.

Arafati. Në Arafat është Mesxhidu Nemire (Xhamia e Nemiresë). Në Nemire ka qëndruar gjatë Profeti në Haxhin e Lamtumirës (viti 633 i erës sonë). Këtu ka mbajtur edhe Hytben e njohur të Lamtumirës. Sipas historisë islame: Në Arafat ka zbritur Ademi. Në Arafat janë ribashkuar Ademi me Havanë pas endjeve nëpër tokë (pasi qenë dëbuar nga Kopshtet e Edenit).

 Disa nga vendet historike në Mekë:

Shtëpia ku lindi Profeti. Është në tregun “Lejl”, në anën e hyrjes në tunele. Është rindërtuar e është kthyer në bibliotekë: Biblioteka e Mekës.

Xhebelu en Nur (Mali i Dritës). Është rreth 3.3 km në veri të Mekës. Aty është Hira, ku veçohej Profeti për të adhuruar Allahun, para se t’i zbriste Kur’ani. Aty ka zbritur Xhibrili me Fjalën e Allahut. Aty ka zbritur Surja “Ikre bismi” (Lexo ! Shpall ! Kumto! Me emrin e Zotit tënd …). (Surja 96).

Xhebelu Theur (Mali i Theurit). Mal afër Mekës. Aty është shpella e Theurit, ku u strehuan Profeti dhe shoku i tij, Ebu Bekri, para se të imigronin për në Medine, për t’u shpëtuar ndjekjeve të politeistëve mekas. Kjo përmendet në Kur’anin e Shenjtë, në suren “Et Teube”, ajeti 40.

Safa dhe Merue (As-Safa / Al-Maruah) – dy kodra, tani brenda Xhamisë së Shenjtë. Largësia nga Safa te Merue është rreth 400 m. Myslimanët e përshkojnë këtë largësi shtatë herë, për të kujtuar ecjet gjithë ankth të Haxheres (bashkëshortes së Ibrahimit) për të gjetur ujë për foshnjën (Ismailin).

Medinia. Profeti Muhamed u lind në qytetin e Shenjtë të Mekës në një familje shumë fisnike. Por mbeti jetim e kështu, i pagëzuar e i palumtur. Kur u burrërua, iu drejtua Allahut. Ishte kundër idhujve e kundër mëkateve. Mu për këtë paria injorante e Mekës e përndoqi. E si mund ta përndiqte Meka birin e saj, atë bir të madh?! Dhe Profeti bëri Jethribin qytet të vetin. Më pas, ky Jethribi do të quhej Medinetun Nebij (Qyteti i Profetit). Dhe kështu quhet edhe sot.

Medinia. Qyteti i Profetit. Qyteti ku prehet Profeti. Qyteti i parë islam që iu bë mburojë Profetit e Islamit. Medinia – qyteti i ensarëve (vendësve, mbështetësve të Profetit) dhe i muhaxhirëve (të shpërngulurve nga Meka), të cilët u vëllazëruan e u bënë njësh për kauzën e Islamit.

Medinia është qyteti ku u tubua Kur’ani i Shenjtë. Tani është qyteti i Xhamisë së dytë të Shenjtë në botë.

Medinia është selia e shtetit të parë islam në botë. Themeli i Islamit e i shtetit të parë islam është Dëshmia: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo Dëshmi thuhet pesë herë në ditë në ezan (ezani është thirrja për falje). Dëshmia është e mbishkruar në flamurin e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Dhe me dekret mbretëror, flamuri i Mbretërisë së Arabisë Saudite nuk mund të cekë në tokë a në ujë e as nuk mund të ulet në gjysmështizë. Sepse nuk mund të cekë në tokë e në ujë e nuk mund të ulet ajo që mbishkruhet në arabisht me shkronja të bardha në sfondin e gjelbër: La ilahe il-allah Muhammed-ur Rasulullah (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut). Është Dëshmia monoteiste e Islamit. Ky koncept e përdallon Islamin nga të gjitha fetë e tjera të sotme.

Në Medine u ndërtua shoqëria e parë islame. Ishte ajo shoqëri që përmbysi skllavërinë. Ish-skllavi – Bilali u bë thirrësi i ezanit. Kjo bota e qytetëruar ia atribuon parullën “Liri, vëllazëri, barazi” Revolucionit Francez. Por këto vlera (Liri, vëllazëri, barazi) qenë bërë pjesë integrale e përditshme e shoqërisë së parë islame të Medines – 11 shekuj para Revolucionit Francez.

Medinia është në pjesën veriperëndimore të Arabisë Saudite, 620 m mbi nivelin e detit, 250 km larg Detit të Kuq. Shtrihet në një rrafshnaltë, ku kryqëzohen tri lugina, e kësisoj, ajo ka gjelbërimin e nevojshëm. Na thanë se në këto lugina është plantacioni më i madh i hurmave në botë: 50 milionë rrënjë. Medinia është, vërtet një qytet modern. Ashtu si Meka, me rrugë e ndërtesa moderne, me shkolla e universitete moderne. Me bibliotekë, që mund ta ketë zili çdo qytet europian. Me kompleksin e madh të botimit të Kur’anit në aq shumë gjuhë të botës e me miliona kopje.

Në Medine shkohet pas Haxhit (mundet, edhe para Haxhit) për të vizituar Xhaminë e Profetit e për t’u falur aty. Xhamia është një mrekulli e pashoqe e arkitekturës islame. Te Xhamia është vendprehja e Profetit. Haxhiu qëndron para varrit të tij dhe e përshëndet. Në shqip përshëndetja është: “Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ty, o i Dërguari i Allahut! Allahu të shpërbleftë me të mira për të gjithë bashkësinë tënde!”

Vende të shenjta në Medine. Ka disa. Është Xhamia e Profetit. Shih më tej për këtë Xhami.

Vende historike në Medine. Ka shumë. Medinia ka të bëjë, sidomos me shtetin e parë islam në botë, me udhëheqësinë e Profetit, me luftërat mbrojtëse etj. e ka shumë ngjarje e shumë vende historike që lidhen me to. Lexuesi mund t’i gjejë ato në librin “Lulishta e Dritave”. Ne do të përmendim vetëm dy: Kubá. Fshat në rrethinat e Medines, ku u ndërtua xhamia e parë e Islamit. Bedër. Vend rreth 150 km në jug të Medines, ku u bë më 624 beteja e parë midis forcave të Bashkësisë Islame (313 veta) dhe politeistëve mekas (1000 veta). Politeistët u mundën keq.

Xhedda. Porti më i madh i Mbretërisë së Arabisë Saudite. Porta kryesore ajrore e detare për haxhinj, me aeroportin ndërkombëtar, portin dhe rrugët e gjera moderne. Qendër e madhe ekonomike, industriale, tregtare dhe kulturore e Mbretërisë. Një qytet me arkitekturë krejt moderne. Një nga pamjet më të spikatura të Xheddës natën është Shatërvani, i ndërtuar nga mbreti Fahd. Qytetarët e quajnë atë Shatërvani “Mbreti Fahd”. Konsiderohet si shatërvani më i lartë në botë – 260 m nga niveli i detit. Në ditët e Haxhit, Xhedda, ashtu si Meka, mund të quhet qyteti më kozmopolit i Arabisë Saudite dhe i botës, sepse, siç u tha, është porti dhe aeroporti i haxhinjve.

Emri i qytetit mund të shqiptohet edhe Xhidda ose Xhodda. Thuhet se ky emër është shumë i vjetër dhe ka kuptimin “gjyshe”, “nëna e madhe”. Shumica e historianëve e lidhin emrin Xhedda me gjyshen e njerëzimit – Havanë (Evën). Ajo prehet në këtë qytet. Vendi i saj i prehjes dihet edhe sot, sipas “Jeddah Wealth and Beauty”, 1992.

Dy Xhamitë e Shenjta në Mbretërinë e Arabisë Saudite:

Xhamia e Madhe e Mekës, ose siç quhet nga vendësit Al-Masxhid al – Harām (Xhamia e Shenjtë). Është Xhamia më e madhe në botë. Ajo i rri përqark vendit më të shenjtë në botë – Qabes.

Xhamia është zgjeruar e restauruar shumë herë. Restaurimi i parë i madh është bërë në vitin 692. Pastaj, më 1570, 1629, 1955-1973, 1982-1988, 1988-2005. Në këtë zgjerimin e fundit janë shtuar edhe 18 porta, tri kubé dhe rreth 500 kolona. Në vitin 2007, nisi një zgjerim tjetër, i cili, sipas projektit do të zgjasë deri në vitin 2020. Është zgjerimi më i madh në historinë e Xhamisë së Shenjtë. Është një zgjerim i sofistikuar. Do të përdoren teknikat dhe sistemet më të fundit ndërtimore. Do të zgjerohen unaza rreth Qabes, hapësirat e jashtme (oborret e sheshet), urat e mbikalimet në Xhami, tunelet këmbësore, sipërfaqja e faljes etj. Infrastruktura ka vendin e vet në këtë zgjerim. Pesë projektet kryesore në këtë zgjerim janë përuruar tashmë. Vetëm katër detaje: Nga zgjerimi i unazës këmbësore të Qabes do të mund të bëjnë tauaf 107 mijë haxhinj në orë (tani bëjnë tauaf 50 mijë haxhinj në orë). Pas zgjerimit, Xhamia e Shenjtë do të nxërë rreth 10 milionë haxhinj. Xhamia do të ketë mbi 4500 fortafolës (altoparlantë) e mbi 6600 kamera vëzhguese. Do të ndërtohen edhe një portë e re dhe dy minare dhe bëhen kështu 11 minare. Me zgjerimin e ri, vetëm në oborret e Xhamisë mund të falen edhe 250 mijë faltarë. Xhamia është e tëra me ajër të kondicionuar. Ja disa të dhëna të paradokohshme ndërtimore (themi të paradokohshme sepse shifrat vjetrohen gjithnjë): Sipërfaqja ndërtimore: 208 000 m2; Sipërfaqja për falje: 61 000 m2; Sipërfaqja e shesheve dhe oborreve përreth Xhamisë: 40 000 m2; Numri i faltarëve në një falje: 695 000; Minare: 9; Lartësia e minareve: 89 m; Shkallë: 11; Shkallë vetëlëvizëse: 5.

Xhamia e Profetit (Al-Masxhid an Nabaui) në Medine. Është një ndër tri xhamitë më të mëdha në botë. Pas Xhamisë së Mekës, ajo është Xhamia e Dytë e Shenjtë. Xhamia është në qendër të Medines.

Një ndër veçoritë karakteristike të Xhamisë është Kubeja e Gjelbër në qoshen e saj juglindore, ku është vendprehja e Profetit dhe e dy kalifëve të parë – Ebu Bekr dhe Umer bin al-Khatab. Ajo është e shtruar me tapet të gjelbër, për ta përdalluar (kurse e tërë Xhamia është me tapete të kuq). Në qendër të Xhamisë është një hapësirë e vogël, por e veçantë, që quhet Reudatul-Xhenne (Kopshti i Xhenetit). Ajo shkon nga varri i Profetit te mihrabi. Ebu Hurejre na përcjell një hadith të Profetit: “Profeti ka thënë: “Hapësira ndërmjet shtëpisë sime dhe mihrabit tim është një nga Kopshtet e Xhenetit”.

Xhamia është ndërtuar për së pari nga Profeti në vitin 622, pasi mbërriti në qytetin e Medines, për t’u shpëtuar përndjekjeve të politeistëve mekas. Profeti ishte kaluar në devenë, që e quanin Kasua. Papritur, deveja ndaloi e nuk eci më më tej. Profeti zbriti. Pyeti e kujt ishte ajo tokë, ku ishte ndalur deveja. I thanë se ishte e dy jetimëve. Profeti e bleu tokën, me gjithë kundërshtimet e dy jetimëve për të mos marrë pará sepse donin ta jepnin si dhuratë. Xhamia është ndërtuar për shtatë muaj. Edhe vetë Profeti ka punuar. Ka mbartur qerpiçë e gurë. Xhamia qe 30.5 m me 35.62 m; e lartë 3.60 m. Çatia mbështetej në shtylla palmash. Mbulesa – gjethe palmash e baltë.

Xhamia është zgjeruar më pas: nga kalifi i dytë, Umeri e kalifi i tretë, Othmani (më 649). Në vitin 707 pati një zgjerim tjetër. Xhamia ka pasur zgjerime të tjera: në vitin 1476, 1849, 1932, 1951, 1974, 1985. Një projekt i vitit 2012 parashikon që Xhamia të zgjerohet për 1.6 milionë faltarë.

Disa të dhëna të paradokohshme ndërtimore: Sipërfaqja ndërtimore: 98 500 m2; Sipërfaqja për falje: 67 000m2; Sipërfaqja e shesheve dhe e oborreve përreth Xhamisë: 235 000 m2; Numri i faltarëve në një falje: 650 000; Numri i minareve: 10; Lartësia e minareve: 104 m; Numri i lajtoreve: 6 800; Numri i tualeteve: 2 500; Numri i shkallëve: 18; Numri i shkallëve vetëlëvizëse: 4.

E tërë Xhamia është me sistem ajrimi të kondicionuar. Xhamia ka 27 hapësira për falje, të bashkëlidhura harmonishëm. Çdo hapësirë është me kube të lëvizshme. Ato mund të hapen ose të mbyllen në çast, sipas motit. Edhe kubetë, edhe hapësirat e faljeve janë me zbukurime. Ka 1000 kolona. Ka etazherë për faltarët mu aty ku falen. Uji i freskët e i ftohtë i Zemzemit e gotat plastike njëpërdorimëshe nuk mungojnë asnjëherë. Edhe këto, fare afër vendit të faljes. Xhamia ka një sistem të përkryer hijezimi. Tenda shumë të mëdha prej tefloni në oborret e Xhamisë, që funksionojnë mekanikisht, i mbrojnë haxhinjtë nga temperaturat e larta. Kur janë të hapura, ngjajnë si flutura. Kur mbyllen, ngjajnë si zambakë. Nuk ka të tilla në asnjë vend tjetër të botës. Jo për kureshtje, por për të treguar për një përkujdesje shumë kuptimplote: Për Xhaminë ka një program të veçantë për rishtrimin me tapete. Tapetet janë gjithnjë të rinj e gjithnjë u vjen era myshk.

Prof. dr. Hajri Shehu

/Revista ‘Drita islame’, tetor 2017/

You must be logged in to post a comment Login