Shembulli i përkryer i njerëzimit

Po të hedhim një vështrim mbi historinë e zhvillimit të njerëzimit, vërejmë se, në kohë, vende e popuj të ndryshëm, kanë ardhur shumë profetë. Por cili nga këta “yje” ndriçoi më tepër dhe mbi ç’supe ra barra kryesore e idealit të lartë, e besimit në një Zot? Ai ishte Muhamedi a.s., i cili e dërgoi fjalën e Zotit te njerëzit, për t’i kthyer ata në rrugën e drejtë, në rrugën e shpëtimit. Ai u ofroi zbulimin e një fuqie hyjnore, e cila mban në harmoni gjithçka gjendet në univers.

Besimi te një Zot i vetëm solli transformimin dhe shpëtimin e shoqërisë njerëzore nga degjenerimi moral e shpirtëror. Ai solli zgjidhjen e shumë problemeve morale si individuale, ashtu edhe familjare e shoqërore. Duke kuptuar veset e liga shoqërore e fetare, që gërryenin zemrën dhe helmonin gjakun e pastër njerëzor, Muhamedi a.s. erdhi me një recetë shërimi të perfeksionuar e të pavdekshme në efektin e saj.

Ai lindi më 12 Rebiul Evvel të vitit 571, një ditë e madhe kjo për myslimanët, një ditë e lumnueshme dhe plot begati. Në këtë ditë, çdo zemër që i ka kushtuar besimin fesë së vërtetë islame rreh me gëzim, çdo shpirt ndjen kënaqësinë e çdo trup jeton në paqe e qetësi.

Madhështia e këtij njeriu të madh u vërtetua gjatë jetës së tij. Me të, çdo fazë e moraleve njerëzore, gjeti zhvillimin e plotë, e për këtë arsye ai u thirr “Shembull i përkryer i njerëzimit”. Shfaqja e këtij njeriu të madh me Mesazhin e Islamit, la gjurmë në zemrat e besimtarëve, qe një dritë që lëshoi rrezet e shpëtimit në mbarë botën. Në fillimet e shpalljes e deri në ditët e sotme, madhështia e Muhamedit a.s. u bë një vepër universale për mbarë njerëzimin, e cila gjatë historisë mori vlera personale. Uniteti i tij personal me të përgjithshmen e fesë islame, u bënë objektivi kryesor që i dhanë njerëzimit një pamje të re, një vizion të ri për familjen, për barazinë gjinore, etj.

Madhështia e këtij njeriu të madh nuk është vetëm se predikoi fenë e logjikës e të arsyes, atë të adhurimit të një Zoti të vetëm, por edhe atë të të qenët e një personaliteti të pushtetshëm, tek i cili janë përmbledhur shumë atribute të papërshkruara. Ai krijoi baza të reja për veprime më të mira të brezave që erdhën e do të vijnë.

Sot, duke parë personalitetin e këtij Profeti të madh, që la gjurmë në udhëheqjen e ligjeve islame, secili besimtar zbulon vetveten. Sa më i ndërgjegjshëm me ligjet e kushtetutës hyjnore, aq më i vullnetshëm bëhet në zbatimin e tyre. Respekti për këtë njeri të madh, i cili e konsideroi veten njeri si të tjerët, që e respekton njeriun, bëri të mundur që të shihet madhështia e tij, e mishëruar në botën myslimane. Shpallja e Kur’anit Fisnik, e ngriti Muhamedin a.s. në njeriun më të përsosur, që bëri kthesën në mënyrën e të menduarit psikik e psikologjik. Ai u bë garancia e së ardhmes dhe një kënaqësi e pakrahasueshme në vetvete.

Përkundër profetëve të tjerë, që kanë ardhur në popuj e epoka të ndryshme, Profeti i Fundit, Muhamedi a.s., u bë objekti më i madh i refleksionit. Interpretimi i mrekullueshëm i mesazhit hyjnor, madhështia e aftësisë së tij për t’i bindur njerëzit t’i kthehen të vërtetës, besimit te një Zot i vetëm, i dedikohet inteligjencës së dhuruar nga Krijuesi, i Cili e zgjodhi për këtë mision.

Profeti Muhamed a.s. ishte dhe mbeti më i madhi, më i rralli, më i çmuari njeri që i përket racës njerëzore. Ai është i dërguari i Zotit dhe nëpërmjet tij shkojmë te ligjet e Zotit. Që në rininë e tij kishte tërhequr vëmendjen si një individ i veçantë, personalitet me cilësi të veçanta, i etiketuar “i besueshmi”. Cilësitë që ndodheshin tek ai, ia ndryshuan mentalitetin për jetën e brendshme shpirtërore dhe atë të jashtme, veprimtarinë konkrete. Ky qëndrim e bëri Muhamedin a.s. simbolin e së drejtës, që u forcua me shpalljen hyjnore, e që mbetet i tillë deri në ditët tona.

Muhamedi a.s. me misionin e tij, nuk e ka hyjnizuar asnjëherë vetveten. Në marrëdhënie me njerëzit e ka konsideruar veten njeri i thjeshtë, që me personalitetin e tij ndihmoi në përhapjen e Islamit në të katër anët e botës. E veçanta e tij ishte se vetë Zoti e zgjodhi si misionar me mendim të madh, që përmes Kur’anit e interpretimit të tij arriti te madhështia. Ai u bë simbol i dashurisë dhe vëllazërimit, drejtësisë dhe humanizmit, sinqeritetit dhe besnikërisë, moralit dhe pastërtisë.

Profeti Muhamed a.s. sot është portretizuar si njeriu më i madh reformator, që ndryshoi botën me ligjet e Islamit e vazhdon të mbetet i tillë. Ai është modeli që kanë ndjekur e do të ndjekin besimtarët myslimanë. Me kushtetutën hyjnore u bë mendimtari, legjislatori, bashkëshorti, edukatori, burri i shtetit, që realizoi gjithçka në zbatimin e ligjeve islame. Procesi i përhapjes së Islamit mbetet aktual, e si i tillë, ai konsiderohet si njeriu më i madh i së djeshmes, të tashmes dhe i së ardhshmes, madhështia e të cilit nuk ka të krahasuar.

Xhemal Balla

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/

You must be logged in to post a comment Login