Selim Brahja, themeluesi i shkollës së parë shqipe në Sauk

pllaka perkujtimoreNë kuadër të 101 vjetorit të Pavarësisë, në nderim të patriotit Selim Brahja, i njohur ndryshe si Hoxha i Saukut, i cili ndërtoi dhe hapi në vitin 1916 shkollën e parë shqipe në Sauk, para disa ditësh në këtë komunë u zhvillua ceremonia e inaugurimit të pllakës përkujtimore të vendosur në godinën e kësaj shkolle.

Në këtë ceremoni të zhvilluar nga shoqata “Tirana”, familja e patriotit Selim Brahja, Komuniteti Mysliman, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, merrnin pjesë klerikë, intelektualë, historianë, shkrimtarë, pjesëtarë të familjes, etj.

Për familjen Brahja janë shkruar shumë libra, por kjo ditë sipas z. Lulëzim Brahja (nip i hoxhës Selim Brahja), është një ditë e veçantë, pasi janë mbledhur shumë intelektualë, por dhe se në këtë inaugurim provomovohet dhe libri “100 familje tiranase”, pjesë e së cilit është dhe familja Brahja (veçanërisht Selim Brahja), e cila ka një kontribut domethënës në përhapjen e gjuhës dhe pavarësinë e vendit.

“Ju falënderoj të gjithëve në këtë ditë, pasi pjesëmarrja juaj është një nderim për gjyshin tim dhe fisin e madh të Brahja-ve”, tha Lulëzim Brahja.

Pas tij e mori fjalën Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili e vuri theksin në kontributin fetar e patriotik të hoxhës së ndjerë, duke theksuar se gjatë gjithë rrjedhave historike, klerikët e besimeve të ndryshme, janë bashkuar me zërin e kombit dhe të shqiptarit, prandaj kanë qenë interpretimi dhe sugjerimi i bindjeve të tyre edhe fetare, kanë qenë zëdhënësit shpirtërorë të edukatës, të ndërgjegjes dhe të sentencave hyjnore.

“Personaliteti i Hoxhë Selimit u shpalos fuqishëm si në aspektin fetar ashtu edhe në çështjen e madhe jetike për kombin shqiptar gjatë rilindjes kombëtare e më pas. Duke bërë një kronikë të shkurtër të luftës së tij të vendosur e këmbëngulëse, do të vërejmë që figura e tij qëndron denjësisht përkrah figurave të mëdha të kombit”, u shpreh z. Spahiu.

Z. Spahiu theksoi gjithashtu se, ai ishte nga të parët teologë që u persekutua fillimisht nga fashistët ndërsa në vitin 1944 komunistët e vranë, për shkak se ai ishte kundërshtar i flaktë i tyre dhe i dhënë aq shumë pas besimit dhe atdheut të tij të dashur.

Sipas tij, megjithëse propaganda e diktaturës komuniste me frymën e saj brutale, hodhi baltë mbi personalitetin e tij, ai mbeti si burim shpirtëror në mendjet dhe zemrat e qytetarëve dhe besimtarëve të zonës dhe të rrethit të Tiranës.

Jeta

Selim Brahja u lind më 1883 në Sauk, Tiranë. Është i biri i patriotit Ramazan Brahja, dekoruar nga Presidenti i Republikës për “veprimtari patriotike”. Ai ka qenë Hoxhë i Saukut, i diplomuar në Turqi për teologji. Atdhetar, pjesëmarrës i ngritjes së flamurit të pavarësisë në Tiranë më 26 nëntor 1912. Ajo që e veçon jetën e tij patriotike është se mbetet themeluesi i shkollës së parë shqipe në Sauk, më 1916. Veprimtaria e tij antifashiste bën që në mars të vitit 1943 të burgoset nga Italia fashiste. Ai ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes (gusht 1943) me bindje nacionaliste për një Shqipëri etnike, demokratike dhe pro-perëndimore. Kur nuk mendohej, ai vritet më 31 gusht 1943 në pragun e xhamisë, në ditën e Ramazanit, nga një grup prej shtatë vetësh të cilësuar komunistë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij një rrugë kryesore në Sauk i jepet emri “Selim Brahja”. Në vitin 2012 ai dekorohet me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

 

You must be logged in to post a comment Login