Secili në Kur’an do të gjejë sa vlen në të vërtetë

Para disa vitesh m’u dha rasti që të marr pjesë në një konferencë që i kushtohej problemeve të rilindjes islame. Në konferencë, e cila u mbajt në një qytet të madh evropian, një numër i madh dijetarësh të njohur shfaqën mendimet e tyre rreth çështjeve që i përkasin fesë dhe përtëritjes islame.

Çdo ditë puna fillonte dhe përfundonte duke lexuar një pjesë nga Kur’ani që e lexonte një hafiz i njohur botërisht. Edhe pse njerëzit dëgjonin me kujdes fjalimet e pjesëmarrësve në konferencë, përsëri ndihej prania e masës (disa qindra njerëz), disa pëshpëritnin, ndonjëherë dëgjohej shushurima e fletëve ose zhurma e lapsave, etj., por, kur hafizi fillonte të lexonte Kur’an, çdo gjë shkallë-shkallë binte në qetësi e, pas disa minutash, mbretëronte një qetësi absolute. Në pushimet që hafizi herë pas here bënte gjatë leximit, asgjë s’dëgjohej, dukej sikur asgjë s’merrte më frymë. Kjo është ajo qetësi ku njerëzit dëgjojnë rrahjet ritmike të zemrave të veta. Ndërsa Kur’ani nga goja e këtij hafizi të mrekullueshëm i ngjante një lumi që rrjedh e për një moment është i qetë dhe i urtë, për një çast shndërrohet në një ujëvarë zhurmëmadhe që kërcënon t’ju marrë e t’ju rrëmbejë. Kulmi i këtij përjetimi ndodhi ditën e mëpasme, kur hafizi në shenjë respekti për ndarjen kishte vendosur të na përshëndeste. Kësaj radhe ai lexoi suren e mrekullueshme “Rrahman”, e njohur për bukurinë dhe harmoninë e saj. Mendoj se këtë mbresë nuk jam në gjendje ta përshkruaj.

Nuk e dija kuptimin e kësaj sureje (përveç disa verseteve që përsëriteshin si refren), por më dukej sikur e kuptoja plotësisht unë dhe gjithë të tjerët.

Pas çdo leximi të tillë unë ndihesha pafundësisht më i afërt me gjithë të tjerët dhe më dukej sikur gjithë ata njerëz dëshironin t’i thoshin njëri-tjetrit: A nuk e shihni që jemi vëllezër?!

Asnjëherë pas këtij përjetimi nuk mund ta shikoja çështjen e vlerës së leximit të Kur’anit ose dëgjimit së bashku në arabisht. Të gjithë myslimanët e përjetojnë Kur’anin kështu ose ashtu.

Leximi i Kur’anit i ngjan një udhëtimi nëpër tokat e njohura dhe të panjohura. Dy njerëz kalojnë të njëjtën rrugë dhe njëra rrugë është plot përshtypje, mbresa, ndërsa tjetra sikur ke kapsallitur sytë. Kjo varet nga ata dhe jo nga peizazhi dhe qytetet nëpër të cilat kanë kaluar.

Secili në Kur’an do të gjejë aq sa vlen ai në të vërtetë.

Alija Izetbegoviç

/Drita islame

You must be logged in to post a comment Login