Së bashku për një botë më të mirë

Jemi dëshmitarë të zhvillimeve të mëdha, por në drejtime krejt të kundërta. Shohim se si dita-ditës tentojnë të prekin qiellin ndërtesa madhështore, kompjuterizimi ka arritur një zhvillim të lartë dhe është bërë pjesë e rëndësishme, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në aktivitetet institucionale. E kështu me radhë dëshirat që kanë pasur gjyshërit dhe prindërit tanë, për ne sot janë të prekshme dhe jetojmë me to në mënyrë aq të zakontë saqë nuk e mendojmë se për t’i pasur këto të mira dhe lehtësi, kanë studiuar, punuar dhe janë lodhur shumë njerëz të ditur e me vullnet.

Çdo njeri ka aftësi dhe talent në një fushë të caktuar të jetës, një mirësi kjo nga Krijuesi, i Cili kishte mundësi që çdonjërin prej nesh ta pajiste me secilën prej talenteve dhe aftësive njerëzore, por, kështu, bashkëpunimi midis njerëzve nuk do të ekzistonte. Gjithsecili do të rrinte i veçuar, sepse nuk do të ndiente nevojë për tjetrin. Njerëz me aftësi të ndryshme bashkëpunojnë dhe jetojnë në komunitet, duke i siguruar njëri-tjetrit ndihmë e mbështetje në çastet e nevojshme. Njeriu është qenie që ka nevojë të domosdoshme të jetojë në shoqëri dhe jo i vetmuar. Marrëdhëniet familjare, farefisnore, miqësore e shoqërore, lidhen dhe mbahen duke u bazuar në dashuri e respekt të ndërsjellë, me qëllim arritjen e një jete më të mirë e më të qetë në çdo aspekt. A mund të ketë marrëdhënie (në secilën prej këtyre fushave) të shëndosha mes njerëzve të paditur dhe jotolerantë?!

Kurrsesi, jo. Aty ku mungon dija sundon errësira dhe aty ku mbaron toleranca, fillon dhuna. Pra, dy nga faktorët më të rëndësishëm dhe thelbësorë për mbarëvajtjen e një procesi të ekuilibruar e të vazhdueshëm në çdo fushë, janë padyshim dija dhe toleranca. E, që të mund t’i kesh në zotërim këto dy xhevahire, duhet të gërmosh thellë në lëmin e njohurive, që njeriu ka arritur të zbulojë, dhe pastaj të zgjedhësh midis së mirës dhe të keqes, gjithmonë, dhe pa më të voglin dyshim, të mirën edhe pse mund të të duket e vështirë apo i shtrenjtë çmimi për ta arritur këtë synim, dijen dhe tolerancën.

Gjërat me vlerë kushtojnë. Kostoja s’është asnjëherë e papërballueshme kur bëhet fjalë për mbarëvajtjen e një familjeje, të një martese, të një ekzistence. Jetojmë në një shoqëri në të cilën është e nevojshme të investojmë dhe jo vetëm të marrim apo presim prej saj. Çfarë do të ndodhte sikur të gjithë t’i mbështeteshin kësaj logjike, nga e cila vetëm të prisnin t’iu jepej gjithçka donin dhe të mos jepnin asgjë nga mundësitë, apo të mos kontribuonin në asnjë fushë, në mos për përparimin e asaj fushe, të paktën të mos ndikonin as direkt e as indirekt në prishjen apo shkatërrimin e saj?!

Përherë dëgjojmë njerëz që ankohen për arsye nga më të rëndomtat, duke akuzuar gjithmonë të tjerët për neglizhencë apo moskryerje të mirë të detyrës, sidomos ata që kanë privilegjin të ulen në një kolltuk zyrtar, dhe e përjashtojnë thuajse përherë veten nga çdo përgjegjësi qoftë edhe nga ato më minimalet. Ka nga ata që ankohen për papastërti në ambientet ku jetojnë dhe pa përshtypjen më të vogël i shohim të hedhin mbeturinat vend e pa vend, duke menduar se këto janë vetëm gjëra të vogla, pa rëndësi, të cilat nuk ndikojnë në një ndotje më të madhe. Po kështu mendojnë të gjithë ata që kanë shkaktuar këtë ndotje dhe shiko se ku jemi e mendo se ku mund të vemi.

Rreziku vjen nga veprimi i papërgjegjshëm dhe shtohet nga nënvlerësimi i një problemi të caktuar. Njerëz, ndërkohë që ju visheni kaq bukur, mobiloni me kaq shije apartamentet tuaja, kurseni dhe blini makina po aq të hijshme, e pa dyshim, për të gjitha këto, duhet mund e përpjekje; ç’ju kushton t’i hidhni plehrat në vendin e duhur, të mbani në një qese mbeturinat e një ushqimi të konsumuar në piknik, në udhëtim apo duke nxituar për në punë? Mjafton të shohim pasditen e një dite feste, për të parë ambalazhe të llojeve të panumërta në ato vende. Është e detyruar njësia administrative, bashkia për pastrimin e ambienteve të fshatit apo qytetit ku ne jetojmë, por, mendoni, a do të mjaftonte kjo pa bashkëpunimin tonë?! Jo. Duhet një ndërgjegje më e lartë individuale. Pasojat e ndotjes (përveç ambientit) i vuan shëndeti ynë në rastin më të parë të epidemisë, që nuk heziton të vijë si pasojë e insekteve që favorizohen edhe nga plehrat apo vapa.

Gjithkush në këtë botë ka talent dhe posedon njohuri të ndryshme. Sa shkollë duhet për të mbajtur pastër rrugët, lulishtet, parqet tona? Sa talent duhet për ta kuptuar se ndotja na ul prestigjin, na dëmton shëndetin? Sa e vështirë është vallë (kur s’mundemi t’i heqim) të mos hedhim, (qoftë edhe një letër, shishe) në rrugë, por ta mbajmë deri në koshin më të afërt?

Lë të kujtojmë disa këshilla profetike:

“Pastërtia është gjysma e besimit.”

“Shkalla më e lartë e besimit është besimi në një Zot…dhe ajo më e ulëta heqja e një pengese nga rruga.”

Edhe pastërtia tregon nivelin kulturor të një vendi apo individi të caktuar. Përveç pastërtisë, problem mjaft i mprehtë është edhe dëmtimi i pyjeve dhe hapësirave të blerta nga njerëz të papërgjegjshëm. Këto sipërfaqe rrezikohen nga ata që përfitojnë të mira të shumta prej tyre. Ti nuk ke mundësi ekonomike apo arsimin e duhur për të kontribuuar në ndërtimin e një uzine, të një rruge, por sa të vështirë e ke të mos ndezësh zjarr kur shkon për piknik në pyje, të cilat përveç se na freskojnë ajrin, frenojnë erërat e fuqishme, të cilat me forcën e tyre do të na dëmtonin të mbjellat dhe ambientet ku jetojmë. Ato prodhojnë oksigjenin pa të cilin as ti, as unë nuk do të jetonim aq sa për të diskutuar qoftë edhe për këtë problem.

Blejmë rrobat më të shtrenjta, e sikur mos të mjaftonte kjo, shumica e vajzave për të treguar sa të përparuara dhe të veçanta janë, shkurtojnë veshjet e tyre, preferojnë të kenë të dashur në vend që të zgjedhin martesën (lidhja më e shenjtë njerëzore), për të treguar se janë pjesë e zhvillimit, e Evropës, ndërkohë që poshtë pallateve të tyre janë hedhur plehrat nga ballkoni. Sikur Evropa, zhvillimi, të fillojnë me zhveshjen, imoralitetin dhe qëllimin vetëm për t’u ekspozuar; e pra, unë nuk do dëshiroja kurrsesi të isha pjesë e këtij zhvillimi! Kushdo që vlerëson veten dhe mendon se vlen më tepër, nuk do ta pranonte këtë. Ne jemi pjesë e Evropës, e pra le t’i tregojmë asaj se dhe ne dimë të vendosim rregull dhe pastërti. Me dije dhe tolerancë mbahen dhe forcohen marrëdhëniet familjare, farefisnore, miqësore, shoqërore. Pa vështirësi, por vetëm me vullnet dhe vetëdije mbahen pastër ambientet dhe ruhen nga dëmtimet pjesët e gjelbra të vendit ku jetojmë.

Me moral dhe vetëkontroll dhe, pa dyshim, me dije të drejtë do të mund të hyjmë në Evropë dhe kudo në botë.

Mos shkatërroni me indiferentizëm dhe papërgjegjshmëri atë për të cilën prindërit dhe të parët tanë, si dhe ne investuam.

Vendi dhe jeta është më e bukur dhe më e shëndetshme pa ndotje.

Të gjithë e dimë.

Le ta kthejmë dijen në praktikë.

Së bashku për një botë më të mirë.

Mercedez Gega

/Revista ‘Drita Islame’ – korrik 2017/

 

You must be logged in to post a comment Login