Sami Yusuf: Jemi krenarë për trashëgiminë tonë

Artisti mysliman Sami Yusuf, i cili vjen për herë të parë në Tiranë, i ftuar për të marrë pjesë në programin kushtuar Profetit Muhamed a.s., ishte sot në Universitetin Hëna e Plotë – BEDER.

Në konferencën për shtyp, këngëtari Yusuf, ndau me gazetarët dhe studentët përshtypjet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët , raportin e tij me Islamin si dhe disa hollësi interesante të karrierës së tij.

“Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur, me njerëz të mirë që reflektojnë mirësi e paqe. Ajo që më gëzon më tepër është fakti se tek ju ka mbetur një ndjenjë e thellë shpirtërore siç është besimi në Krijuesin e Gjithësisë, ndjenjë kjo e cila nuk ka vdekur, pavarësisht periudhës komuniste, dhe kjo sipas meje buron nga tradita dhe lidhja e fortë e njeriut me besimin te Zoti”, nënvizoi Yusuf.

Ai u shpreh se ndihet si në shtëpinë e tij në këtë atmosferë të ngrohtë e vëllazërore dhe nga mikpritja që besimtarët myslimanë, por dhe të tjerë i kanë bërë.  Ai gjithashtu shprehu falënderimet dhe konsideratat e larta për Komunitetin Mysliman i Shqipërisë, i cili është në shërbim të Islamit dhe myslimanëve shqiptarë në çdo trevë ku ata ndodhen.

Artisti britanik tregoi se është i kënaqur për punën që kryen në shërbim të së vërtetës së besimit dhe për ta bërë atë të njohur e të prekshëm për njerëzit, në një botë plot konfuzion dhe kur shoqëria e qytetërimi i sotëm kanë humbur shumë nga vlerat e dikurshme.

“Është e vështirë të kesh një ide të qartë në këtë botë, por mbetet e vërteta e Zotit. Që kur isha i vogël, ulesha me më të mëdhenjtë dhe flisja për të shkuarën. Bota moderne nuk ka respekt për traditën. Njerëzit nuk kanë ndonjë qëllim të qartë se për çfarë jetojnë. Në Angli, problemi më i madh është se njerëzit nuk e dinë se për çfarë ekzistojnë! Por, ne Allahu na ka bekuar dhe kjo është arsyeja që sot jam këtu. Unë nuk mund ta shpreh me fjalë atë çfarë ndjej rreth qëllimit për të cilin jetoj”, u shpreh Yusuf.

Më tej, ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve dhe studentëve në lidhje me artin, muzikën si dhe mënyrën e tij të të bërit art. Yusuf tregoi për kënaqësinë që i jep kontakti me njerëz dhe kultura të ndryshme, tek të cilët ai gjen vetveten ku një fokus të veçantë zë interesi për tradicionalen, e cila në perceptimin e tij kohët e fundit e ka humbur shkëlqimin e saj.

“Ne si myslimanë duhet të mbrojmë traditën, edhe të feve të tjera. Sa më shumë që kalon mosha, bëhem akoma edhe më tradicional. Për mua, nuk është prapambetje të jesh tradicional. Duhet të jemi krijues, duke zbuluar traditën tonë muzikore dhe në të gjitha fushat e artit.”

Në fund të bisedës, këngëtari i famshëm pozoi për foto dhe dha disa autografe për një grup studentësh dhe fansash, të cilët kishin ardhur për të dëgjuar e mësuar më shumë rreth jetës dhe karrierës së tij.

Më pas artisti mysliman zhvilloi edhe një takim me rektorin e universitetit, Dr. Ferdinand Gjana.  Yusuf gjithashtu vizitoi  ekspozitën e arteve islame të autorit Mehmet Memish, të çelur dy ditë më parë në këtë universitet në kuadër të ditëve të kulturës dhe artit islam.

Në konferencën për shtyp foli edhe Kancelari i KMSH Ali Zaimi, i cili u shpreh se “Komuniteti Mysliman vazhdimisht ka qenë pranë besimtarëve përmes programeve dhe aktiviteteve të ndryshme fetare e kulturore. Një rëndësi  veçantë nga ana e KMSH-së iu është kushtuar programeve kulturore artistiko-fetare. Një ndër këto programe është edhe programi festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”, që organizohet për të shtatin vit radhazi, qëllimi i të cilit është zgjimi i ndërgjegjes dhe forcimi i besimit ndër besimtarët përmes përkujtimit të Zotit dhe të Dërguarit të Tij, profetit Muhamed a.s.”

/Drita Islame/

 

]

You must be logged in to post a comment Login