Rruga Egnatia, vepra gjigante e antikitetit

Zonat përreth tij ishin të banuara nga Ilirët, megjithatë qyteti i Elbasanit u njoh në histori në periudhën e Ilirisë.

Gjurmimet arkeologjike si, Tumat (kodërvarret) në fushën e Pazhokut, në fshatin Shalës afër Cërrikut apo objektet prej terrakote (baltë e pjekur), që i përkasin periudhës helenistike të zbuluara në fundin e liqenit të Seferanit në Belsh, të cilat banorët vendas paganë ia blatonin perëndeshës Afërditë, tregojnë për ekzistencën e Elbasanit që në periudhën e hershme antike.

Zonat përreth tij ishin të banuara nga Ilirët, megjithatë qyteti i Elbasanit u njoh në histori në periudhën e Ilirisë. Mendohet se në kohën e pushtimit romak në vitet 229 – 168 p.e.s. Elbasani u shkatërrua prej tyre për të rilindur më vonë.

Studiuesja Ortenca Dakli thotë se, “Rruga Egnatia” mori emrin e realizuesit të kësaj vepre gjigante të antikitetit, i cili ishte gjykatësi romak në Selanik i quajtur Cnaeus Egnatius, i biri i Caius prokonsull në Selanik. Pra, u ndërtua nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare gjatë mësymjeve të tyre në Hiri, Maqedoni dhe Greqi”.

Kjo rruge e gjatë 535 milje dhe e gjerë 30 këmbë, u ndërtua me gurë dhe shërbente edhe për transport udhëtarësh dhe mallrash. Përgjatë saj kishte sheshe dhe vendpushime të ngjashme me stacionet e sotme. Burimi më i besuar deri më sot mbi këtë rruge është itinerari i Bordosë, që është shkruar nga një murg i panjohur në vitin 333 e.s. gjatë kthimit të tij nga Jerusalemi. “Ai ka shënuar stacionet dhe distancat nga njëri stacion te tjetri. Distancat janë matur me udhëtime gjysmëdite. Stacionet ku ai ka fjetur i ka shënuar si “mansio” dhe ato ku ka ndërruar kuajt si “mutatje”. Mendohet se stacionet ishin 30-40 milje larg njëri-tjetrit dhe shërbenin për shlodhje, ushqim etj”, vijon Dakli.

Rruga Egnatia, e cila kalon edhe në Elbasan, zë fill në Durrës me dy degëzime, njëra të çon në Apoloni dhe dega tjetër vijon, Ura e Dajlanit-Shkëmbi i Kavajës-Kavajë, kalon lumin e Darit mbi një urë-Rani i Gores-Bishti i Zhurit-Peqin. Nuk ka shenja për stacione të mundshme nga Durrësi deri në Peqin.

Nga Peqini deri në Elbasan ka vetëm një stacion të quajtur Add Quintum, i cili ndodhet në fshatin Bradashesh. Më pas kjo rrugë shtrihet në Elbasan- Mengël-Labinot-Fushë, Mirakë (stacioni Genesis), kalon në anën tjetër të Shkumbinit dhe njëkohësisht i shmanget bregut të lumit duke u ngjitur nëpër male – Babje (stacioni Ad Dianam- Tempulli i Dianës), Spathare- Dardhë- Gurrat e Zeza- Qukës – kalon sërish lumin Shkumbin- Fusha e Domosdovës-Qafë- Thanë e më tej në Strugë- Ohër- Manastir (sot Bitola, Maqedoni)- Selanik (Greqi) dhe vijon deri në Stamboll e përtej.

Degëzimi i Apolonisë bashkohet me pjesën kryesore pikërisht në qytetin e Peqinit. Një arterie tjetër e kësaj rruge, pasi përshkonte Korgën dhe Beratin, futej në zonën e Dumresë (Belësh-Shalës-Cërrik) dhe bashkohej me magjistralin kryesor pikërisht në lumin Shkumbin, ku ka qenë ndërtuar edhe një urë, bazamentet e së cilës, ndonëse të rrënuara, ruhen ende në shtratin e këtij lumi dhe pikërisht në fshatin Topçias, ose ku bashkohet derdhja e përroit të Zaranikës me lumin e Shkumbinit.

Nëndegëzime apo rrugë sekondare kjo rrugë ka pasur edhe në zona të tjera të Elbasanit. Për herë të parë këtë rrugë e përmend Polibi në vitin 120 p.e.s. dhe më pas Straboni. Ky i fundit thotë se rruga kishte dy degëzime, njëra nga Durrësi dhe tjetra nga Apolonia.

Po nga Straboni mësohet se një pjesë e rrugës quhej rruga e Kandavisë ( Kandavia quhej atëherë një mal me emër ilir në malësinë e Polisit në Elbasan). Kjo rrugë, e ndërtuar nga romakët është vazhdim i rrugës Apia dhe niste me itinerarin: Romë-Beneventum-Brindizi (Itali) – deti Adriatik – Uria, Maqedonia, Greqia e dilte në Azinë e Vogël e deri në Persi. “Udhëtimi në këtë rrugë në atë periudhë bëhej me karvane me kafshë”, shton historiania Ortenca Dakli.

Rruga e famshme romake,Via Egnatia, nga Durrësi në Bizant, lidhte Romën me Konstandinopolin, duke kaluar nëpër Ohër e Selanik. Skama ishte stacioni i parë i rëndësishëm i saj pas Durrësit, me një kështjellë, e cila në shekullin IV, kishte 28 turra dhe 3 hyrje.

Rreth një vit më parë, me një fond prej 1 milion euro dhënë nga Bashkimi Evropian, kanë nisur punimet dhe janë drejt përfundimit me qëllim rikthimin në identitet të saj në lagjen Kala, ku përshkohet kjo rrugë.

 

You must be logged in to post a comment Login