Roli misionar i revistës “Drita Islame”

Çdo gazetë, revistë apo periodik luan një rol misionar për auditorin që i drejtohet, qoftë ky auditor laik, letraro-shkencor e politik, qoftë religjioz e kulturor. Revistat dhe periodikët e suksesshëm kanë ofruar gjithnjë një vizion të pastër elitar në modernizimin e auditorit që i ndjek, për shkakun e thjeshtë, se ato bëhen forumi i diturisë, kulturës dhe edukimit me të cilin ndriçohen masat e lexuesve, frymëzohen dhe ndjekin modelet e ofruara. Nuk bëjnë përjashtim nga kjo ligjësi e përbotshme në historinë e njerëzimit as dy revistat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – “Zani i Naltë” dhe “Drita Islame”. Njëra me specifikën fetare-kulturore të orientuar nga shkenca, studimet dhe interpretimet teologjike, filozofike e kulturore, dhe tjetra, e përmuajshmja “Drita Islame” – me theksin historik e bashkëkohor, ku përfshihet jeta moderne, e përditshme e besimtarëve nën dritën e hyjnueshme të besimit islam.

Tashmë është mbushur një çerek shekulli që revista “Drita Islame” vazhdon rrugëtimin e vet në mendjet dhe zemrat e besimtarëve, duke shënuar një rreth të gjerë lexuesish nga formime e gjenerata të ndryshme, e si e tillë, ajo përfshin në paketën e saj dituri, njohuri, këshilla e retrospekcione nga shkenca dhe tradita islame shqiptare e botërore, duke përfshirë me përmbajtjen e saj jo domosdoshmërisht komunitetet e besimtarëve. Janë të shumtë artikujt, vështrimet historike dhe artistike, teologjike e interpretative që nuk lënë askënd indiferent edhe pse nuk i përket një sistemi të mirëcaktuar vlerash të Islamit. Është thjesht kulturë dhe histori, filozofi dhe art që ka vlerë të gjithëkohshme.

E nisur si gazetë që më 1992, prej më se pesë vitesh “Drita Islame” rrugëton me një paraqitje cilësore estetike. Në faqet e saj kombinohen, përpos fokusimit tematik të numrit, një sërë rubrikash që përfshijnë jetën e komuniteteve fetare islame, kalendarët përkujtimorë të festave dhe domethënieve të tyre, rimarrja në kontekst e figurave kyçe fetare, kulturore dhe atdhetare të “Islamit shqiptar”, që përbëjnë një panteon të vyer e frymëzues në trashëgiminë tonë, sikundërse dhe referenca nga figura të shquara të mendimit, artit dhe shkencës islame në vertikalen historike.

Në fokusimet tematike të numrave të revistës të bën përshtypje dimensioni social e historik si qasje, ku shtrohen probleme të gjera të kuptimit dhe interpretimit në kontekstet bashkëkohore shqiptare, siç janë disa syresh – “Dinjiteti i gruas në Islam”; “90 vjet Komuniteti Mysliman Shqiptar”; “Tirana, qyteti i themeluar nga xhamitë”; “Në themelet e një xhamie të madhe”; “Në prag të 100 vjetorit të ri shqiptar”; “Skender Bruçaj, vizion i ri i myslimanëve shqiptarë”, etj. Drejtuesit e revistës, Agron Hoxha, Genti Kruja e Dorian Demetja kanë ditur të afrojnë pena inteligjente e dinamike me prirje e natyra të larmishme, siç janë tabloidet dhe skicat historiko-kulturore të gjurmëve të Islamit në Shqipëri në rubrikat e Edmond Sharkës “Gjurmët e Islamit në Korçën e Iljaz Bej Mirahorit”; “Kavaja, qyteti islam i shqiptarëve”; “Myslimanët e Shqipërisë në SHBA”, “Hoxha Kadri Prishtina”; “Themelet e forta të Elbasanit”; “Medresetë në trojet shqiptare gjatë sundimit osman”; “Medresetë në Shqipëri gjatë viteve 1924-1947”; “Kryetarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar 1923-2014”; “Shtypi islam shqiptar gjatë viteve 1912-1946”, etj, etj. Këto guida retrospektive kryejnë një funksion shumë njohës dhe edukativ me trashëgiminë kulturore, arkitekturore dhe historike të traditës sonë islame, si një kontribut i vyer në qytetërimin shqiptar. Rrethi i penave që mbushin faqet e “Dritës Islame” është i gjerë dhe i larmishëm për nga nuancat që sjellin; ata është e pamundur të prezantohen të gjithë në këtë shkrim. Përveç skicave e reportazheve të Ferit Likës, refleksioneve të Haxhi Likës, psikologjisë së Altin Torbës, komenteve dhe opinioneve të Rejan Islamit dhe Saimir Lleshit, interpretimeve hadithore të Elton Harxhit, eseistikes së Nuredin Nazarkos, dosierëve e personaliteteve të Faik Kasolles e Genti Krujës, skicave retrospektive të Roald A. Hysës, rubrikave për familjen dhe fëmijët të Anisa Kokiçit, – pra përveç këtyre penave pasionante, që zbulojnë një larushi ngjyrash e nuancash të historikut dhe përditshmërisë së besimtarit mysliman shqiptar ndërmjet traditës dhe modernitetit, vijnë rregullisht në faqet e revistës miniaturat eseistike, filozofike e estetike të Edison Çerajt, që ia shton vlerën dhe vizionin diamantit “Drita Islame”. Janë një stoli e paçmuar këto skica, jo vetëm për stilin e ngjeshur dhe shtjellimin miniaturesk të ideve dhe koncepteve, por dhe për shpalosjen e vizionit intelektual e artistik të bukurisë dhe filozofisë së besimit. Kështu, midis filozofisë, artit dhe estetikës, Edison Çeraj prek një sërë çështjesh të përjetshme të artit, etikës dhe filozofisë, sikundërse janë disa prej titujve të botuar ndër vite: “Mbi njohjen”; “Tëhujësimi, aspekti etik dhe estetik”; “Një skicë për botëkuptimin islam”; “Mbi tregtinë dhe jetën ekonomike gjatë sundimit osman”; “Pse Shqipëria u shpall vend ateist nga komunistët”; “Pasqyrimi i transcendencës hyjnore në artet pamore”; “Mbi nihilizmin”; “Tre profetët përcaktues, etj. Janë faqe përsiatjeje dhe sinteze, se si bota, arti dhe filozofia islame bëhen organikisht një thurimë e gjallë botëkuptimore, dinamike dhe ripërtëritëse.

Herë pas here në faqet e revistës freskohen me pena të tjera, që sjellin këndvështrime, hulumtime shkencore e dosierë, si Redi Shehu, Prof. Rahim Ombashi, Hasan Bello, Agim Baçi, Enis Sulstarova, Ahmet Çaushi, etj.

Do të kishte qenë ndoshta e mirëpritur të përfshiheshin në faqet e revistës më shumë letërsi e përzgjedhur për të rinj e të rritur, në kuptimin më shumë se sa është ofruar. Kjo do të bënte që revista të rriste me tej rrathët përfshirës për një kategori lexuesish jo domosdoshmërisht besimtarë, por për shkak se dihet: letërsia e mirë (e zgjedhur mirë e me shije) ka një forcë të madhe ndikuese. Gjithashtu në dobi të revistës do të ishin paraqitjet e asaj sfere të letërsisë së bejtexhinjve që është ende pak e njohur, për shkak të koniukturave aspak dashamirëse dhe paragjykimeve që e kanë penalizuar pa të drejtë këtë repertor të vyer të trashëgimisë sonë letrare.

Në numrin e shkurtit 2017 të revistës, është dhënë një model i përkryer, që sipas meje, përbën një sensacion në shkencën dhe historinë letërsisë shqipe. Është fjala për poezinë e Mexhid Yvejsi nga Gjakova, e cila del si poezia e parë e shkruar në shqip me alfabet osman (1669). Një faktografi që do të krenonte çdocilën kulturë letrare kombëtare në Europë e më gjerë.

Në përfundim, shpreh armimin tim për këtë rol misionar ndriçues që ka luajtur “Drita Islame” përgjatë këtij çerek shekulli të fundit në jetën kulturore, teologjike e sociale të komuniteteve të besimtarëve myslimanë shqiptarë, arritje të shënuara këto, që dalin përtej auditorit të referuar, siç është në nderin e çdo reviste të mirë. Përtej fjalëve më të sinqerta të falënderimit, unë i bëj thirrje mirëkuptuese gjithë intelektualëve, studiuesve e shkrimtarëve shqiptarë që të konsiderojnë “Dritën Islame” si një forum shprehjeje të një rëndësie të veçantë edukative dhe të ofrojnë më të mirën për faqet e saj. Kësisoj krijohet një klimë shumë e mirë, familjare, një vatër amtare e kulturës, njohjes dhe edukimit, që ndikon në cilësinë humane dhe etike të brezave të rinj.  

Doc. Dr. Agron Tufa

You must be logged in to post a comment Login