Roli i revistës “Drita Islame” në ndërgjegjësimin e gruas

Në faqet e revistës “Drita Islame” janë botuar materiale të shumta e me tematikë të larmishme, si studime, analiza, portrete, çështje fetare e edukative, diskutime, reportazhe e kronika, përmes të cilave shpalosen vlera për edukimin shpirtëror islam, për dashuri e përgjegjësi kombëtare.

Midis tyre nuk janë lënë pa përmendur edhe çështjet që kanë të bëjnë me figurën e gruas dhe rolin e saj në shoqëri.

Revista “Drita Islame” në çdo numër të saj ka pasur hapësirë për gruan. Kjo do të thotë që stafi i redaksisë e ka parë shumë të domosdoshme që  çështjet e gruas të trajtohen denjësisht dhe shoqëria mbarë të ndërgjegjësohet. Jo vetëm kaq, por “Drita Islame” ka shkruar për vajzat dhe gratë duke u kujdesur që të nxjerrë në pah vlerat më të bukura, të mbrojë të drejtat dhe të nxisë emancipimin e tyre.

Pra, “Drita Islame” me rubrikën e gruas ka dashur të ndriçojë dhe të zgjojë vetëdijen e lartë për lidhjet e shumëfishta të misionit të lartë të gruas dhe rolit të saj në përparimin e shoqërisë.

Në materialet e shkruara rreth gruas kuptohet lehtë se gratë dita-ditës po fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta, gjithashtu gruaja në ditët e sotme ka më shumë rol dhe është më e integruar në jetën sociale. S’ka dyshim që kontribut të rëndësishëm në këtë dimension ka pasur edhe kjo revistë, e cila asnjëherë nuk është pajtuar me mendimin e gruas së mbyllur, që nuk gjendet prezente edhe jashtë shtëpisë dhe që nuk përfshihet në aktivitete të gjera. “Drita Islame” është munduar ta ushqejë gruan shqiptare në përgjithësi dhe atë myslimane në veçanti me mesazhin e rolit, misionit dhe detyrave të vërteta të saj.

Modeli që “Drita Islame” ofron për emancipimin e gruas, i njeh asaj të drejtën dhe detyrën e të qenit pjesë aktive e shoqërisë, por gjithashtu duke ruajtur natyrën e pastër femërore me të cilën Zoti e ka krijuar femrën.

Çështje në lidhje me gruan myslimane që përbëjnë dyshime dhe paragjykime edhe nga mbarë shoqëria, “Drita Islame” i ka ngarkuar vetes misionin e rëndësishëm për t’i qartësuar ato, duke i argumentuar në format më të ndryshme. E ka bërë këtë duke ruajtur kornizën fetare, por edhe me argumentin e arsyes. Një nga këto ka qenë dhe është ende sot e kësaj dite çështja e veshjes së gruas myslimane. Në një nga këto shkrime të titulluar “Mbulesa, petku i devotshmërisë”, thuhet se “Veshja jo e përshtatshme në rrugë apo në punë sjell prishjen e moralit njerëzor. Feja islame nuk i ka burgosur gratë dhe nuk ua ka hequr liritë, por me anë të veshjes ajo i ka kufizuar disi për të ruajtur nderin, e veç kësaj, i ka lënë të lira brenda kufijve të ndershmërisë. Feja islame nuk njeh veshje të posaçme për gruan. E sheh të arsyeshme që kjo (veshja) të jetë në varësi të zakoneve, traditave….”

Një ndër çështjet kryesore të trajtuara në faqet e saj është edhe edukimi i gruas. Për nevojën e edukimit të grave, “Drita Islame” shtron këto arsye: Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së globit tokësor, prandaj duke u edukuar ato, është edukuar gjysma e racës njerëzore.

Edukata familjare që buron nga nëna trashëgohet në të gjithë të ardhmen e racës njerëzore. Nga një nënë e edukuar kalohet në një shoqëri të edukuar.

Lidhur me këto, pozita e gruas në familje zë një vend të rëndësishëm në faqet e kësaj reviste. “Drita Islame” vlerëson cilësitë e gruas për edukimin e fëmijëve, respektin që duhet të kemi për të si nënë, bashkëshorte, vlerësojnë dhe urdhërojnë pajisjen e saj me kulturë.

Gjatë 25 viteve të këtij periodiku, gruan e shohim si pjesëmarrëse aktive në shoqëri. Gjatë viteve të para të formimit të “Drita Islame” në qytetin e Shkodrës është krijuar shoqata e parë e grave myslimane. Veprimtaritë fetare ndiqeshin në mënyrë të organizuar dhe me shumë interes. Të gjitha këto aktivitete “Drita Islame” i ka pasqyruar në faqet e saj, duke dhënë kështu mesazhin e fortë që gruaja duhet të jetë e tillë.

Ky aktivizim i gruas myslimane me kalimin e viteve ka ruajtur vrullin dhe është rritur në mënyrë konstante.

Kështu, gjatë viteve të fundit në revistë vërejmë një përfshirje më të gjerë të gruas islame. Në këtë mënyrë, “Drita Islame” i ka dhënë vazhdimisht mbështetjen maksimale organeve përfaqësuese të gruas si Zyra e Gruas në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, po gjithashtu edhe shoqatave të ndryshme të grave, numri i të cilave është rritur ndjeshëm.

Rritja e numrit të aktiviteteve në lidhje me gruan dhe të drejtat e saj, patjetër që është rezultat edhe i ndërgjegjësimit me anë të publikimeve në revistën “Drita Islame”, e cila, kur edhe shumë qarqe islame madje kundërshtonin pjesëmarrjen e gruas në një rreze më të gjerë, ka kërkuar vazhdimisht që ajo të jetë e përfshirë në çdo sferë të jetës. Falë Zotit, sot e kësaj dite, të gjithë myslimanët në Shqipëri i gjejmë edhe më të ndërgjegjësuar në këtë çështje dhe më bashkëpunues.

Pa dyshim që roli i revistës në realizimin e këtij synimi dhe zgjidhjen e këtyre ngërçeve është i pamohueshëm.

Pra, te “Drita Islame” gjejmë një qasje mjaft bashkëkohore, që vendos një ekuilibër mes rolit të gruas dhe jetës së saj fetare dhe kumton fuqishëm që ky ekuilibër do t’i japë asaj vendin e merituar në shoqëri.

“Drita Islame” kujdeset t’u japë rëndësinë e duhur edhe problematikave sociale të kohës, duke u përpjekur t’i nxjerrë gratë nga vështirësitë dhe t’u njohë atyre të drejtat e merituara.

Si përfundim, mund të themi që “Drita Islame” i ka frymëzuar gratë që të jenë nëna të mira, bashkëshorte besnike, por edhe aktive në të gjitha fushat e shoqërisë.

Urojmë që kjo revistë të korrë vetëm suksese në misionin e saj të artë dhe të jetë burim orientimi për gruan në të gjitha dimensionet e saj në tërësi.

Fatma Karaj

/Revista ‘Drita Islame’ – Mars 2017/

You must be logged in to post a comment Login